E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, PE ngre alarmin për Shqipërinë

Mesazhi Aguilar, letër komisioneres për Drejtësi: Shpëtoni shqiptarët dhe boshnjakët

Rreziku i ngecjes së dytë të Shqipërisë për liberalizimin e vizave merr edhe një shkallë më të lartë, pasi Parlamenti Europian në mënyrë institucionale e ka ngritur këtë alarm. Kryetari i Komitetit për Lirinë, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar, i ka kërkuar Komisionit Europian përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Kërkesa është bërë përmes një letre që Aguilar i ka dërguar komisioneres për çështjet e Brendshme të Komisionit Europian Cecilia Mallstrom. Në letër ai i kujton komisioneres së KE-së se në prill të këtij viti ishte parashikuar që të lexohej në Parlamentin Europian progres-raporti për vendet ballkanike, por kërkesa nuk është bërë ende. Nisur nga kjo, Aguilar thotë se vonesa vë në diskutim marrjen e një vendimi nga PE-ja brenda qershorit, kohë kur sipas tij është edhe mbyllja e sesionit të verës. “çdo vonesë, sidomos ndërmjet publikimit të raportit vlerësues dhe propozimit legjislativ pas muajit prill, zvogëlon mundësitë e Parlamentit për ta përfunduar procedurën legjislative përpara ndërprerjes së punimeve për sezonin e verës”, shkruhet në letër. Më tej, Aguilar pohon se përfshirja personale e Cecilia Mallstrom mund të bëjë ndryshimin dhe t’i lejojë Parlamentit e Këshillit të përmbushin premtimin e deklaratës së nëntorit. Ai, duke iu referuar deklaratës, kujton se në të thuhej se propozimi në fjalë do të trajtohet si çështje urgjente. Këtë letër, Aguilar i ka dërguar për dijeni edhe komisionerit europian për Zgjerimin, Stefan Fule, kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Gabriele Albertini, por edhe Eduard Kukan, kreut të Komisionit të PE-së për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Komisioni Europian në fakt ka mbaruar punën paraprake të mbledhjes së fakteve për Shqipërinë, pasi ka dërguar tri delegacione ekspertësh, të cilat kanë ardhur në Tiranë për të verifikuar arritjet e Shqipërisë në bazë të arritjeve që ka bërë qeveria shqiptare. Kushtet bazë për të marrë vendimin e Brukselit janë mirëfunksionimi i demokracisë, lufta ndaj korrupsionit dhe trafiqeve, siguria e kufijve dhe e dokumenteve zyrtare. Dy ditë më parë, ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borschardt, deklaroi se “nëse nuk zgjidhet kriza rrezikohet integrimi i vendit. Kjo gjë ndikon në vendimmarrjen e Europës kundrejt futjes së Shqipërisë në familjen e madhe dhe sistemin e Shengenit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›