Salman Rushdie: Letërsia më ka shpëtuar jetën
Rrëfimet e tij shtrihen sa në domenin e realitetit, aq edhe në atë të magjisë. Janë thuajse 30 vite punë dhe dhjetë romane. Ndër më të famshmit, ndoshta jo aq për nga vlera, sesa nga reagimi që shkaktoi kur u botua, është "Vargjet Satanike". Në faqet e librave të tij ka futur dhjetëra personazhe, disa realë e disa të ëndërrt. E megjithatë, ky mjeshtër i madh i fantazisë dhe krijimit nuk ka shpëtuar së qeni vetë, shpesh, një personazh për rrëfimet e të tjerëve. Ka qenë djalli, gastori, monstra e ndonjëherë, rastësisht, edhe heroi. "Ndonjëherë mendoj se kur njerëzit fitojnë famë, te të tjerët krijohet një perceptim se ata rreshtin së qeni qenie njerëzore, se nuk kanë më ndjenja, nuk lëndohen dhe se me ta mund të bësh çfarë të duash. Me pak fjalë ata shndërrohen në sende", thotë shkrimtari. Ai është i famshëm në shumë vende të botës, por veçanërisht në atdheun e dytë, Britaninë e Madhe. Tashmë është shndërruar në një personazh shpesh edhe mondan që përzihet e jep jo pak gjykime për politikën, mënyrat e jetesës e të tjera aspekte të jetës. "Gjatë 30 viteve të mia të fundit, kur i jam kushtuar me mish e me shpirt letërsisë, kam pasur një jetë shumë intensive krijuese. Ajo çka në fund të fundit kam bërë është që të nxjerr më të mirën e shkrimtarit që ndodhet në gjenin tim". Në vitin 1989, ai mori një kërcënim për vdekje nga qeveria iraniane për librin e tij "Vargje Satanike", në të cilin përmendej Profeti. Ky kërcënim e bëri edhe një personazh botërisht të njohur, shumë më shpejt se veprat e tij. Veç lëvrimit personal të letërsisë, Rushdie ka edhe aftësinë e jashtëzakonshme të të qëmtuarit të talenteve të reja letrare, të cilat i promovon në një festival të posaçëm në Nju Jork. Në të, shumë autorë të rinj, të zbuluar e të mbështetur prej Rushdie-i që në fillim kanë mundësinë e paraqitjes dhe komentit të veprave të tyre. Një pjesë të mirë të kohës së lirë e kalon me miqtë e tij, shkrimtarët Umberto Eco dhe Mario Vargas Llosa, me të cilët bën edhe projekte të ndryshme letrare. Rushdie gjen kohën për të dhënë edhe mësim, një muaj çdo vit në një universitet amerikan. "Është jashtëzakonisht sfiduese të jesh i ulur në një klasë me 16 studentë inteligjentë dhe të talentuar, të cilët flasin me pasion për librat dhe për krijimtarinë letrare". Po çfarë është letërsia për shkrimtarin me origjinë indiane e me shpirt kozmopolitan? "Për mua, shpesh ka qenë një mjekim, ilaç. Viti i kaluar ishte i tmerrshëm dhe i dhimbshëm, sepse gjatë ditëve të tij i dhashë fund martesës", thotë Rushdie, i cili është martuar 4 herë, dhe, së fundi me modelen, aktoren dhe prezantuesen televizive Padma Lakshmi. "As tani nuk e kuptoj se si arrita të zhytem e të humbas në librin tim të fundit, që e kam shkruar gjatë ditëve të krizës. Kur të ndodh një dramë, shpesh nuk e di se sa kohë do të duhet të kalojë para se të kthehesh në një situatë normale. Shkrimi i librit të fundit më tërhoqi nga gjendja e depresionit dhe më futi në botën e tij, brenda së cilës unë thura e ngjiza personazhe, situata, ngjarje që më bën të harroj të miat, e kështu ta kaloj të keqen e ta lë atë pas. Ky libër më ka shpëtuar jetën, siç kanë bërë pak a shumë të gjithë librat e tjerë të shkruar në momente të ndryshme të ekzistencës sime. Ai më risolli në mendje njeriun që gjithmonë kisha dashur të isha dhe që deri në njëfarë shkalle, mendoj se jam. Në fund, kur e nxora në dritë, u ndjeva njëherazi i lehtësuar, por edhe krenar. Kisha punuar mirë", thotë autori. "Magjistarja e Firences", vepra e fundit, e ka rikthyer shkrimtarin në rrënjët e talentit dhe profesionit të tij. Që nga libri "Fëmijët e mesnatës", i vitit 1981 deri te "Klouni Shalimar", i vitit 2005, e gjithë puna e tij letrare iu përkushtua eksplorimit të copëzave të historisë, të para nga një këndvështrim artistik. Ai është marrë me mitet, kujtimet, rrëfimet e pavërtetuara, por që kanë mbetur më të gjalla e më të forta se vetë faktet, dhe për më tepër janë trashëguar në vazhdimësi. Puna e tij është shprehur herë përmes këndvështrimeve tragjike, herë përmes humorit dhe shpesh me një fantazi të shkëlqyer e imagjinatë tejet të pasur. Shkrimtarit i pëlqen shumë të lidhë faktet me mosfaktet, të qenën me të paqenën. Romani i fundit prek dy sektorë të së shkuarës: fillimin e viteve ‘500, në Firence, dhe fundin e shekullit 16-të në një zonë të Indisë. Pra kemi Indinë dhe Italinë që "përqafohen" në një përrallë civilizimesh të ndryshme. Libri paraqet fytyrat e dy llojeve të ndryshme rilindjesh. Dy lloje humanizmi dhe sigurisht, meqenëse po flasim për Rushdie-n, dy lloje magjish. Përmes alkimisë narrative të tij, një grua, "princesha e fshehur", Qara Koz, përcjell të gjithë ngjarjen e librit, që është lëvizja e saj nga një oborr mbretëror në tjetrin, gjithmonë në rrugëtim drejt Perëndimit. Vepra është si një "martesë" e Lindjes me Perëndimin dhe ekzotikes me modernen. Një prirje të tillë e gjen shpesh në librat e shkrimtarit. Ai thotë se një nga surprizat e tij të kahershme, kur merret me tema të tilla civilizimesh e botësh të ndryshme, është ngjashmëria befasuese që ato kanë, edhe pse në dukje duket sikur kulturat e ndryshme i përkasin botëve që nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. "Kjo është arsyeja që nuk ka asnjë çudi brenda historisë sime, në të cilën një princeshë indiane luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në Rilindjen Italiane. Teksa shkruaja mendoja: janë dy botë që kanë shumë pak lidhje njëra me tjetrën, dhe, megjithatë, kanë aq shumë gjëra të përbashkëta. Sa më shumë që gërmoja për to, aq më shumë më shfaqeshin të njëjta shpirtërisht: interesi që kishin ndaj magjikes, hedonizmi, e njëjta tendencë hapjeje ndaj kulturave të tjera. Sipas një thënieje, "Firencja ndodhet kudo dhe çdo vend është Firence". Rushdie shkruan shpesh për marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit, duke qenë se vetë ndihet me këmbët e hapura e të shtrira mes këtyre dy zonave gjeografike, kulturore, zakonore, njëherazi. "Jam munduar gjithnjë që të eksploroj ndryshime dhe të përbashkëta, e mbi të gjitha, mundësinë e bashkëjetesës së paqtë mes të ndryshmëve. Për sa i përket librit të famshëm ‘Vargjet Satanike‘, ai është një roman që ka të bëjë me emigracionin, por në një pjesë të mirë të veprave që e kanë pasuar jam munduar që të tregoj se sa të lidhura janë realitetet që duken kaq të ndryshëm. Nuk jam përpjekur të them se janë identike, por jam i bindur se natyra njerëzore është identike. Është shumë interesante të shohësh se si njerëzit mendojnë, veprojnë e ndjejnë në cepa të ndryshme të botës, në mënyra shumë- shumë të ngjashme. Nuk jam relativist. Besoj te një tërësi që quhet ‘natyra njerëzore‘ dhe te fakti se gjërat që na bashkojnë ne banorëve të planetit janë më të shumta se ato që na ndajnë", thotë shkrimtari. Kështu, në libër, i famshmi Nikolo Makiaveli është në kërkim të "të vërtetave të fshehura" në lidhje me shoqërinë, politikën, për ato të vërteta që fshihen pas doktrinave zyrtare. Dy gjenerata më pas, në një shtet indian, Perandori Akbar ëndërron dhe projekton një largim nga Islami në të mirë të krijimit të një besimi më njerëzor, i cili vendos njeriun në qendrën e tij, e jo Zotin". Sipas Rushdie-t, një pjesë e madhe e asaj që ai përshkruan e rrëfen, ka ndodhur me të vërtetë. Kështu, për shembull, nga hulumtimet e tij, Perandori Akbar ishte një njeri shumë i hapur që organizonte mbledhje e takime njerëzish të ditur, për të rrahur debate për çështjet ekzistenciale të të gjitha kohërave si tolerancën, natyrën e Zotit dhe marrëdhëniet e tij me njeriun, kuptimin e jetës dhe arsyen e vdekjes e të tjerë. Sipas Rushdie-t, Perandori nuk doli nga Islami, përkundrazi, ai u përpoq që të gjente dhe ia arriti që të gjente të përbashkëtën në të gjitha fetë. Sipas tij, të gjitha fetë janë nga i njëjti brumë. Po si punon Rushdie në libra që kanë shumë histori e personazhe historikë brenda tyre. "Kur jam duke shkruar një libër të tillë, fjali pas fjalie, nuk mendoj në mënyrë teorike. Thjesht ndërtoj një histori nga mbresat dhe njohja që kam me personazhe të ndryshëm. I lë ata të lirë që të marrin jetë në fantazinë time dhe shpesh ata tjetërsohen e ndryshojnë nga njohja ime fillestare, por kjo e imja është krijimtari që ka edhe elementë artistikë. Unë nuk nisem nga impulse didaktikë. Impulset e mia janë ato të një shkrimtari: të sjell histori në mënyrë sa më interesante. Nuk më pëlqejnë librat që japin mësime dhe duan të mësojnë të tjerët, çka nuk do të thotë se nga veprat, romanet veçanërisht nuk mund të mësosh shumë. Dallimi është se të mësuarit bëhet në mënyrë origjinale, personale, pa dhunë". Për shumë nga ata që nuk e pëlqejnë, Rushdie është një përzierje e Drakulës dhe mitikut Makiaveli. Megjithatë, ai shkruan në më të shumtën e rasteve si Perandori Akbar, duke rrëfyer përmes veprave të tij se "natyra njerëzore dhe jo vullneti hyjnor janë forcat e mëdha që vënë në lëvizje historinë".