E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi ballkanik fitohet nga grekët

Volejboll

Vetëm 24 orë pas humbjes në debutimin ballkanik me moldavët në grupin B, të rinjtë kuqezinj të drejtuar nga trajneri Arben Sako janë mposhtur përsëri 0-3, kësaj radhe me përfaqësuesen helene. Një takim në sens unik, pasi epërsia e skuadrës greke ishte e ndjeshme, që shkon në kuotën e 4 pikëve. Me gjithë përpjekjet e volejbollistëve të Kombëtares sonë, kundërshtarët u treguan më konkretë në lojën e tyre, duke i fituar setet me rezultatin 25-12, 25-21 dhe 25-12. Shqipëria pësoi disfatën e dytë në kampionat duke mbetur në vendin e fundit. Finalet e kampionatit të 9-të ballkanik zhvillohen në Nov Dojran të Maqedonisë. Ndërkohë, në ceremoninë e hapjes të kampionatit ballkanik, Kombëtarja greke nuk mori pjesë në shenjë proteste ndaj vendit organizator i cili u përfaqësua me emrin Maqedoni. Nëpërmjet një letre zyrtare drejtuar Federatës ballkanike dhe asaj evropiane, delegacioni grek apeloi në rast se ky precedent do të përsëritet përgjatë turneut, atëherë reagimi i tyre do të jetë më i fortë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›