Në gjyq mashtruesja me vizat amerikane
TIRANE - Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj të akuzuarës për mashtrim Hanëme Shandori. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se dosja penale me nr. 2356 është dorëzuar me të gjithë provat në Gjykatën e Tiranës, ku pritet të fillojë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarës për mashtrim me viza qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me punësim në Ambasadën Amerikane në Tiranë. E pandehura 52-vjeçare e dosjes penale, Hanëme Shandori ra në prangat e policisë në gusht 2008 pas dhjetëra denoncimeve të bëra në polici nga personat e mashtruar prej saj. Duke u premtuar viza për në SHBA apo punësim në ambasadën amerikane në Tiranë, Hanëme Shandori u merrte qytetarëve shuma deri në 2 mijë euro dhe më pas ndërpriste çdo kontakt me ta, duke mos përmbushur premtimin e dhënë. Prokuroria tha se gjatë fazës së hetimeve e pandehura pranoi se ka marrë para nga disa persona, por ka pretenduar se i ka kthyer ato, pasi nuk kishte arritur të nxirrte viza apo të siguronte punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë për personat e interesuar. Në gusht 2008 kur e dyshuara ra në pranga, në policinë e Tiranës ishin dokumentuar katër raste denoncimesh nga qytetarë të ndryshëm, por pas kapjes së 52-vjeçares kallëzimet ndaj saj u shtuan, duke ndihmuar kështu zbardhjen e aktivitetit të mashtrimit nga e moshuara. Prokuroria tha se rrezikshmëria shoqërore e krimit të kryer nga 52-vjeçarja është konsideruar e lartë dhe për këtë shkak ajo është hetuar në gjendje arrest me burg. Në gjykatë pritet të japin deklarime gjatë procesit më tepër se shtatë persona të dëmtuar nga mashtrimet e 52-vjeçares. t.s