E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zhurmat, qytetarët duhet të dëmshpërblehen"

Artur Lazebeu, shef i kabinetit të Avokatit të Popullit kërkon izolim akustik i të gjithë ambienteve që shkaktojnë zhurma

Avokati i Popullit e ka ndjekur nga afër shqetësimin e banorëve të kryeqytetit për zhurmat. Lidhur me ankesat që kanë bërë qytetarët, institucioni që mbron të drejtat e njeriut në Shqipëri i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që të marrë masa ligjore për të ndalur nivelin e lartë të ndotjes akustike në Tiranë, e krijuar kryesisht nga lokalet e natës dhe lëvizjet e makinave. Në një intervistë dhënë për "Shekullin" shefi i kabinetit të Avokatit të Popullit Artur Lazebeu, shprehet se duhet të funksionojë një praktikë gjyqësore që të konsistojë në dëmshpërblimin e qytetarëve në rastet kur ato janë të dëmtuar nga zhurmat. Sipas tij dëmshpërblimi i qytetarëve është i rëndësishëm kur vërtetohet nga raporti mjekësor se qytetari është i dëmtuar nga niveli i lartë i zhurmave. Gjykata në këtë rast duhet të detyrojë pronarët e lokaleve që të dëmshpërblejë të dëmtuarin.

Zoti Lazebeu, a kanë depozituar banoret ankesa pranë avokatit të popullit për zhurmat?
Pranë Avokatit të Popullit kanë mbërritur ankesa të qytetarëve të ndryshëm për zhurmat, për atë që ne e quajmë ndotja akustike. Natyrisht që institucioni ynë ka vepruar duke ndërmarrë një inspektim gjatë orëve të natës, diku nga fundi i muajit korrik në zonën e ish- Bllokut. Pas këtij inspektimi Avokati i Popullit i ka dërguar një kërkesë për shpjegime Bashkisë së Tiranës. Nga Bashkia kemi marrë një përgjigje.

Ajo që na rezulton nga informacioni që na ka dërguar Bashkia e Tiranës është se ajo ka vepruar. Numri i kontrolleve ka qenë nga 140 vitin e kaluar në 32 këtë vit dhe vlen të përmendet fakti që ata ngrenë problemin e disa boshllëqeve ligjore, sikundër ngritën një problem tjetër që sakaq është hartuar një ligj që nga viti 2007 i cili parashikon hartimin e një strategjie për zhurmat. Pra për minimizimin e ndotjes akustike. Ky ligj parashikon që kjo strategji të hartohet brenda pesë vjetëve. Por kjo nuk do të thotë që duhet pritur viti i fundit për të realizuar. Për sa kohë që ndotja akustike përbën problem, të gjitha organet shtetërore duhet të nxitojnë të plotësojnë boshllëkun ligjor dhe veprimi për të zbatuar legjislacionin në fuqi.

A kemi të bëjmë me shkelje ligjore nga poseduesit e lokaleve të natës?
Prishja e qetësisë publike parashikohet në kodin penal, që do të thotë se ligji ekziston dhe hapësirat për veprim gjithmonë kanë qenë janë dhe do të jenë. Në qoftë se do të marrim një situatë hipotetike legjislacioni mund të ekzistojë Në zonën që ka qenë më e qeta në Tiranë ka ndodhur ajo që kjo zonë është kthyer në më të zhurmshmen. Gjithë problemi është se si interesi privat duhet të harmonizohet me interesin e komunitetit sepse aty janë vendosur shumë biznese, ku pronarët e tyre janë dhe qytetarë.
Ju më lart e quajtët si prishje të qetësisë publike nivelin e lartë të zhurmave.

Duhet të ketë më shumë kompetenca Policia e Rendit për të ndërhyre se sa ajo Bashkiake?
Pa mohuar përgjegjësinë e Policisë së Shtetit, në momentin që unë përmenda Kodin Penal kjo menjëherë të çon në mendje Gjykatën, ku mua si punëtor i të drejtave të njeriut më intereson krijimi i një praktike gjyqësore, e cila të mundësojë dëmshpërblimin e viktimave të ndotjes akustike. Në rast se përmenda rastin e prishjes së qetësisë publike, e kisha për të argumentuar se nuk është e thënë që ne të rrimë në pritje të ligjeve apo rregulloreve të reja, kur qëndrojmë indiferent ndaj rregulloreve ekzistuese. Pranë Gjykatës së Tiranës duhet të krijohet një praktikë gjyqësore e tillë.

Në këtë rast dhe sikur strukturat shtetërore do të ishin indiferente ndaj problemit të zhurmave do të kishte një rol të rëndësishëm Gjykata. Ne nuk kemi pse kërkojmë vetëm ndërhyrjen e Policisë, por duhet të kërkojmë dhe sanksionimin e asaj që përmenda më lart. Përveç kësaj duhet të parashikohen dhe gjoba apo dhe mbyllje të veprimtarisë së lokalit. Dëmshpërblimi i qytetarëve është i rëndësishëm kur vërtetohet se qytetari është i dëmtuar nga niveli i lartë i zhurmave. Gjykata në këtë rast duhet të detyrojë x pronar që të dëmshpërblejë të dëmtuarin.

Si duhet të zgjidhet problemi i ndotjes akustike. A mund të jepni një mendim për ndonjë model të veçantë?
Këtu nuk ka nevojë për një model shqiptar. Në rast se flasim për një model shqiptar duhet të pranojmë se është modeli i një bashkekzistence të zhurmshme midis atyre interesave të komunitetit dhe individit. I vetmi model që mund të ndiqet është ai që ka gjithë bota, i cili teknikisht siguron izolimin akustik të ambienteve që mund të shkaktojnë zhurma, riformatimin e taksave që duhet të paguajnë . Kjo është zgjidhja. Por përtej kësaj zgjidhjeje, kemi të bëjmë me një mentalitet të caktuar, ku orientohet drejt interesit dhe etjes për përfitim të pronarëve të lokaleve në dëm të qytetarëve. Në këto moment vendimi i Gjykatës duhet të godasë xhepin e këtyre pronarëve

Nga vëzhgimi që keni bërë si institucion, a ka një ndërhyrje të institucioneve përgjegjëse për të ulur nivelin e zhurmave?
Nuk mund të të japë me saktësi se në çfarë mase kanë ndërhyrë organet kompetente, sepse kjo nuk lidhet drejtpërdrejtë me punën tonë. Ne ndërhyrjet apo mos ndërhyrjes i shikojmë nga përgjigjet ndaj rekomandimeve tona, por edhe veprimet praktike që ato kryejnë. Në rast se fjala vjen Bashkia e Tiranës, ka pezulluar lejet 24 orëshe të lokaleve, është një përgjigje e duhur.

Jo thjesht për rekomandimin e Avokatit të Popullit, por për lehtësimin e situatës së krijuar nga ndotja akustike. Ne duhet të jemi të ndjeshëm për të sensibilizuar që nuk ka pse të paguhet qejfi i qeflinjve me hallin e hallin e hallexhinjve. Ndërhyrja e Avokatit të Popullit nuk synon thjesht të ulë nivelin e zhurmave në zonën e ish- Bllokut. Synimi është që të solidarizohemi me shqetësimin qytetar, i cili nuk është vetëm aty. Aty mund të jetë më i ndjeshëm, sepse është zona më e dendur që ka ndryshuar këto 20 vitet e fundit krejtësisht me të kundërtën e vet. Duhet të ketë një sensibilizim përtej kësaj zone duke përfshirë gjithë Shqipërinë. Ligji duhet të funksionojë njëlloj në të gjithë vendin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›