E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, praktikë verore dhe punësim tek Ujësjellësi



Studentët më të mirë të Inxhinierisë së Mjedisit dhe Hidroteknikës do të kenë mundësi të punësohen në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve. Vetëm një ditë më parë, Ministria e Arsimit dhe Shoqata e Ujësjellës-Kanalizimeve nënshkruan për të tretin vit radhazi marrëveshjen që i ofron mundësi praktikimi gjatë sezonit të verës studentëve të Inxhinierisë së Ndërtimit pranë Politeknikut. Sipas marrëveshjes, studentët e vitit të katërt dhe të pestë të Inxhinierisë së Mjedisit dhe Hidroteknikës, gjatë sezonit të verës do të kenë mundësi të praktikohen në terren nga specialistë të Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, duke u njohur kështu nga afër me sistemin e ujësjellësit. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Ferdinand Petrela, bëri të ditur se mendohet të ketë dhe një seleksionim të studentëve me arritje më të mira gjatë praktikës, të cilëve do t’u ofrohen vende pune në Ndërmarrjen e Ujësjellësit. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, e pranishme gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, u shpreh: “Është një ndihmesë dhe një bashkëpjesëmarrje në krijimin e kompetencave të studentëve të sektorëve veçanërisht të rëndësishëm, siç është seksioni i kuadrove të rinj që kualifikohen dhe diplomohen dhe që do të punojnë në fushën e kanalizimeve, në fushën e ujësjellësve, përgjegjësitë në fushën e hidroteknikës, hidraulikës apo të mjedisit”. Përveç marrëveshjes për studentët, me Shoqatën e Ujësjellësit është nënshkruar edhe një marrëveshje e dytë, për sistemin parauniversitar. Ky është i treti vit radhazi që programi “Miqtë e ujit” gjen mbështetjen e shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme. Drejtori i Ujësjellësit, Ferdinand Petrela, bëri të ditur se janë aktivizuar rreth 80 shkolla 9-vjeçare me një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish, rreth 6 mijë nxënës. Sipas tij, ky është një nga programet që ka dhënë rezultate dhe është një nga pesë programet më të mira të cilat kanë dalë jashtë Shqipërisë, përzgjedhur edhe nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›