Krijimi i Bashkimit Mesdhetar
Që prej disa muajsh, një nga idetë më reformuese në politikën e jashtme franceze është krijimi i Bashkimit Mesdhetar. Popujt që kanë fatin të banojnë në brigjet e Mesdheut mund të marrin pjesë në këtë aventurë që synon të hapë perspektiva të reja jo vetëm për rajonin por për gjithë Europën e më tej. "Në Mesdhe mund të vendoset sot e ardhmja e njerëzimit. Në Mesdhe do të vendoset nëse Jugu dhe Veriu do të përballen, nëse fetë dhe qytetërimet do të ndeshen në një luftë, ku askush nuk mund të fitojë, nëse terrorizmi e integrizmi do të mposhtin demokracinë e paqen", ka deklaruar presidenti francez, Sarkozy. Zona e Mesdheut gjithnjë e akoma luhatet midis civilizimit e barbarisë. Nga një anë Perandoria Romake e qytetërimi grek, me zhvillimin dhe dritën që sollën për botën, nga ana tjetër shpërthimet violente nacionaliste dhe dhuna e Kryqëzatave. Kufi natyral i Europës, nëpërmjet të cilit kalojnë flukse në rritje emigrantësh klandestinë drejt veriut, kontrabanda dhe trafiqe, konflikte fetare e territoriale, Mesdheu përqendron frikërat e Europës. Por pa marrë në dorë e pa zgjidhur këto probleme, Europa e plakur ka pak shanse të luajë një rol të vërtetë në këtë shekull. Pikërisht, për këtë arsye Franca po angazhon procesin e krijimit të Bashkimit Mesdhetar.
Por për se bëhet fjalë? Europa dhe vendet e Mesdheut kanë nevojë për njëri-tjetrin. Për arsye demografike, së pari: popullata në plakje e Europës ka nevojë për dinamizmin demografik të Jugut, ku popullata aktive do të jetë në rritje deri në 2020, ashtu si Jugu vazhdon të ketë nevojë për tregjet e punës dhe fuqinë blerëse të Europës. Europa nuk mund të krijojë më në tregun e vet të brendshëm, dinamizmin e mjaftueshëm për të siguruar nivelin e zhvillimit e të jetesës së dekadave të fundit. Zgjerimi në Lindje i BE kishte ndër të tjera edhe këtë objektiv, por deri tash nuk ka dhënë impulset e pritura. Nga ana tjetër pellgu i Mesdheut ka nevojë për kapitalet dhe njohuritë teknologjike te përqendruara në vendet evropiane,për të përshpejtuar zhvillimin e vet ekonomik.
Po aq të rëndësishme janë arsyet energjitike: Jugu e veçanërisht Afrika e Veriut mund të furnizojë me gaz Europën, për t'i siguruar një farë pavarësie nga furnizimet ruse, pavarësi shumë e rëndësishme kjo edhe për politikën evropiane në përgjithësi. Por po të shohim pak më tej, rezervat në hidrokarbure të Mesdheut mund të mbulojnë nevojat për 20 deri në 40 vjet. Në këtë kontekst, pozicioni i hapur i presidentit Sarkozy në fushën e energjisë bërthamore civile, çel perspektiva të reja për gjithë vendet e Mesdheut.
***
Bashkimi Mesdhetar do të jetë një bashkim politik, ekonomik, e kulturor i shteteve pjesëmarrëse. Ideja nuk është e re. BE ka krijuar prej më se 10 vjetësh Partneritetin Euro Mesdhetar (PEM ose EUROMED), nisur më 1995 në Barcelonë, i cili përfshinte fillimisht 27 vendet e BE dhe 10 partnerë të Mesdheut: Algjeria, Egjipti, Izraeli, Jordania, Libani, Maroku, Siria, Tunizia, Palestina, Turqia. Fillimisht vendet e Ballkanit nuk ishin përfshirë në këtë proces për shkak të instabilitetit në Gadishull, por rishtazi Shqipëria ka aderuar në "Euromed". Por sot është e qartë për të gjithë që "Euromed" nuk ka dhënë rezultatet e pritura, për shumë arsye, ndër të cilat konfliktet e Lindjes së Mesme dhe zgjerimi i BE në Lindje.
Bashkimi Mesdhetar do të jetë i koordinuar me procesin "Euromed", me gjithë shqetësimin e shprehur nga disa prej kancelarive europiane. Ideja është të krijohet një strukturë më elastike sesa "Euromed", pa kaluar nga procedurat burokratike të BE. Organizmat e Bashkimit Mesdhetar do të jenë të ngjashme me organizmat europianë: Këshilli i Mesdheut, Banka Mesdhetare për Investim, një sektor juridik i përbashkët. Partneritetet mund të marrin forma bilaterale ose multilaterale, sipas shteteve të interesuara. Ashtu si Europa filloi me karbonin, çelikun dhe energjinë bërthamore, Bashkimi Mesdhetar do të fillojë me energjinë, transportet, ujin për të respektuar ambientin e për të siguruar zhvillime afatgjata në këtë zonë. Energjia, transportet dhe uji që janë çështje esenciale sot për zhvillimin e Shqipërisë. Një aks tjetër i rëndësishëm është bashkëpunimi mbi emigracionin për të siguruar interesat e të gjitha palëve: nga njëra anë, të sigurohet liria e lëvizjes për ata që e dëshirojnë, sepse lëvizja krijon zhvillim, nga ana tjetër, të favorizohet kthimi i trurit në vendet origjinë sepse vendet e BE nuk do mund të sigurojnë zhvillimin e tyre afatgjatë pa zhvillimin e pellgut mesdhetar.
Objektivat e Bashkimit Mesdhetar do të jenë te ngjashme me strukturat rajonale analoge, të krijuara prej kohësh në zonat ekonomike më aktive të globit në Amerikë dhe Azi. Në dekadat e fundit, zhvillimet gjeopolitike janë orientuar drejt krijimit të këtyre bashkëpunimeve rajonale të tipit Jug-Veri. Kështu ALENA që bashkon SHBA dhe Meksikën, ose East Asian Economic Project që shkon nga Koreja në Singapur.
***
Bashkimi Mesdhetar, është një organizëm që u propozohet gjithë shteteve që shtrihen në brigjet jugore a veriore, lindore a perëndimore të Mesdheut, si një urë midis Europës, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme.
Franca, e cila kërkon të luajë në Mesdhe rolin unifikues që SHBA luajti në Europë në 1945, ka marrë iniciativën e këtij projekti dhe fton në Paris, në korrik 2008, gjithë shefat e shteteve pjesëmarrëse për të hedhur themelet e Bashkimit Mesdhetar. Vendet që kanë manifestuar interes janë: Franca, Italia, Greqia, Spanja, Portugalia, Malta, Qipro nga BE; Algjeria, Egjipti, Libia, Maroku, Tunizia nga Afrika e Veriut; Izraeli, Libani, Jordania, Siria, Palestina nga Lindja e Mesme dhe Turqia.
Shqipëria duhet të marrë pjesë që në fillim në këtë iniciativë të vështirë dhe ambicioze, për të cilën një nga garancitë e suksesit është energjia e pashtershme e Presidentit francez. Një analizë më e hollësishme e interesit të Shqipërisë në këtë proces meriton një artikull të veçantë. Ç'mund të thuhet këtu në pak rreshta, është se Shqipëria në këtë kuadër mund të ketë fatin të luajë një rol të vërtetë e të mbrojë interesat e veta politike në skenën ndërkombëtare, të konsolidojë interesat ekonomike e furnizimin me energji dhe lëndë të para.
Bashkimi Mesdhetar, ka fatin sot të bëhet epiqendra e Europës dhe Afrikës, për të peshuar së bashku mbi fatet e botës.
* Dr.e Shkencave në Universitetin "Paris 6", Drejtore sektori në Inovacionin e Telekomunikacioneve në Francë, ish-këshilltare e Kryetarit të Bashkisë Tiranë