Hetfield i “Metallica”, luftë me alkoolin
Vokalisti i njërit prej grupeve më të famshme të muzikës heavy-metal “Metallica”, Xhejms Hetfild po përpiqet seriozisht të qëndrojë larg alkoolit, në kohën kur grupi po përgatitet për një turne tjetër botëror. Hetfild është një ish- i alkolizuar i cili ka arritur ta shmangë pijen prej 12 vjetësh. Megjithatë, ai ka pranuar, se është një sfidë shumë e madhe për t’i rezistuar alkoolit, sidomos kur grupi është në turne. “Joshja nga alkooli është vazhdimisht me mua. Nëse ke bërë diçka ndryshe për shumë vite dhe pastaj mundohesh ta ndryshosh atë, është një punë e vështirë për t’u bërë. Fillon të dyshosh në veten tënde duke menduar se kurrë nuk mund të shërohesh. Është diçka me të cilën duhet të merrem gjithë jetën”,- ka thënë këngëtari i njërit prej grupeve më të famshme të skenës botërore. Hetfild lindi në 3 gusht 1963 në Los Anxheles, Kaliforni. Prejardhja e familjes së tij është nga Anglia dhe Gjermania. Që në moshën 9 vjeçare ai filloi të merrte leksione në piano duke vazhduar më pas në moshën 14 vjeçare me kitarën. Një nga grupet e tij të preferuar është Aerosmith të cilët sipas Hetfild, janë arsyeja e vetme pse atij i pëlqente të luante në kitarë. Momentet e para si vokalist pranë grupit nuk kanë qenë frytdhënëse duke i detyruar kështu ata, të eksperimetonin me disa vokalistë/kitaristë.
25 Gusht 2008