E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikoi 796 kg marijuanë nga Durrësi, në gjyq korrieri

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq dosjen penale ndaj shtetasit Rejdi Furrxhi, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale të trafikimit të narkotikeve, në bashkëpunim. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur më 26 dhjetor 2011, rreth orës 21:00, në pikën e kontrollit antidrogë në Portin e Durrësit. Në këtë datë, në Portin e Durrësit është përzgjedhur nga punonjësit e Policisë për kontroll automjeti i tipit kamionçinë, Mercedes Benz me targa AA078Ç, që drejtohej nga shtetasi Rejdi Furxhi. Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjate kontrollit të këtij automjeti, në pjesën e karrocerisë u gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 40 kuti kartoni, ku në brendësi të tyre u gjetën pako të mbështjella, brenda të cilave u gjend lëndë bimore, lëndë narkotike kanabis sativa. Nga peshimi rezulton që sasia të jetë 796 kg e 740.26 gramë. Më pas, nga ana e Policisë Gjyqësore është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Rejdi Furxhi, duke qenë se ai është kapur në kryerje e sipër të veprës penale të trafikimit të narkotikeve, në bashkëpunim, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, Rejdi Furxhi pranoi gjatë hetimit se është transportuesi i kësaj lënde narkotike në drejtim të Italisë dhe të Zvicrës. Droga ishte porositur dhe pritej nga një shtetas kosovar, i identifikuar me nofkën Shaqo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›