Presidenti i Serbisë kërcënohet me vdekje
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, paralajmërohet se duhet t‘i bëjë mirë llogaritë për tradhtinë e vendit, sepse si tradhtar i vërtetuar i popullit serb do të marrë plumbin në ballë. Në letrën kërcënuese, mes të tjerave shkruhet: "Të gjithë ju tradhtarët mbajeni në mendje, se vepra më e rëndë penale është tradhtia e popullit dhe e shtetit. Këtë po bëni ju. Mos jini të sigurt se nuk do ta merrni ndëshkimin e drejtësisë dhe dënimin më të ashpër të mundshëm". Sipas burimeve, letra thuhet se është dërguar nga Çikago e SHBA, por në fakt supozohet se ajo është dërguar nga Serbia. Kjo letër kërcënuese është vetëm njëra në serinë e disa të tillave, që arrijnë në adresë të Presidentit të Republikës dhe që paralajmërojnë për atentat. Tomo Zoriç, zëdhënësi i Prokurorisë së Republikës së Serbisë, tha se nuk mund të tregonte asgjë me detaje dhe se i duhej të konsultohej me prokurorin për të ofruar më shumë informacione. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociim-Stabilizim të Serbisë me BE-në, e cila u pasua nga deklaratat e kundërshtarëve politikë, që e shpallën Presidentin e Serbisë tradhtar të interesave kombëtare serbe, janë intensifikuar kërcënimet që arrijnë në adresë të tij. Dobrivoje Radovanoviç, ish-drejtor i Institutit për Studime Kriminalistike, paralajmëron se policia, prokuroria e shërbimet sekrete duhet të reagojnë urgjent. Ai thotë se edhe Presidenti nuk ka të drejtë të heshtë për këtë problem. Edhe për Gjingjiçin kemi bërë gabimin duke fshehur informacionet për kërcënime e rreziqe. Nuk i kemi thënë emrin e vërtetë as atentatit në sallën "Limes", sepse nuk ishte momenti i përshtatshëm. Tani, Presidenti dhe ata që e këshillojnë e kujdesen për sigurinë e tij, po e përsërisin gabimin, duke e fshehur gjendjen e vërtetë. Harrojnë faktin se ekspozimi i këtyre gjërave në publik e mbron atë, për të mos shkuar tek atentati. Kjo nuk do të thotë se policia sekrete e prokuroria të mos e bëjnë punën e tyre.