E Diel, 1 Nëntor 2026

"Magazina pa inventar" e kinemasë

Nuk duhet lejuar një lloj "aksidenti", apo pakujdesie në tagrin historik që i duhet vënë kineastit Gëzim Erebara. Nuk vihet në diskutim dimensioni historik i tij në artin shqiptar, por duhet saktësuar se ku specifikisht, në mënyrë që e ardhmja mos tregohet e kursyer e në stendat e memories së kombit, e emri i tij mos jetë i cungët, një handikap ky karakteristik për shumë e shumë dobidhënës në kulturën kombëtare. Dje, figura e Gëzim Erebarës si kineast, u kujtua me një kolazh të filmave të tij, si dhe nga rrëfimet e miqve e kolegëve që punuan me të në vite. Dje, ai kishte 80-vjetorin e lindjes, që nuk e arriti dot për një vit, pasi ndërroi jetë shkurtin e 2007-ës. Por, për të urtin Erebara (kush e ka njohur nga afër, nuk besoj se është kundër cilësorit "i urtë"), do ia vlente dhe një "qokë" tjetër më e madhe se ajo e djeshmja: përkujtimi i faktit se prej tij, erdhi në shqip për herë të parë kryevepra botërore, "Ushtari i mirë Shvejk" i Jarosllav Hashekut, aty nga fillimi i viteve ‘60. Pra, prej Gëzim Erebarës, shqiptarët njohën figurën madhështore të Shvejkut, atë të Palivecit, kapelanit Oto Kac; njohën nëntoger Dubin hajvan dhe Vogjiçkën antihungarez të tërbuar, kadetin Marek cinik e gjellëbërësin okultist, Jurajda; njohën të pangopurin Balaun dhe Kunertin budalla, shkruesin e kompanisë Vanjek e kapiten Sangerin e sa e sa personazhe fantastike, produkt i një imagjinate po aq fantastike, të cilën vetëm mjeshtëria e përkthimit të Erebarës, arriti ta sillte aq shijueshëm në shqip, si të ishte pjesë e natyrshme e përditshmërisë sonë. E solli të përkthyer nga çekishtja, me një shqipe shqeto fare, duke pasur shansin e mosvënies ende të kufijve në gjuhë, jo thjesht nga kongresi drejtshkrimor i 72-it. Më pas, Shvejku u kreh; iu nënshtrua një kremi mbi fytyrë dhe e veshën paksa shik (duke u censuruar gjuhësisht), e kjo vetëm sa ia shtoi vlerën përkthimit të parë të Erebarës ngase edhe pse për portretin e perandorit në lokalin e Palivecit, shkruhej se "e kanë ndyrë mizat", sërish e përjetësisht mbeti si "portreti që e kanë dhjerë mizat".

Por dje, u fol më së shumti për Gëzim Erebarën kineast. Arkivi Qendror i Filmit që kishte përgatitur aktivitetin nw bashkëpunim me MTRKS-në, ofronte dhe një botim modest për nga faqet, por tejet luksoz në cilësi, kushtuar karrierës së Erebarës si regjisor, ku ishin përmbledhur të gjithë filmat e tij. U shfaqën aty: "Guximtarët", një film që ka pasur si protagonist bankierin e njohur, Artan Santo, që luante rolin e Ilir Gjinarit, djalit bullafiq e çun mamaje, që shpotitej nga shokët për natyrën e tij të fjetur e llupse; "Në fillim të Verës", filmi që fitoi kupën e Festivalit të Filmit në vitin 1976, me figura të paharrueshme si xha Jaho, Shpëtimi, Tenente Gurabardhi, Kaporal Pelegrini etj., "Pylli i Lirisë" me Vlashin, Kovin, Lenën, Ibrahim Beun e At Theodhorin; "Vajzat me kordele të kuqe" me Marije Gajtanin, Jeta Duron, sinjora Mançinin e zonjën Kavalero; "Përtej mureve të gurta" me Asimenë e vogël, Ramizin e Nerimanin; "Fushë e blertë, fushë e kuqe" me Petritin, Filipin e Pavonin, si dhe filma të tjerë, pa llogaritur dhe dokumentarët e shumtë që janë po ashtu pjesë e fondit të artë të kinemasë shqiptare që mbajnë firmën e Gëzim Erebarës.

Ai i përkiste plejadës së studentëve që u formuan në shkollat e lindjes në vitet ‘50-‘60, shkolla arti, me të cilat dhe Perëndimi ka punuar për shumë vite, duke u mbajtur si modele perfekte për disa gjini. Erebera i përkiste asaj çeke, nga e cila dolën dhe ata që mund të konsiderohen themeluesit e kinemasë shqiptare. Nga ai njihet shprehja acide se "Enver Hoxha", ka më pak kulturë se një qytetar i mesëm cek". Për këtë arsye, ai do kthehej forcërisht nga Praga, pa arritur t‘i përfundonte studimet. Por kjo nuk e pengoi të ishte një ndër etërit e kinemasë, jo aq për realizimet si regjisor, sesa për zotërimin në detaj të historisë së kinemasë e një kulturë të gjerë, për të cilën do të pagëzohej si "magazinë pa inventar".

Gëzim Erebara, ishte djali i një familjeje tregtare që u vendos në Tiranë rreth viteve ‘30, për shkak të gjenocidit etnik në ish-Jugosllavi. Për studime në Çeki shkon në 1948 e kthehet më 1952. Fillimisht, u angazhua si aktor e regjisor në teatrin amator dhe në atë të ushtrisë. Më pas, në vitin 1957 fillon punë në kinostudion "Shqipëria e Re", ku punon asistent përkrah regjisorëve Kristaq Dhamo, Viktor Gjika e Dhimitër Anagnosti. Në këtë pozicion, do të firmoste në filma si "Tana", "Furtuna", "Debatik" e "Toka Jonë". Ndërsa filmin e parë si regjisor e realizon në vitin 1967, "Ngadhënjim mbi vdekjen", së bashku me Piro Milkanin dhe ai një çek në formim. Ky film i cili për dy dekada u ndalua të transmetohej për shkak të prezencës aty të Edi Luarasit, ka regjistruar një rekord shikueshmërie në Kinë e në disa vende komuniste të Lindjes së Largët, me mbi 100 milionë shikues të regjistruar zyrtarisht. Ndërsa me filmin e dytë "Guximtarët", Gëzim Erebara, shënon të parin realizim të pavarur në kinemanë shqiptare. Me të tretin film, "Në fillim të verës", fiton një kupë festivali. Ndërsa më filmin pasardhës, "Pylli i lirisë", ai përjetoi një ndër paradokset më të mëdha të ish-regjimit komunist, dënimin e kalit të Petrit Dumes, me degdisje në një fshat të Përmetit dhe me prerje të krifës. Në rastin e filmit, atij kali, që njihet dhe si kali i Vlashit, krifa i është vënë me anë të një truku special.

Gëzim Erebara është dhe realizuesi i të parit dokumentar shqiptar me ngjyra. Fjala është për "Gurët dekorativë" që i përket vitit 1962.

Dje, shumë u thanë për të. Kineastë, aktorë, kolegë të një kohe jo fort të largët, sollën kujtime dhe i dhanë sërish frymë pranisë së tij. Ndaj Gëzim Erebara nuk mund të thuhet mungonte në 80-vjetorin e lindjes. Pamundësia për të ardhur në ceremoni, ishte gati e pandjeshme...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›