E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët ne proteste: Qeveria duhet te na jape falas kartat



Jonida Tashi

Sheshi përballë selisë së kryeministrisë është pushtuar paraditen e djeshme nga protesta e pensionistëve për pajisjen falas me kartë identiteti. Kërkesa e herëpashershme e opozitës për lehtësimin financiar të disa shtresave sociale në nevojë drejtuar qeverisë, për pajisjen falas me karta identiteti, është përkrahur nga pensionistët. Disa dhjetëra pensionistë protestuan ditën e djeshme para selisë qeveritare duke i kërkuar kryeministrit të vendit, Sali Berisha të reflektojë ndaj kësaj kërkese dhe të marrë vendim për të pajisur falas kategorinë e pensionistëve me karta identiteti.
Kërcënimi
Të moshuarit kërcënuan se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet. Vetëm dy ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama argumentoi për të disatën herë se qeveria po i heq të drejtën e votës shumë qytetarëve që nuk kanë mundësi ta blejnë atë dhe kërkoi heqjen e asaj që e konsideroi taksa e votës. Pajisja pa pagesë e moshës së tretë me karta identiteti është përkrahur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por megjithë kërkesat e vazhdueshme të dy partive më të mëdha opozitare, qeveria deri tani nuk ka marrë asnjë vendim për pajisjen e moshës së tretë me karta falas. Të moshuarit protestuan para kryeministrisë me rastin e 7 prillit, ditës së pushtimit të vendit nga forcat fashiste. Përveç kërkesës për pajisjen falas me karta, pensionistët kanë shprehur edhe disa pakënaqësi të tjerë ndaj qeverisë aktuale. Ata janë kundër dekorimeve të fundit të bëra nga presidenti i vendit, Bamir Topi, heqjes së bustit të 5 heronjve të vigut nga sheshi në Shkodër, si dhe rritjes së papërfillshme të pensioneve.
Ndryshimet
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së tij të fundit vendimin që përcakton se në rast se punonjësit e gjendjes civile lejojnë aplikimin e shtetasve me pasaportë brenda kësaj periudhe, kostoja e aplikimit i ngarkohet punonjësit të gjendjes civile. Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në vendimin për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik që kanë të bëjnë me përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Në bazë të ndryshimeve të miratuara, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë fillon në datën 1 maj 2009. Nga ky rregull përjashtohen ata që kanë aplikuar brenda datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja do të vazhdojë rregullisht. Ndërsa në njësitë e qeverisjes vendore, ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, procedura e aplikimit për shtetasit që disponojnë pasaportë do të fillojë më 1 qershor 2009. Nëse nga grupet e monitorimit vërehen, gjatë aplikimit, shkelje të afateve e të procedurave, të parashikuara në këtë vendim, nga punonjësit përkatës të zyrës së gjendjes civile, për shtetasit që disponojnë pasaportë, kostoja e aplikimit do t’i ngarkohet punonjësit.

Tërhiqet qeveria, karta falas për të verbrit dhe tetraplegjikët

Kartat e identitetit do të jenë falas për para dhe tetraplegjikët dhe për të verbrit. Gjatë një konference për shtyp ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka bërë të ditur dje se kartat e identitetit do të jepen pa pagesë për para dhe tetraplegjikët dhe për të verbrit. Ndërsa për të gjithë të moshuarit të cilët kanë pension minimal çmimi i kartave do të jetë 300 lek, ndërsa për studentët, personat që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe për ata që deri më datën 28 qershor mbushin 18 vjeç, të cilët votojnë për herë të parë çmimi i kartave do të jetë 200 lek. Gjatë deklaratës së tij ministri Nishani nënvizoi edhe faktin se personat që kanë një pasaportë nga data 1 prill e deri me 1 maj nuk do tu lejohet të aplikojnë për kartë, pasi do tu jepet përparësi personave të cilët nuk kanë pasaportë.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›