E Hënë, 2 Nëntor 2026

Partizani votëbeson Memën

10/05/2005  Të kuqtë rikonfirmojnë në drejtimin e skuadrës, të njëjtin staf teknik edhe për sezonin e ri

Sipas drejtorit të klubit të Partizanit, Bujar Labinoti, të kuqtë edhe në sezonin e ri do të kenë në drejtimin e skuadrës të njëjtin staf teknik. “E vetmja gjë e sigurt për momentin është se edhe sezonin e ardhshëm do të kemi të njëjtin staf teknik”, deklaroi Labinoti. Drejtori i të kuqve ka pohuar kështu për median, atë që tashmë përflitej. Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, me gjithë ecurinë jo të mirë të skuadrës vazhdon të ketë besim të madh në aftësitë e trajnerit të tij, Sulejman Mema dhe ka ndërmend që ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, t’ia besojë përsëri Memës dhe ndihmësit të tij, Eduart Zhupës. Sa për zërat e shumtë të merkatos, ku bëhet fjalë për disa futbollistë që të kuqtë i kanë prenotuar për sezonin tjetër, si portieri i Lushnjës, Llani, sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafa, apo Orges Shehi e Vioresin Sinani të Vllaznisë, Labinoti ka mohuar gjithçka. “Asnjërin nga këta emra që kanë qarkulluar nëpër media deri tani, nuk mund t’ua konfirmoj, theksoi drejtori i Partizanit. Madje mund t’iu them se asgjë nuk është e vërtetë nga ato që shkruhen. Është e vërtetë që ne po lëvizim në merkato, madje fuqishëm, por tani për tani nuk mund t’iu them emra. E vetmja gjë e sigurt për momentin është se edhe sezonin e ardhshëm do të kemi të njëjtin staf teknik”. Mesa duket të kuqtë kanë mësuar nga pësimi i sezonit të kaluar dhe po mendojnë për ndërtimin e skuadrës së të ardhmes që tani. Partizani ka hedhur hapin e parë pozitiv, duke përcaktuar që tani stafin teknik. Kjo është pozitive, sepse për të ndërtuar një skuadër duhet filluar nga “koka” e saj dhe cilado qofshin mendimet për punën e Memës te të kuqtë, përvoja e trajnerit të të kuqve ka për të qenë një ndihmë e madhe për klubin e Partizanit, në ndërtimin e një skuadre të re. Një lajm tjetër i mirë nga të kuqtë është edhe përfundimi me sukses i operacionit të Sokol Bulkut. Mesfushori i Partizanit është operuar në Vjenë, duhet theksuar në sajë të ndihmës nga shoku i tij, Indrit Fortuzi dhe ndërhyrja kirurgjikale ka qenë e suksesshme. Bulku ka qenë i dëmtuar rëndë, para disa javësh në ndeshjen kundër Teutës, ku iu këputën ligamentet e gjurit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›