Ekzekutimi, Shtatë plumba në kokë mjekut radiolog, arrestohet autori
Ekzekutohet mjeku radiolog në zyrën e tij, teksa ka qenë duke zhvilluar vizitën e radhës. E paramenduar prej autorit duke e akuzuar për një lidhje jashtëmartesore me të shoqen, Ali Lorja qëlloi me shtatë plumba pistolete në kokë mjekun radiolog Fatmir Thaçi, duke shkaktuar tmerr dhe panik në ambientet e spitalit në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në sallën e Radiologjisë. Menjëherë pas njoftimit të marrë nga policia dhe shërbimet operative, u bë e mundur kapja e autorit dhe bllokimi i armës së krimit. Autori i vrasjes është shtetasi Ali Lorja, 44 vjeç, banues në qytetin e Durrësit dhe sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Shërbimet e specializuara të policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punojnë për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje. Në ambientet e spitalit rajonal, situata për gati 2-3 orë ka qenë shokuese, por më pas gjithçka është normalizuar.
Ngjarja
Si çdo ditë, i ndjeri Fatmir Thaçi e ka nisur punën e tij si radiolog, me vizitat e programuara me pacientët e tij, kur rreth orës 09:30, në dhomën ku ai kryente punën e tij, ka hyrë forcërisht një person, i cili sapo ka hapur derën i ka drejtuar atij pistoletën tip “TT” dhe ka nisur të shtjerë deri në plumbin e fundit, duke shkrehur gjithë karikatorin. Në momentin e krimit të shëmtuar, mjeku Fatmir Thaçi ishte duke kryer një ekzaminim mjekësor ndaj një pacienti, madje e ka ftuar vrasësin, pasi e ka menduar si pacient, duke i thënë: “Po ke urgjencë, eja ulu brenda”. Po ka gabuar, sepse vrasësi Ali Lorja e kishte bërë prej kohësh planin për ekzekutimin e tij. Pacienti dhe ata që ndodheshin pas dere janë tmerruar dhe kanë nisur të thërrasin: “Ndihmë, policia”. Nga plagët e marra mjeku Fatmir Thaçi ka vdekur në vend, pa qenë nevoja e ndërhyrjes nga kolegët e tij. Autori i krimit, Ali Lorja, është larguar me armën e tij bosh dhe ka vajtur njëherësh në polici dhe edhe është vetëdorëzuar. Sipas burimeve të para hetimore, autori i vrasjes ka deklaruar se “me mjekun kishim pasur debate para disa kohësh, gabova, u pendova, desha të vras veten në atë moment, por nuk kisha më plumba në armën time”. Menjëherë ndaj tij është marrë masa e ndalimit dhe kanë nisur hetimet nga organi i Prokurorisë Durrës. Por, ngjarja e ndodhur pikërisht në ambientet e spitalit, ka shokuar dhe tmerruar gjithë stafin mjekësor, të cilët deklaruan se “nuk e ndjejmë sigurinë nga personat që shpesh na vijnë e na ofendojnë, shajnë, kërcënojnë dhe madje edhe na paralajmërojnë me jetë. Policia duhet të jetë më energjike në ruajtjen e jetëve tona”. Ngjarja e ndodhur dje ka qenë një apel për intensifikimin e punës zbuluese dhe parandaluese të organeve policore, ndaj personave të tillë me precedentë kriminalë, për të siguruar jetën e mjekëve dhe qetësinë në ambientet spitalore, ku shpesh nuk kanë munguar edhe incidentet.