Majko: Fushata e privatizimeve, prelud i krizës tjetër
Një ditë pasi ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, njoftoi direktivën për privatizimin e gjithçkaje shtetërore, ish- kryeministri dhe deputeti socialist Pandeli Majko ngre shqetësim për fatin e pronës në Shqipëri. Gjatë një interviste për “Alsat”, Majko e sheh nismën e qeverisë, që pritet të arkëtojë nga ky proces rreth 100 milionë euro, si preludin e një krize tjetër, pa mohuar lidhjen që mund të lindë mes privatizimit fundor dhe pastrimit të parave. “Përkthehet pak a shumë me mbylljen përfundimtare të mundësisë për kthim dhe kompensim në natyrë të pronarëve të vjetër të Shqipërisë. Kjo thellohet edhe më tutje. Duke dëgjuar përfaqësuesit e qeverisë se pronarët e vjetër në momentin e shitjes së të ashtuquajturave prona shtetërore kur janë vetë pronarë të sipërfaqes në fjalë kanë të drejtën e parablerjes. Boll dhe kaq dhe arrin të kuptosh se në ç’nivel është sot marrëdhënia legale me pronën në Republikën e Shqipërisë. Ngre një pyetje shumë të rëndësishme për fatin dhe në ç’duar do të shkojnë pronat që kanë dalë ose që do të dalin në ankand për t’u privatizuar. Problemi është që pronat në Republikën e Shqipërisë të mos vijnë si një proces pastrimi parash”, tha Majko. Jo normale e ka quajtur deputeti komentin e qeverisë për t’u dhënë pronarëve të drejtën e parablerjes, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, detyrohen të blejnë diçka që është e tyre. Duke iu referuar Komisionit të Ligjeve, ku të hënën deputetët do të shqyrtojnë dy projektligjet e socialistëve, Majko shprehet pesimist. “Mendoj se është ende herët për të folur për një zgjidhje thelbësore në atë që konsiderohet krizë politike në Shqipëri. Mbledhjen e Komisionit të Ligjeve unë e pres si një histori procedurale, por nuk besoj se aty do të zhvillohet ndonjë vendimmarrje e rëndësishme, të paktën bazuar mbi informacionin që kam për momentin. Në planin personal jam shumë pesimist. Mazhoranca e këtij komisioni do të zbatojë vendimmarrjen politike, e cila është shprehur fillimisht nga Kryeministri Berisha dhe pastaj nga përfaqësues të tjerë të PD-së”, tha Majko.
#