E Diel, 1 Nëntor 2026

Maifredi: ‘Calciopoli‘, komplot kundër Juves

Luixhi Mainfredi, ish-trajneri i Juventusit në sezonin 1990-‘91, ka rikthyer "Calciopoli"-n si temë të aktualitetit. "Skandali i vitit 2006? Ishte një komplot kundër klubit bardhezi", tha ai për radio "R2", në emisionin "Të gjithë të çmendur për Juventusin". "Moxhi dhe Xhiraudo kishin blerë Xherard dhe Kristiano Ronaldon. Ishin hedhur bazat për dominimin e bardhezinjve të paktën edhe për 20 vitet e ardhshëm. Kjo detyroi njerëz të caktuar që të sajonin një skandal, në mënyrë që ta ‘vrisnin‘ këtë skuadër. Pronarët e rinj të Juves ishin bashkëfajtorë. Më thoni, kur keni dëgjuar ndonjëherë që avokati mbrojtës t‘i kërkojë gjykatësit dënim më të ulët, ende pa u dhënë vendimi". Më pas edhe "shigjetat" për trajnerin Ferrara: "Ai ishte një lojtar i madh, por puna e trajnerit është diçka krejt e ndryshme. Mendoj se ai nuk ishte i gatshëm për një ekip si Juventusi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›