E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Objektivi i LSI, 120 njësi vendore në zgjedhjet lokale

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shpalosi dje në Lezhë edhe objektivat e partisë që ai drejton në zgjedhjet lokale të 2011-s. Gjatë një takimi me simpatizantët në këtë qytet, Meta theksoi se LSI-ja ka ambicie të fitojë drejtimin e 120 njësive vendore në zgjedhjet e para të ardhshme. “Disa nga objektivat tona paraprake për zgjedhjet e ardhshme vendore, që tashmë po trokasin, kanë të bëjnë me të paktën fitoren e 100 kryetarëve të komunave në të gjithë vendin, të 20 kryetarëve të bashkive”, saktësoi kreu i LSI-së. Sipas Metës, kjo parti po përgatitet për të marrë në zgjedhjet e ardhshme lokale edhe tre kryetarë të qarqeve dhe të paktën të 1500 këshilltarëve në të gjitha nivelet, komuna, bashki dhe qarqe. Po kështu Meta theksoi se përgjatë garës elektorale të vitit tjetër një peshë të rëndësishme të saj do ta mbanin edhe femrat. “Kuptohet që numri më i madh i tyre të ishin kryetare dhe këshilltare, por kjo do të varet nga angazhimi i femrave dhe grave gjatë kësaj periudhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim”, theksoi Meta. Këtë javë, kryetari i LSI-së, njëkohësisht kryediplomati Meta ka ndërmarrë takime në rrethe të ndryshme të vendit me simpatizantët e kësaj partie. Dy ditë më parë, në Lushnjë Meta theksoi se LSI-ja do të kujdesej përgjatë kësaj kohe edhe për amendime në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që partia që drejton të kishte mbështetjen e duhur ligjore gjatë garës elektorale. Në muajin shtator të vitit të kaluar, mes LSI-së së Metës dhe PD-së së Berishës u lidh edhe marrëveshja e bashkëpunimit jo vetëm për bashkëqeverisjen në këto katër vjet, por edhe për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat do të mbahen në shkurt të vitit 2010.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›