E Hënë, 2 Nëntor 2026

Magji vere dhe seks pushtetit

11/03/2005  Teatri Kombëtar

Ditën e shtunë në Teatrin Kombëtar vjen një tjetër komedi, këtë herë në regjinë e Mehmet Xhelilit. Vepra e re titullohet "Magjia e verës" dhe është në vetvete një shkrirje e tri komedive të huaja. Tema e kësaj komedie vjen përsëri nga bota e politikës dhe korrupsionit, por me një ndryshim nga rastet e tjera, pasi në këtë rast vetë politikani nuk është i "implikuar në afare korruptive", por janë të afërmit e tij, të cilët përpiqen të përfitojnë prej postit të tij. "Kjo komedi është ndërtuar në bazë të tri veprave të tjera, si 'Kolltuku magjik' nga hungarezi Frederik Karinti, 'Manovrimet e hajdutit' komediografi i njohur grek Dhimitris Psaltas dhe 'Seks pushtetit' i britanikut Majkëll Petuin. Adaptimi që unë kam bërë është një formë e njohur në shumë teatro në botë. Nevoja për një dramaturgji kombëtare, të asaj dramaturgjie që i flet direkt publikut, që trajton problemet imediate të tij, psikologjinë dhe mentalitetin e tij, është një kërkesë e brendshme e tij. Natyrisht që ka mungesa dhe, unë nuk mund të përcaktoj arsyet e kësaj mungese, por në një fazë të parë adaptimi është një ndërmarrje pozitive, sipas opinionit tim", ka theksuar për "Metropol", regjisori Mehmet Xhelili. Ai shpreh bindjen se, kjo komedi flet për hallet tona, për shqetësimet tona, problemet tona, "natyrisht pa pretenduar të jem autori", por thjesht një adaptues.

"Magjia e verës së kuqe" dhe simbolika e saj...

"Magjia e verës së kuqe" është një komedi, e cila do të ngjisë në skenë emra shumë të njohur të skenës, por edhe aktorë të rinj. Tërheqin vëmendjen në këtë kast, Robert Ndrenika, Yllka Mujo, Roland Trebicka, Fatos Sela, Luftar Pajo, Helidon Fino etj. Vepra është bazuar në një simbolikë, e cila përkon me mentalitetin tonë, "ku shpesh themi ç'ka barku e nxjerr bardhaku. Një aksiomë, e cila i shkon për shtat personazhit kryesor, i cili thotë vazhdimisht të vërtetën dhe, për këtë vuan gjithmonë. Por kur pi verë bëhet i guximshëm dhe harron pasojat që ka kur thotë të vërtetën", shpjegon Xhelili. Natyrisht, simbolika e verës shtrihet edhe më tej, por në të vërtet, kjo vepër sjell në skenë një problem të kahershëm shoqëror, ku të ndershmit janë në përplasje të përhershme me të pandershmit, një problem që në një mënyrë apo në një tjetër vazhdon të mbetet i pazgjidhur, jo vetëm në vendin tonë, por në një aspekt global...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›