Magjistratët e rinj: KLD mban peng emërimet në gjykata
Në Presidencë ka mbërritur një letër e nënshkruar nga 10 magjistratë të rinj, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e kreut të shtetit, njëkohësisht kryetarit të KLD-së, duke argumentuar se emërimet e tyre po mbahen peng nga ky institucion. Magjistratët e rinj shkruajnë se në kundërshtim me ligjin dhe procedurën, KLD ende nuk ka bërë emërimin e tyre në gjykatat e vendit. Studentët e Shkollës së Magjistraturës shkruajnë se janë emëruar në datën 5 tetor të vitit 2007, për të kryer stazhin profesional në 5 gjykatat më të mëdha të Shkallës së Parë, me propozim të KLD-së dhe dekretim të Presidentit dhe konkretisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë. “Nuk është normale dhe aspak e logjikshme që KLD të përdorë pretekstin e "Gjykatave të karrierës" dhe të "pushtojë" për vete të gjitha gjykatat që ndodhen afër Tiranës, duke i emëruar magjistratët në rrethe shumë të largëta gjyqësore, thjesht se sapo kanë dalë nga shkolla dhe nuk janë pjesë e aferave dhe pazareve që mund të bëhen”, thuhet në reagimin e tyre. Ata shkruajnë se pas përfundimit të këtij stazhi, të 10 gjyqtarët e rinj duhet të kishin marrë emërimin e tyre përfundimtar që në muajin shtator-tetor 2008. Sipas tyre, në mbledhjen e datës 24 dhjetor 2008 të KLD-së, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka të drejtën ekskluzive të propozojë vendet vakante për gjyqtarë në KLD, propozoi 10 vende vakante për emërimin e studentëve që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. KLD i rrëzoi vendet vakante të propozuara nga Alibeaj, me arsyetimin se ministri kishte shkelur procedurën, pasi paraprakisht duhej të kishte bërë riorganizimin e gjykatave në rang republike. Gjyqtarët e rinj arsyetojnë se ky vendim i KLD-së është absurd, pasi fillimisht u ra dakord për 6 vendet e para dhe nuk u pranuan 4 të tjerë. Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, ka deklaruar se KLD nuk mund të pranojë vetëm një pjesë të gjyqtarëve të rinj. Diskutimet mes ministrisë dhe KLD-së kanë bërë që magjistratët ende të presin, ndonëse kanë realizuar detyrimet dhe stazhin që kërkon ligji. Ata këmbëngulin se janë dekretuar nga Presidenti dhe do vazhdojnë të ushtrojnë detyrën si gjyqtarë në ato gjykata ku janë emëruar provizorisht, deri në emërimin përfundimtar të tyre. Duke dhënë këto arsye, magjistratët e rinj kërkojnë nga kreu i shtetit që të reagojë ndaj këtij boshllëku të krijuar në KLD. “Pavarësisht se emërimi ynë duhej të ishte bërë që në muajin shtator-tetor 2008, ne ende nuk kemi marrë emërimin përfundimtar, duke qëndruar në pritje dhe në ankth se ç`do të ndodhë, kur do emërohemi dhe ku. Derisa ne aktualisht jemi gjyqtarë, nuk është ligjore që në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës pranë gjykatave ku aktualisht jemi duke ushtruar detyrën, të mos paguhemi për periudhën në vazhdim, derisa të marrim emërimin përfundimtar. Nuk është e drejtë që stresit të emërimit, t’i shtohet dhe një veprim i tillë krejtësisht antiligjor. Nqs kryetarët e gjykatave mendojnë të ushtrojnë presion ndaj KLD për të na emëruar sa më shpejt, nuk është kjo rruga e duhur ligjore”, përfundon reagimi i magjistratëve të rinj.
Emrat e 10 gjyqtarëve magjistratë në pritje të emërimit
1- Esmeralda Çeka -aktualisht është duke kryer stazhin profesional pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tirane.
2- Enerjeta Deraj (Shehu) - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
3- Alma Hoxha - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
4- Matilda Shalla - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
5- Rezarta Mataj -aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
6- Irida Kacerja -aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
7-Gentian Hamiti - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
8- Ervin Trashi - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
9- Sonjela Voskopi - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.
10- Vojsava Osmanaj - aktualisht është duke kryer stazhin profesional në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.