Maicon: Jam ende i fortë

Ai pati gjashtë vjet të suksesshëm në Milano, të cilët nuk do t’i harrojë kurrë. Por, përfaqësuesi brazilian ndihet ende i fortë për të luajtur në nivele të larta.
“Ishte momenti i duhur për mua që ta ndërroj mjedisin. Me Interin kam fituar shumë, por tash nuk dua ta shikoj të kaluarën. E ardhmja ime është City, një klub prestigjioz, i cili ma ka dhënë mundësinë të luaj në Champions dhe të fitoj tituj tjerë. Jam i motivuar dhe mezi pres ta filloj këtë aventurë”, theksoi Maicon, i cili tek kampioni anglez do ta ketë mundësinë të punojë me ish trajnerin, Roberto Mancini.
“Prezenca e Mancinit ishte sigurisht influenca kryesore në zgjedhjen time. Kam punuar me të, e njeh lojën time dhe e di tipin e personit që jam”, përfundoi 31 vjeçari, në intervistën e dhënë për uebfaqen zyrtare të Manchester Cityt.