E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Ruzhdia është maja e ajsbergut të manipulimit

Deputeti socialist, Taulant Balla, tha dje se refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur më 28 qershor përbën provën më të qartë se Kryeministri nuk është i interesuar në zgjidhjen e krizës së thellë politike dhe institucionale në vend. Sipas tij, ne e sfiduam Sali Berishën dhe pushtetin e tij, duke kërkuar transparencën e kutisë së Ruzhdies, pa qenë në dijeni të të dhënave, por me bindjen e plotë se informacionet tona janë tërësisht të sakta dhe janë të lidhura me një grabitje me përmasa skandaloze më 28 qershor. “Ne i dhamë mundësinë Sali Berishës të hapte të paktën një kuti, Ruzhdien, për të treguar se mazhoranca që ai drejton është e gatshme të zgjidhë krizën politike, për të treguar gjithashtu se nuk janë kundër transparencës, kundër standardeve europiane, kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh Balla. Tashmë, vijoi ai, që e vërteta e Ruzhdies ka filluar të shfaqet dhe fakte të reja po dalin çdo ditë, përmasat e manipulimit elektoral të 28 qershorit po bëhen gjithmonë e më të qarta. “Vetëm në një kuti votimi nga disa mijëra në Shqipëri, më shumë se 3/5 e numrave të identifikimit të votuesve janë të falsifikuara. Fakti që Sali Berisha refuzon në mënyrë të përsëritur të bëjë transparencën zgjedhore, tregon se manipulimi elektoral që ka ndodhur në Ruzhdie nuk është një rast i izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut së grabitjes së votave dhe falsifikimit të dokumenteve të identifikimit, të cilën Sali Berisha kërkon ta fshehë me çdo kusht”, nënvizoi Balla. Në vlerësimin e tij, qeverisë nuk i intereson mënyra se si votojnë qytetarët, të cilëve u shërben.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›