Magjitë e Mesit i dhurojnë arin Argjentinës
Magjia e Lionel Mesit e goli i Anxhel di Marisë i dhuruan Argjentinës medaljen e artë olimpike në futbollin për meshkuj pas fitores së ngushtë 1-0 në finalen kundër Nigerisë.
Një “film” i parë edhe para katër vjetësh në “Athinë 2004”, por me një Diego Maradona të çmendur në tribunën VIP të “Folesë së zogut” në “Pekin 2008”. Di Maria shfrytëzoi në mënyrë të mrekullueshme pasin e artë të Mesit në minutën e 58-të, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit kundërshtar ta “përvetësonte” sferën. Nigeria, kampione e Lojërave Olimpike “Atlanta 1996”, u kënaq me medaljen e argjendtë, ndërkohë që të premten në podium ishte ngjitur Brazili, që fitoi medaljen e bronztë pas fitores 3-0 me Belgjikë. “Ky grup lojtarësh e meritoi medaljen”, - tha Mesi. “Ne e dinim se do të vinte kjo, pasi ndoshta ne nuk do të kemi kurrë një eksperiencë të tillë. Ne jemi me fat që gjithçka shkoi mirë dhe ne morëm atë që dëshironim”, - shtoi magjistari argjentinas i Barcelonës. Mesi nuk luajti për një pjesë të turneut të futbollit në Pekin pasi Barcelona fitoi të drejtën për ta tërhequr atë nga kompeticioni. Gjithsesi, klubi spanjoll e lejoi atë të luajë. “Unë mendoj se ai luajti shumë mirë në turneun olimpik”, - tha trajneri i Argjentinës, Serxhio Batista. “Ai luajti shumë mirë sot (të shtunën) ashtu si ai normalisht bën gjithmonë në pozicionin e tij dhe unë e dija se ai mund të ishte një faktor deciziv”.
Finalja e futbollit u luajt mbasdite në “Folenë e zogut” (ora 06.00 në Shqipëri), dhe arbitri morri vendimin e rallë për t’u lejuar lojtarëve të ndalonin lojën e të pinin ujë. “Ndoshta të nxehtit ishte një faktor”, - tha Batista. “Unë mendoj se nëse ndeshja do të ishte luajtur në një kohë tjetër të ditës do të kishte qenë shumë e ndryshme”. Finalja e futbollit ishte i vetmi takim i luajtur në stadiumin olimpik të Pekinit dhe u ndoq nga 89,102 shikues përfshirë edhe ish-legjendën argjentinase Diego Maradona.
Për shkak të nxehtit në pjesën e parë loja ishte shumë e varfër, me shumë gabime dhe me lëvizje të ngadalta për të kursyer edhe energji. “Ne u përpoqëm të luanim thjesht lojën tonë. Ne dëshironim të luanim me inteligjencë dhe lëvizëm shumë me top, por pa vrapuar shumë”, - tha Baptista. “Asnjë ekip nuk kishte luajtur në mesditë qysh ne filluam turneun”, - tha trajneri i Nigerisë, Samson Siasia. “Ndikoi te dy vendet dhe shumë nga lojtarët nuk dhanë më të mirën e tyre për shkak të nxhetit. Ata thanë se të luash në orën 12 të ditës nuk ishte një ide e mirë”. Argjentina, e Mesi në veçanti, ishin të pakënaqur me pjesën e parë, por Di Maria goditi nga 25 metra duke detyruar portierin Ambruse Vanzekin të bënte një mrekulli. Mesi prodhoi nja nga momentet e tij speciale në minutën e 50-të, kur kaloi disa mbrojtës, por goditja e tij me të majtën u bllokua nga Vanzekin.
MEDALJET NË FUTBOLL
MESHKUJ
Ari: Argjentina
Argjend: Nigeria
Bronz: Brazili
FEMRA
Ari: SHBA
Argjend: Brazili
Bronz: Gjermania
FORMULA 1
Masa skuq “pole”
Felipe Masa e Ferrari pronësojnë “pole position”-in e Çmimit të Madh të Europës në Valencia. Braziliani e ndali kronometrin në kohën 1 minutë e 38.975 sekonda, duke lënë pas britanikun Luis Hemilton të Meklarenit (1’39”210). Pas tyre në rreshtin e dytë do të jenë Robert Kubika me BMË (1’39”362) dhe Kimi Raikonen me Ferrarin tjetër (1’39”467). Në rreshtin e tretë: Heiki Kovalainen me MekLaren (1’39”610) e Sebastian Vetel (1’40”184) me Toro Roso. Fernando Alonso nuk ia doli të kalojë kualifikueset e dyta, duke u renditur në vendin e 12-të. Gara zyrtare, e 13-ta nga 19 gara në program, zhvillohet të dielën, në orën 14:00. Klasifikimi për pilotë i tre të parëve pas 12 garave: Luis Hemilton (72 pikë), Kimi Raikonen (57), Felipe Masa (54). Renditja për konstruktorë: Ferrari (111 pikë), MekLaren (100), BMË (90).
25 Gusht 2008