E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, letër parlamenteve të shteteve anëtare të NATO-s

Kroacia dhe Shqipëria do të lobojnë së bashku për të shkurtuar rrugën e anëtarësimit të plotë të dy vendeve në NATO. Kjo u theksua në takimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe Kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, i cili, ndodhet në Tiranë në krye të një delegacioni, për një vizitë dyditore me ftesë të Kryetares Topalli. Gjatë kësaj vizite, Kryetari i Parlamentit kroat ka hedhur idenë që përfaqësuesit e lartë të dy shteteve t‘u dërgojnë një letër të përbashkët gjithë krerëve të parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, me qëllim që të firmosin më shpejt anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit ka shprehur kënaqësinë për këtë vizitë të zotit Bebiç dhe ka vlerësuar propozimin e bërë prej tij. Zonja Topalli dhe zoti Bebiç kanë uruan njëri-tjetrin për ftesën që Kroacia dhe Shqipëria morën për anëtarësimin në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, duke e konsideruar atë një arritje të madhe, vlerësim maksimal për reformat dhe mbështetje për vijimësinë e tyre. Ata kanë vlerësuar se parlamentet mund të japin një kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe përparimin e proceseve integruese të dy vendeve drejt BE-së dhe NATO-s. Duke u ndalur në reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se këto reforma të vështira e të guximshme kanë dhënë rezultatet e tyre të dukshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›