Magjia e "së bardhës"
Njerëzit kanë në përgjithësi një ndjesi të veçantë mbi efektin e së bardhës, nga ku detyrimisht shqiptarët s'kanë si të bëjnë përjashtim. Ndër breza kemi luftuar që të mund të ngremë flamurin e bardhë kundra shumë pushtimeve. Më shumë efekt ka pasur fustani i bardhë, i cili lidh në mënyrë të pazgjidhshme lumturinë me martesën. Ne, shqiptarëve, na u dha mundësia e një kënaqësie të veçantë, asaj të "Çekut të bardhë", dikur një derë e hapur drejt mirëqenies. Përfundimisht, me të drejtë, njerëzit lidhnin të bardhën me të mirën. Kur kjo u pasua me temën e pluhurit të bardhë, nisën dhe frika e dyshimet, se e bardha s'qenkërka kaq e mirë. Para disa ditësh lindi ideja e një Libri të Bardhë dhe nuk është se jemi pa dyshime për të bardhën, duke parë që ajo qenka sa e mirë, po aq mund të jetë dhe e frikshme.
Nevoja për ndryshim në sistemin gjyqësor, do bëhej në mënyra shumë më efikase, kur taksat dhe shpenzimet gjyqësore të mos ishin në shumë raste aq qesharake, sa njerëz të papunë do shfrytëzonin kohën e lirë thjesht duke ngritur padira apo faktin e të qenurit i paditur ta injoronin në mënyrë aq flagrante. S'është normale që pagat e gjyqtarëve të mos vetëpaguhen nga shpenzimet gjyqësore. Pala humbëse duhet të përballohet si gjithkund përveçse me tarifat e kripura të gjykatës, por dhe me honorarin e avokatit të palës, e cila do fitonte procesin. Vetëm me iniciativa të tilla, gjykata do shpëtonte nga gjyqet, ku përfundimi njihet mirë para fillimit të tij.
Ngritja e gjykatave alternative (jo paralele), hedhur si ide nga Z.Alibeaj, do bënte gjithashtu një zbutje të mbingarkesës së gjykatave, por kjo fillimisht do kërkonte implantimin në legjislacion të disa akteve, ku për çështje të caktuara, palët kontraktuese të zgjedhin fillimisht gjykatat alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre. Emërimi dhe mënyra e funksionimit të këtyre gjykatave do rregullohej fare thjesht me nisma të veçanta ligjore.
Nga këta gjyqtarë, të cilët do merrnin kurajon profesionale të paraqesin alternativa për mirëfunksionim të gjyqësorit, të shpjegohet në mënyrë kurajoze gjithashtu si do jetë e siguruar ekzistenca në punë e kolegëve, pikërisht atyre, të cilëve vendimet iu rrëzohen në mënyrë flagrante nga gjykatat superiore. Një futje në database të vendimeve të gjyqësorit, ku gjithkush të shihte nëse një gjyqtar jep vendime abuzive ose/dhe jo profesionale, do bënte një rritje në cilësi të Librit të Bardhë. Masat karshi tyre do tregonin transparencë dhe eficiensë në luftën ndaj inkompetencës e korrupsionit
Merakun, që Libri i Bardhë të mos jetë thjesht një fazë si të tjerat, ku gjithçka pas një kohe harrohet, duhet ta kthejmë në një forcë ndryshimi. Forcat akademike pranë universiteteve shtetërore dhe atyre private, duhet të bëhen forca kryesore e propozimeve dhe kjo të shihet nga Parlamenti si bashkëpunëtore dhe jo me dashakeqësi të lihet mënjanë. Detyrimi i z.Spahiu, si nënkryetar i KLD, është që ndër të tjera t'i japë direktiva Zyrës së Kodifikimit për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, për ndryshime fillimisht në të gjitha Kodet tona, ku ne jemi mijëra km larg së drejtës, si e tillë europiane. Nisma si ajo e ndëshkimit më ashpër të krimit në familje, por dhe veprash të tjera ku populli ynë është kaq i ndjeshëm, duhet të merren si detyrë konkrete nga kjo Drejtori e bërjes së Ligjeve dhe jo të presin derisa Kryeministri, forca politike ose ngjarje makabre të ushtrojnë presion mbi to. Të mundohemi me ligje t'u paraprijmë fenomeneve dhe jo anasjelltas.