"Pronarët kanë hallin e fitimeve e jo të njerëzve"
Muzika e lartë e lokaleve të natës është vetëm njëra anë e shqetësimeve të banorëve. Pas saj vendin e zë zhurma e motorëve apo makinave të klientëve. Pothuajse të gjithë banorët e zonës së ish-bllokut të pyetur nga "Shekulli" kanë pohuar se prej vitesh nuk arrijnë të flenë një natë të qetë Frederiku është një banor i cili e ka humbur besimin se ky problem mund të zgjidhet ndonjëherë. Madje ai nguron të thotë edhe emrin e plotë pasi pronarët e lokaleve ose truprojat e tyre mund ta dëmtojnë.
Z. Frederik ju jetoni në një pallat në katin e parë të të cilit ndodhet një lokal nate. A ju shqetëson muzika që luhet aty?
Po të mos ishin zhurmat e motorëve të klientëve ndoshta do më shqetësonte. Por këto e bëjnë muzikën të duket ku e ku më mirë. Të mos flasim pastaj edhe për fjalorin e pisët të njerëzve që vijnë në. Ata bërtasin dhe ulërasin sikur të jenë në stadium. Në një dy apo në dy të natës fillojnë të ndezin motorët e të bëjnë zhurmë dhe këtë e quajnë kënaqësi. Për ne është një çmenduri, jemi bërë të ikim nga shtëpia.
Jeni përpjekur të gjeni një zgjidhje për këtë problem?
Policia Bashkiake apo Policia e Shtetit, nuk po i jep një zgjidhje këtij problemi, sepse këta ia hedhin fajin njëri- tjetrit. Policia e Shtetit thotë që është nën varësinë e policisë bashkiake dhe ne banorët në jo pak raste kemi tentuar vetë ta zgjidhim këtë problem. Pronarët e lokaleve nuk duan t'ia dinë për këtë gjendje, pasi shikojnë vetëm fitimin nga aktiviteti i lokalit.
Muzika ka pushuar për pak kohë për të rinisur sërish me volum të lartë
"Ne duam vetëm qetësi "
Gëzimi banon në një apartament në rrugën "Dëshmorët e 4 shkurtit". Shqetësimi i tij është i njëjtë me atë të gjithë banorëve në këtë zonë. Muzika e lartë që vjen nga lokalet e shumtë që janë vendosur në katet e para të pallateve. Ai tregon se mbrëmjet e fundit të javës është e vështirë të gjesh pak qetësi.
Ju shqetësojnë baret dhe lokalet që ndodhen poshtë apartamentin tuaj?
Sigurisht që po. Muzika këtu është shumë shqetësuese. Deri në orët e para të mëngjesit kjo punë është. Sidomos në fundjavë mbrëmjet këtu janë të padurueshme, duke filluar që nga e enjtja, të premten e të shtunën volumi i muzikës është në kupë të qielli. Ne e kuptojmë që janë të rinj dhe kanë dëshirë të dëfrehen , por çdo gjë ka rregulla. Nuk mund të sakrifikojmë qetësinë tonë.
A jeni ankuar diku për këtë shqetësim?
Kemi marrë në telefon policinë bashkiake dhe atë të rendit. Për disa ditë muzika pushoi, ishte më qetë. Tani ka filluar prapë nuk e di se si do zgjidhe kjo situatë. Ne duam vetëm qetësi.
"Mirë zhurmat por edhe lokalet e basteve"
Është një problem i përhershëm. Poshtë pallatit tim është një lokal bastesh dhe gjithë kohën dëgjohen zhurma. Në çdo orë dëgjojmë numrat 1, 2 etj. Edhe pasdite kur kthehemi nga puna e duam të pushojmë nuk ka qetësi. Gjithë kohës dëgjojmë numra. Sikur të ishte muzikë të paktën do të na dëgjonin diçka të bukur veshët.
Pronarët na thonë: Kemi dalë për të punuar
L. Abazi, banon në rrugën "Gjin Bue Shpata" dhe pranë banesës së saj ndodhet një lokal që mban tërë natën zhurmën e lartë. Ajo shpjegon se banorët kanë folur me pronarët e lokalit por përgjigjja që kanë marrë ka qenë negative.
Vazhdon muzika e lartë e lokaleve gjatë natës?
Lokalet vazhdojnë të na shqetësojnë deri në mëngjes. Që nga koha kur është ngritur si shqetësim nga gazeta "Shekulli" e deri sot (dje) shumë pak ka ndryshuar situata në favorin tonë. Unë jetoj në një apartament në Rrugën "Gjin Bue Shpata", pranë Urgjencës së Tiranës dhe pranë shtëpisë ndodhet një lokal që punon dhe gjatë natës. Zhurmat që dëgjohen janë shqetësuese, por ne jemi mësuar tashmë në atë gjendje. Pothuajse gjatë gjithë verës kemi patur këtë shqetësim dhe nuk kemi gjetur një formë për të zgjidhur hallin tonë.
Janë ankuar banorët për këtë?
Banorët janë ankuar disa herë, por muzika vazhdon gjithë natën. Kur ne ankohemi ajo mund të pushojë për dhjetë minuta apo për një gjysmë ore, por jo që të mos ekzistojë më si problem. Edhe me pronarët e lokaleve kemi folur, por ato na thonë që ne kemi dalë për të punuar.
"Tre muaj pa vënë gjumë në sy"
Hyzi. K, banues në Rrugën "Pjetër Bogdani" tregon stresin e përjetuar gjatë të gjithë verës nga zhurma e lartë e lokaleve.
Vazhdon muzika e lartë e lokaleve gjatë këtyre ditëve?
Muzika vazhdon akoma, por jo siç ka qenë gjatë verës. Ne për tre muajt e verës nuk kemi vënë gjumë në sy. Edhe tani të shqetësuar jemi sepse muzika dëgjohet me zë të lartë. Para një jave punon deri në pesë të mëngjesit, ndërsa tani sikur e kanë ulur pak aktivitetin, duke e mbyllur në dy të natës. Ky është një shqetësim që e kanë ngritur shumë banorë në Tiranë dhe duhet të ketë një zgjidhje për këtë.
Jeni ankuar për të zgjidhur problemin e zhurmave?
Jemi ankuar disa herë. Por këtu siç dihet të gjithë veprojnë sipas qejfit të tyre dhe jo në respekt të ligjit. Neve na ka mbetur që vetëm të organizojmë protesta se nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Policia e Rendit që duhet të ruajë qetësinë publike nuk ndërhyn. Por ky problem duhet të marr fund një herë e mirë.
Banorët shqetësohen dhe nga boritë e makinave gjatë orëve të natës
Shefqet I, banues në Rrugën Pjetër Bogdani
Muzika në lagjen time është qetësuar disi, por na shqetësojnë boritë e makinave natën, kur shoferët duhet të parkojnë. Kjo nuk është se ndodh një natë apo dy, por çdo natë kur ne bëhemi gati për të fjetur. Vetë shoferët e makinave duhet të kuptojnë se nuk është e lejueshme një gjë e tillë, sidomos në një zonë të banuar. Këtu pranë shtëpisë time makinat vijnë orar e pa orar duke na shqetësuar, sidomos kur shoferët përdorin borinë pa asnjë lloji kriteri. Banorët janë ankuar disa herë për këtë tek vetë drejtuesit e makinave që prishin qetësinë e të tjerëve, por vazhdon i njëjti avaz çdo natë.