Sot nis aplikimi për pasaportat biometrike, ja procedura
Sot nis procedura për pajisjen me pasaportë biometrike dhe me kartë identiteti, ose letërnjoftimin e ri. Ministria e Brendshme ka hapur procedurën dhe u ka bërë thirrje qytetarëve, që të drejtohen në zyrat e aplikimit në pushtetin lokal. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, bëri të ditur të gjithë procedurën që duhet të ndiqet nga ana e qytetarëve. “Në vigjilje të kësaj ngjarjeje tepër të rëndësishme së pari për vetë qytetarët shqiptarë dhe së dyti për proceset integruese të Shqipërisë, Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik. Skema e aplikimit për këto dokumente është fare e thjeshtë. Paguhet në postë ose pranë institucioneve, ku keni qendrën e punës tarifa për letërnjoftimin dhe pasaportën biometrike”, - tha Konja. Pasaporta e re dixhitale kushton 5 mijë lekë të reja, ndërsa letërnjoftimi i ri kushton 1200 lekë të reja. Zëdhënësi Konja përsëri procedurën që duhet të ndiqet në zyrat e aplikimit. “Qytetari paraqitet në zyrat e aplikimit, që janë pranë çdo njësie bashkiake. Qytetari paraqet mandatarkëtimin dhe prezantohet duke treguar një nga dokumentet që mund të identifikojë veten (pasaportë, certifikatë, patentë për drejtim automjeti, fletëhyrje për në institucione etj). Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat, qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Nëse jo, qytetari shkon në gjendjen civile. Pastaj merren shenjat e gishtave, dilet në fotografi dhe nënshkrimi elektronik. Gjithçka në një zyrë dhe vetëm njëherë. Pas jo më shumë se dy javësh merret letërnjoftimi në po të njëjtën zyrë. Duhet ardhur personalisht, se letërnjoftimi duhet aktivizuar dhe ka nevojë për përputhshmërinë e gishtit tuaj me ato që karta përmban”, - deklaroi Konja. Ai vuri në dukje rëndësinë e këtyre dokumenteve të reja. “Ministria e Brendshme vlerëson se qytetarët shqiptarë janë plotësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pajisjes me dokumentet e reja të identitetit, për të qenë jo thjesht përfitues, por edhe kontribuues në realizimin e plotë dhe me sukses të këtij procesi. Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme fton qytetarët të bëhen pjesë e këtij suksesi, në rrugën e integrimit drejt familjes së madhe evropiane”, - përfundoi zëdhënësi Konja. Njëkohësisht Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se mospajisja me karta identiteti do të shoqërohet me penalizime përkatëse. Çdo qytetar që neglizhon marrjen e dokumentit të ri nuk do të përfitojë shërbime nga ana e administratës shtetërore, si dhe ndalohet të dalë jashtë shtetit. Qytetarët do të kenë kohë për gjithë muajin janar që të nisin aplikimin dhe pas muajit janar nisin sanksionet.
Shërbimet që ndalohen, në rast se nuk merret letërnjoftimi i ri
-pagesa ose shpërblime për të gjithë personat fizikë të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe personat e punësuar në shoqëri, agjenci apo ente shtetërore, qendrore apo vendore, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 shkurt 2009
-pagesa apo shpërblime për pensionistët, nëse nuk kanë aplikuar deri më 25 mars 2009
-pagesa për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 prill 2009
-pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nëse nuk kanë aplikuar deri më 30 mars 2009
-pajisja me pasaportë për jashtë shtetit
-shërbimin në zyrat e gjendjes civile
-lëshim ose rinovim të lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor
-nuk do të lejohen të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë
-aplikimi dhe pajisja me certifikatë pronësie nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme
-aplikimin dhe lëshimin e dokumentit “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimin e tyre
-lëshimi i vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera të ngjashme me to nga administrata gjyqësore
-shërbimet noteriale
-shpërndarja e karburantit pa akcizë për fermerët
-shërbimi nga zyrat e Alba-Postës
Opozita kërkon subvencionimin e letërnjoftimit për njerëzit në nevojë
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bërë thirrje që kartat e identitetit të jepen falas për një grup të caktuar të shoqërisë shqiptare. Blendi Klosi nga PS dhe Petrit Vasili nga LSI janë shprehur se dokumenti i ri kushton shumë për kategori të caktuara qytetarësh, gjë që mund të vërë në vështirësi procesin zgjedhor të vitit 2009. Ministria e Brendshme ka thënë se kostoja prej 1200 lekësh të reja për kartat e reja të identitetit është nga më të ulëtat në Evropë. Ministria ka ulur koston me 30 për qind, si dhe ka hequr TVSH-në ndaj këtij produkti. Por të majtët nuk e kanë pranuar këtë zgjidhje të qeverisë. “Pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat. Qeveria duhet të zgjidhë në mënyrë të menjëhershme këtë problem për këtë kategori qytetarësh, sepse përndryshe rrezikohet që rreth 1 milion qytetarë të mos marrin pjesë, pra, të përjashtohen nga procesi i votimit”, - ka deklaruar Vasili.
Topalli mbyll vizitën në Itali
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbyllur vizitën e saj në shtetin fqinj të Italisë. Gjatë qëndrimit të saj në Romë, Topalli u takua me Presidentin e Republikës, Napoletano, si dhe me mjaft figura të tjera. Kryetarja i shprehu Presidentit Napoletano mirënjohje për mbështetjen që Shqipëria ka pasur në proceset demokratike dhe integruese nga Italia fqinje në mënyrë të vazhdueshme. Biseda mes tyre u përqendrua në zhvillimet ekonomike në Shqipëri, në klimën entuziaste të biznesit, çka ka bërë të mundur stimulimin e fortë të biznesit të huaj për të investuar në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë ata u ndalën në interesin që Shqipëria ka ngjallur në vendet evropiane për dinamizmin e ekonomisë së saj. Njëkohësisht Topalli u takua edhe me ish-kryekomisionerin e BE-së, Jacques Delors, një politikan i njohur evropian. Jacques Delors dhe Jozefina Topalli diskutuan për procesin e zgjerimit të Evropës, i cili sipas presidentit Delors, në vitet e ardhshme do të numërojë 30 vende nga 27 që ka sot. Kryetarja e Kuvendit foli mbi reformat e fundit në Shqipëri, si dhe për tempin unik të procesit të ratifikimeve, si të protokollit të NATO-s, ashtu edhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE.