E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irlanda, kërkesë e pazakontë: Në botëror, si skuadra e 33-të

Federata i dërgon propozimin FIFA-s, pas eliminimit mes polemikave nga Franca
Vazhdojnë diskutimet pas eliminimit të Irlandës nga Franca në ndeshjet "play-off" të zonës europiane. Faulli me dorë i Tierri Henrisë, në aksionin e golit vendimtar të Gallas për "gjelat" kishte hapur polemika pa fund. Federata irlandeze i kishte kërkuar FIFA-s që ndeshja të riluhej, propozim që është hedhur poshtë. Gjithsesi, kjo nuk i dekurajoi drejtuesit e FAI-t, të cilët vazhdojnë të besojnë se kanë ende shanse që të luajnë në Kupën e Botës 2010, e cila do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Në fakt, presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka bërë të ditur se "jeshilët" pretendojnë të marrin pjesë në aktivitetin më të rëndësishëm për përfaqësuese, si skuadra e 33-të (në fazën finale luajnë 32 ekipe). Kreu i "qeverisë" botërore të futbollit konfirmoi se kërkesa u paraqit nëpërmjet një letre dhe argumentimi i përdorur për të luajtur në botëror është se gjyqtari gaboi, duke mos sanksionuar faullin e Henrisë. Sulmuesi i Barcelonës e kontrolloi topin me dorë dhe më pas e pasoi te Gallas, që barazoi rezultatin në kohën shtesë dhe eliminoi skuadrën e drejtuar nga Xhovani Trapatoni. Natyrisht, shanset që kërkesa e irlandezëve të pranohet janë minimale. Kjo edhe për shkak të formulës që përdoret: tetë grupe me nga katër skuadra secili. Megjithatë, për çudinë e të gjithëve, Blater bëri të ditur se ideja do të shqyrtohet dhe do të diskutohet gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që do të zhvillohet të mërkurën.
Numri një i institucionit që drejton sportin më popullor në glob, foli edhe për mundësinë e përfshirjes në Botërorin 2010 të gjyqtarëve të zonës. Ata do të kenë detyrën që të kontrollojnë gjithçka që ndodh përpara portave, për të mbështetur arbitrin kryesor në vendime dhe për të evituar polemikat. Mishel Platini, presidenti i UEFA-s, është njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të kësaj risie, ndërsa FIFA duket se është bindur vetëm pas episodit të golit të Francës. Lajmi u bë i ditur kur mungojnë vetëm pak ditë nga shorti i grupeve në Kupën e Botës, i cili do të hidhet të premten në Kejp Taun. "Eksperimenti me dy gjyqtarë mbrapa portave, i praktikuar në Europa League, mund të përdoret edhe në botëror", tha Blater, duke nënvijëzuar qëndrimin e tij kundër përdorimit të moviolave në fushën e lojës. "Kontrollimi i episodeve që ndodhin gjatë një ndeshjeje futbolli është në krye të axhendës sonë të punës. Si mund të evitohen momentet siç është prekja e topit me dorë në zonë? Ideja ime është që të përdoren asistentë shtesë, por edhe ata mund të mos i shohin këto gjëra". Blater zbuloi edhe një bisedë telefonike me Henri, të cilit i ka thënë se e kuptonte veprimin e tij, por nuk e ka falur për hilen që përdori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›