E Hënë, 2 Nëntor 2026

Majemi dhe San Antonio “fluturojnë”

10/05/2005  Majemi mund Uashington, ndërsa San Antonio fiton me lehtësi kundër Siatëll

Majemi (1)-Uashington (5), 105-86 (Majemi 1-0)

Duejn Uejd nuk është në mbrëmjen e tij më të mirë, ndërsa Shak O’Nil është kufizuar nga faullat. Megjithë problemet me yjet e saj, në fund fiton me lehtësi ndeshjen kundër Uizards. Majemin nuk e përbëjnë vetëm çifti i mrekullive, Shak-Duejn, por i tërë grupi u tregua skuadër e vërtetë, e cila di të fitojë në mënyra të ndryshme. Uizards tregon guxim dhe arrin të barazojë shifrat, në periodën e tretë të ndeshjes, kur ndodhej 17 pikë në dizavantazh. Diferencën në fushë e bëjnë lojtarët e pankinës së Majemit, të cilët shënojnë 36 pikë dhe hedhin k.o Arenas dhe Uashingtonin. “Duejn dhe Shak janë si katalizatorë për kundërshtarët tanë, por skuadra jonë mund të mbështetet gjithmonë edhe te lojtarë të tjerë shumë të mirë. Kundër Uashingtonit bëra pjesën time, në përballjen tjetër të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe një lojtar tjetër”, ka thënë Kejon Duling, i cili feston 25-vjetorin e tij, duke shënuar 15 pikë.

San Antonio (2)-Siatëll (3), 103-81 (San Antonio 1-0)

Soniks ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm për gjuajtjet nga distanca, si Rei Alen dhe Vladimir Radmanovic, të cilët u dëmtuan që në periodën e dytë. Spërs përfiton nga ky problem i Soniks dhe krijon avantazh përpara se të mbyllet pjesa e parë. Në pjesën e dytë ndeshja nuk ofron shumë emocione. San Antonio mban të njëjtin ritëm dhe mban nën kontroll, reagimet e zbehta të Siatëllit. “Rei Alen për Soniks është po aq i rëndësishëm, siç është Tim Dankan për ne. Një lojtar si ai, u injekton besim shokëve", ka thënë tekniku i Spërsave, Greg Popoviç. Toni Parker dhe Tim Dankan bëjnë detyrën në sulm, duke përfituar nga mbrojtja aspak brilante e Soniks.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›