E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre dëshmorë pa simbole më 5 Maj

Të paktën tre dëshmorë janë përkujtuar dje në Elbasan pa imazhin e kujtimit të tyre në këtë qytet. Emri simbol i Ditës së Dëshmorëve, ai i Qemal Stafës është lënë në harresë për një arsye. Shtëpisë muze të kësaj figure të panjollosur deri më sot ka kohë që i ka dalë pronari dhe për më tepër se një vit, është shndërruar në kopsht fëmijësh. Shteti i pafuqishëm, në respekt të së drejtës së pronësisë mbi shtëpinë, ka shkatërruar muzeun duke mos e diskutuar fare mundësinë e blerjes së kësaj shtëpie nga trashëgimtarët e ligjshëm të saj. Sot, godina që njihet prej 60 vjetësh si muze nuk ka më asgjë që të të kujtojë dëshmorin simbol të Luftës së Dytë Botërore. Qemal Stafës nuk i ka mbetur asgjë në Elbasan, veç emrit, pasi edhe reliket e tij nuk dihet se ku përfunduan pas mbylljes së muzeut të Luftës në këtë qytet. Ndërkohë, ish-shkollës "Thoma Kalefi", pas 50 vjetësh i është hequr ky emër, por "aksidentalisht" busti ka mbetur aty, edhe pse nuk i përket më kësaj godine shkollore. Sidoqoftë, tre persona të "paidentifikuar" kishin vendosur në mëngjesin e djeshëm tri tufa me lule natyrale në bustin e Kalefit. Ndërsa shkolla industriale nuk e mban më emrin e heroit tjetër, Kozma Naska. Busti i tij ka kaluar pranë shatërvanit të qytetit dhe shkolla me emër të ri nuk ka bustin e Sali Cekës me të cilin është pagëzuar. Kësisoj, Qemali ka mbetur pa shtëpinë muze në Elbasan, ndërsa Thomai dhe Kozmai, pa shkollë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›