Arsimtarët: Po shtohen rastet e dhunes në arsimin 9-vjeçar
Jonida Tashi
Shtohen rastet e dhunës në shkolla, në arsimin bazë. Shqetësimi këtë herë ngrihet nga vetë mësuesit, të cilët, ashtu si dhe nxënësit, janë të rrezikuar nga kjo dhunë. Realiteti tregon se përballë kësaj situate, më të kërcënuar janë nxënësit e sjellshëm dhe të urtë, të cilët, përveç shuplakës së mësuesit, mund të dhunohen edhe nga bashkëmoshatarët e tyre.
Shkollat
Shkollat 9-vjeçare janë më të zbuluara ndaj sjelljeve agresive dhe dhunës së nxënësve. Pavarësisht se mund të ekzistojë përshtypja e shfaqjeve më të shpeshta të këtyre sjelljeve mes nxënësve në gjimnaz, në realitet vërtetohet e kundërta. Sipas përfaqësuesve të arsimit, sjelljet e dhunshme janë më të shpeshta në arsimin bazë 9-vjeçar. Këtë arsimtarët e argumentojnë me faktin se duke qenë se arsimi 9-vjeçar është i detyrueshëm, nxënësit i frikësohen shumë pak faktit se mund të përjashtohen nga shkolla. Gjithashtu, një faktor tjetër, sipas tyre, që ka ndikuar në rritjen e fenomenit të dhunës në shkolla, është se ndëshkimet që paraqet rregullorja për këtë hallkë arsimore janë më të buta. Sipas drejtorit të gjimnazit “Sami Frashëri”, Jovan Kristiqi, kalimi i klasave të nënta në arsimin bazë e ka vështirësuar këtë situatë.
Mosha
Fakti që mosha 14-15-vjeçare është shpërthimi i sjelljeve adoleshente, bën që nxënësit e kësaj moshe të mos i nënshtrohen dot një rregulloreje më të zbutur, siç është ajo e arsimit të detyruar. Të gjendur në këtë situatë, një punë tejet e vështirë me brezin e ri u ngelet për të bërë arsimtarëve, të cilët pranojnë rastet e dhunës mes nxënësve, apo dhe sjelljet agresive ndaj mësuesve në klasë e jashtë saj. Arsimtarët pranojnë se në çdo kohë, e jo vetëm në vitet e tranzicionit, nxënësit e vështirë e problematikë kanë ekzistuar. Ajo që bën dallimin mes së shkuarës dhe aktualitetit janë modelet që tashmë të rinjtë kanë mundësinë t’i marrin shumë lehtë, po ashtu qarkullimi i pakontrolluar i armëve. Viktimë e këtyre kornizave ka mbetur vetëm një ditë më parë 14-vjeçari M. M., i cili u plagos në klasë nga bashkëmoshatari i tij me një armë zjarri. Tashmë fenomeni i dhunës në shkolla ka dalë jashtë kontrollit të dikasterit të Arsimit. Drejtues të këtij dikasteri, në raste të tilla, shfaqen me kokë të ulur para opinionit të gjerë publik dhe deri sot nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë kësaj dhune. Madje jo vetëm kaq, por problemi thellohet edhe më tepër kur në ligjin për arsimin parauniversitar në vend nuk ekziston asnjë sanksion për dhunën në shkolla.
Sanksione për nxënësit, vetëm për mungesat
Të vetmet sanksione për nxënësit thjesht të shkruara në letër, të përfshira në ligjin për arsimin parauniversitar, janë ato që kanë të bëjnë me gjobitjen e tyre për mungesat në shkollë. Me gjithë përcaktimet e bëra në ligj për gjobitjen për mungesat, realiteti ka treguar se edhe këto sanksione kanë mbetur të pazbatuara. Kështu, sipas ligjit të arsimit parauniversitar, kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë ose e braktisin atë, prindërit e tyre dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë, si vijon:
Kur nxënësi mungon në mësim pa arsye 30-50 për qind të kohës në dy muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 1 mijë deri në 3 mijë lekë dhe, në rast përsëritjeje gjatë po atij viti, gjoba bëhet 5 mijë lekë.
Kur nxënësi mungon në mësim pa arsye mbi 50 për qind të kohës në dy muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 5 mijë deri në 7 mijë lekë dhe, në rast përsëritjeje gjatë po atij viti ose braktisje të shkollës, gjoba bëhet 10 mijë lekë.
Vendimi i gjobës jepet nga kryetari i bashkisë apo i komunës, sipas propozimit të drejtorit të shkollës. Kundër vendimit të gjobitjes mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja.
Përjashtohen nga gjoba ata prindër, fëmijët e të cilëve janë regjistruar në një shkollë shqiptare a të huaj, brenda vendit, me kusht që të paraqesin dokumentin e regjistrimit pranë drejtorisë së shkollës në vendbanimit të tyre.
Përjashtohen nga gjoba ata prindër, fëmijët e të cilëve janë të regjistruar në një shkollë jashtë vendit.
8 Prill 2009