Bush mbështet Mekein, Klinton ftesë Obamës për zëvendëspresident
Senatori Mekein, fitues në Ohaio dhe Teksas, siguron emërimin e republikanëve. Klinton, Obamës: “Unë presidente, ti zëvendëspresident”. Obama: “Do të vazhdoj garën”
“Xhon Mekein është njeriu i duhur që mund të marrë vendime të vështira duke mos u zmbrapsur para rrezikut”. Kjo ka qenë deklarata e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, i cili ka mbështetur fushatën e kandidatit Mekein për Shtëpinë e Bardhë pas sigurimit të numrit të mjaftueshëm të delegatëve në radhët e republikanëve. Senatori Mekein ka fituar zgjedhjet paraprake në Ohaio dhe Teksas duke siguruar emërimin e partisë së tij si kandidat për president. “Ai nuk do të ndryshojë kur do të duhet të merret me armikun. Ai e kupton se kjo është një botë e rrezikshme dhe unë e di se është më mirë që të kemi një lidership që do të ketë guximin dhe vendosmërinë për ta ndjekur armikun dhe për të mbrojtur Amerikën”, - tha presidenti Bush.
Senatori nga Arizona, i cili vetëm pak muaj më parë ishte shumë prapa në anketa, mori mbështetjen e rivalit kryesor, ish-guvernatorit të shtetit Arkansa, Majk Hakëbi, i cili njoftoi në Teksas se largohej nga gara duke i bërë thirrje Partisë Republikane për bashkim. Ndërsa në radhët e demokratëve, ish-zonja e parë e SHBA-ve, Hilari Klinton, i ka propozuar rivalit të saj të “ndajnë” Shtëpinë e Bardhë, ajo si president dhe Obama si zëvendëspresident. Lidhur me këtë kërkesë kandidati Obama është shprehur se preferonte të vazhdonte garën, pasi besonte se ishte akoma në avantazh me numrin e delegatëve të Partisë Demokrate. Klinton nuk e përjashton mundësinë që të dalë së bashku me konkurrentin e saj, Barak Obama, në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Kandidatja amerikane fitoi të martën zgjedhjet paraprake në shtetet e rëndësishme federale Teksas dhe Ohaio. Pas fitores ajo është shprehur se zgjedhjet në Ohaio kishin hapur një kapitull të ri në garën për Shtëpinë e Bardhë. Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve ka shprehur bindjen për vazhdimin e këtij procesi të rëndësishëm, ndërsa kandidati tjetër demokrat, Obama, ka fituar vetëm në shtetin e vogël Vermont. Ai nuk ka ngurruar ta përgëzojë rivalen e tij për fitoren, edhe pse ka theksuar se ka më shumë delegatë dhe është drejt sigurimit të emërimit të partisë së tij.
7 Mars 2008