Magic 4 prish qetësinë e natës me muzikën e lartë
Një makinë e policisë bashkiake dhe patrulla e policisë së rendit ndodheshin pranë lokalit dhe nuk kanë ndërhyrë
TIRANË- Qetësia e brishte e vendosur për disa ditë me radhë rrugëve të bllokut gjatë natës është prishur dje nga një lokal i vetëm, i cili ka preferuar që të mbajë muzikën e lartë deri në orën 04.30 të mëngjesit. Lokali "Magic 4" ishte i vetmi në zonën e bllokut që nuk respektoi orarin e vendosur nga autoritetet, 23.00 dhe për më tepër nuk ka respektuar asnjë nga normat e vendosura për nivelin e zhurmave.
Zhumat kanë nisur që në orën 23.30 të mbrëmjes të së premtes dhe nuk kanë pushuar për asnjë sekondë deri në orën 04.30 të së premtes. Muzika e lartë e lokalit është shoqëruar edhe nga zhurmat e njerëzve që preferonin të flisnin me zë të lartë edhe kur ndodheshin në rrugë. Zhurmat e larta shtoheshin edhe më shumë në momentet që hapej dera e lokalit.
Por gjatë gjithë kohës, përballë lokalit, ka qëndruar një makinë e policisë bashkiake. Makina me numër 22 dhe targë "TR 8108R" me dy policë brenda ka vëzhguar lokalin "Magic 4" nga ku vinin të gjitha llojet e zhurmave. Efektivët e policisë bashkiake nuk kanë ndërhyrë në asnjë rast. Ata kanë zbritur shpesh herë nga makina duke qëndruar në rrugë për të "dëgjuar" muzikën. Në këtë zonë kanë kaluar disa herë edhe efektivët e policisë së rendit. Patrulla e policisë ka vazhduar rrugën e saj pa ndaluar asnjë sekondë në lokalin që prodhonte zhurma disa herë më shumë se sa norma e lejuar.
Edhe pse në këtë rast përballë lokalit që prodhonte ndotje akustike ndodheshin përfaqësuesit e policisë bashkiake dhe asaj të rendit, asnjë prej institucioneve nuk ka marrë mundimin për të ndërhyrë. Banorët kanë denoncuar disa herë nivelin e lartë të zhurmave por përballë indiferencës së policisë bashkiake dhe asaj të rendit, edhe ata vetë janë tërhequr nga kjo luftë.
Ndërkohë në rrugicat e tjera të bllokut situata është paraqitur shumë më e qetë. Lokalet kanë respektuar oraret e vëna nga bashkia dhe janë mbyllur përpara mesnatës. Edhe niveli i zhurmave të shkaktuara prej tyre nuk ka qenë shumë i lartë.
E njëjta situatë është paraqitur edhe në zonën përballë parlamentit ku lokalet kanë qenë të qeta. Zhurmat e shkaktuara prej tyre kanë qenë në nivele shumë herë më të ulëta se sa javët e kaluara.