Dita e vendësve
Trepça e ka mundur Hysin me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen kryesore të xhiros së katërt të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, e cila u zhvillua të mërkurën. Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë, si në tri ndeshjet e para, duke e regjistruar fitoren e dytë të sezonit.
Enis Zabërgja ka shfaqur një formë të shkëlqyeshme. Sulmuesi vushtrrias, edhe pse nuk ia doli të shënojë, ka krijuar disa raste për vete dhe për shokët. Ai ishte protagonist në golin e fitores së ‘Xehetarëve’ pasi pasoi për mrekulli në minutën e 55-të te Lavdim Balia, i cili vetëm e futi topin në rrjet.
Ish sulmuesi i Kosovës (V) dhe i Hysit e pati një rast të qindpërqindtë në vijim, por Idrizi i mysafirëve shpëtoi gol të sigurt, duke e hequr topin nga vija e portës. Në anën tjetër, udhëtuesit rrezikuan me Arlind Zylfallarin, që e qëlloi tërthorësen. Hysi mbetet ende pa fitore këtë edicion.
Vëllaznimi – Liria 3:1
Vëllaznimi e ka regjistruar fitoren e dytë të sezonit, pasi fitoi me meritë ndaj Lirisë. Gjakovarët e gjetën veten në disavantazh në minutën e 14-të, kur Admir Karahoda i kaloi udhëtuesit në epërsi me kokë, pasi mori një top nga Fitim Krusha.
Nuk kaluan mirë as 10 minuta dhe vendësit i barazuan shifrat. Në fakt, mbrojtësi Ardian Thaçi e ndali në zonë në mënyrë të palejuar Alban Gucin dhe kapiteni Atdhe Gashi shënoi pa problem nga pika e bardhë.
Gashi doli në skenë sërish në minutën e 60-të, kur realizoi pas një gjuajtjeje të fuqishme, 2:1. Dhe vulë këtij takimi i dha Dardan Rugova, që mori një top nga lojtari i ndeshjes Gashi. Liria u tregua e pafuqishme dhe e pësoi humbjen e tretë të sezonit.
Hajvalia – Besa 2:0
Fillim Guraziu ka qenë hero i Hajvalisë edhe një herë, duke e ndihmuar ekipin e tij në fitore ndaj Besës në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në Prishtinë. Sulmuesi i shkathtë e ka kaluar ekipin e tij në epërsi në minutën e 28-të nga penalltia, pasi më parë e nxori atë vetë. Ndërkaq, Guraziu (6 gola këtë sezon) shënoi edhe golin e dytë të debutuesit të Hajvalisë, duke e mposhtur portierin Valmir Bytyqi në minutën e 86-të. Pejanët në anën tjetër treguan lojë të zbehtë dhe nuk merituan më shumë.
Raiffeisen Superliga
Tabela
1. Prishtina 12 pikë
2. Hajvalia 7
3. Vëllaznimi 7
4. Trepça 6
5. Drita 6
6. Trepça ’89 5
7. Kosova (V) 5
8. Drenica 4
9. Liria 3
10. Ferronikeli 3
11. Hysi 2
12. Besa 1