Rama-Meta, "divorc" para dëshmorëve
Dy vjet më parë pesë kryetarët e opozitës nderuan Dëshmorët e Kombit në një ceremoni të posaçme me rastin e 5 Majit. Pas çarjes që u thellua me humbjen në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 paraqitja në varrezat e dëshmorëve ishte mesazhi i bashkimit dhe krijimit të një të majte të re. Dje, dy vjet më pas, të njëjtat personazhe i ofruan publikut shansin të shikojë një koalicion inegzistent dhe me shumë probleme. Telenovela e sherreve për fundin e të cilës u zotuan Rama e Meta thjesht ka rigjetur seritë e humbura. Dy drejtuesit kryesorë të së majtës kanë qenë të pranishëm për homazhe në të njëjtën orë, por kanë evituar çdo lloj kontakti. Në rreshtin e nderimit, mes Ilir Metës dhe Edi Ramës u vendosën Ben Blushi, Pandeli Majko dhe Gramoz Ruçi. Dy prej tyre janë njohur në vijimësi për qëndrime të ashpra ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por çarja e re në gjirin e së majtës ka bërë që Meta ta shikojë më të afërt Blushin dhe Ruçin sesa Ramën. I shoqëruar nga Gramoz Ruçi, shefi i opozitës vendosi kurorë me lule te busti i "Nënës Shqipëri". Pas ceremonisë ai konstatoi se kjo është dita për të kujtuar ata që ranë për idealet e lirisë, barazisë, vllazërimit. "Njëkohësisht, është dita për të nënvizuar vullnetin që këto ideale të mbeten pjesë dhe arsye e angazhimit të përditshëm, në mënyrë që çdo njeri të jetë i lirë, në mënyrë që për çdo njeri të ketë barazi mundësish dhe shansesh, në mënyrë që çdo njeri në nevojë të ketë solidaritetin vllazëror të Shqipërisë", nënvizoi Rama. Teksa ka vendosur kurora për vete, Meta deklaroi se "sot u vunë ca kurora tradhtie nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Kurora tradhtie ndaj popullit shqiptar. Kurora tradhtie ndaj vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar i lirë e me dinjitet, për të qenë zot i fateve të veta". "Ky është një 5 Maj shumë i veçantë, sepse është një 5 Maj, i cili i ka ende të freskëta ato të plagë të mëdha, të hapura në natën e errët të 21 Prillit nga Sali Rama dhe Ramë Berisha, të cilët dhunuan Kushtetutën e popullit shqiptar", theksoi Meta. Ai shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e LSI dhe të gjithë faktorëve dhe forcave politike të përgjegjshme, se ne do ta mbrojmë së bashku me të gjithë shqiptarët, lirinë dhe dinjitetin e tyre. "Unë kam disa ditë që i kam kërkuar takim kryetarit të Partisë Socialiste, për të cilin dhe jam tronditur sot kur kam parë disa pasazhe nga libri i tij "Refleksione", që e ka quajtur Luftën Nacionalçlirimtare, një luftë civile", ironizoi Meta. Ndërsa ftoi mediat ta marrin e t‘i referohen propozimit të bërë në këtë libër nga Rama për nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Socialiste. "Por, këto janë çështjet e tij, nuk më intereson dhe janë probleme të vetë Partisë Socialiste. E vërteta është që sot u vunë ca kurora tradhtie nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Kurora tradhtie ndaj popullit shqiptar", insistoi Meta. Kurora që, sipas tij, kanë tradhtuar vullnetin e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e me dinjitet, për të qenë zot i fateve të veta. "Këtu u vunë kurora tradhtie nga ata që betonuan më 21 prill pushtetin e Kryeministrit Sali Berisha, në kundërshtim me Republikën parlamentare, duke e vënë Parlamentin nën thundrën e Sali Berishës", tha Meta. Ai gjeti rastin të ftojë gjithë shqiptarët të bashkohen për të rifituar lirinë dhe dinjitetin, që s‘mund ta nëpërkëmbë as Sali Rama dhe as Ramë Berisha.