E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, një humbje sa politike aq dhe personale në Kashar

Dritan Prifti 

Ishte shumë e papërgjegjshme deklarata e PS-së se beteja elektorale në Kashar ishte një betejë mes 4 individësh, duke anashkaluar çdo përgjegjësi politike për humbjen e kësaj komune në zgjedhjet e para pak ditëve.  Kjo sjellje politike është e dëmshme jo vetëm për PS, por për gjithë të majtën, dhe nëse nuk reflektohet me seriozitet, pasojat mund të vazhdojnë dhe në zgjedhjet e ardhshme.
Duke e parë realitetin në sy, unë shprehem me bindje se humbja e PS-së dhe të majtës në Kashar ishte një humbje politike personale e Edi Ramës. Ka shumë arsye për këtë humbje, por unë po përpiqem të rreshtoj vetëm disa prej tyre, që për mua janë kryesore.
Edi Rama humbi në Kashar sepse ai u identifikua dhe verifikua nga elektorati i majtë si prishësi i marrëveshjes së opozitës së bashkuar. Opozita e bashkuar fitoi zgjedhjet vendore në 2007, duke i garantuar Edi Ramës një mandat të ri dhe për 4 vjetet e ardhshëm, kurse Rama pas fitores së tij personale në Tiranë, prishi në mënyrë të njëanshme marrëveshjen të cilën e kishte nënshkruar vetë, marrëveshjen që bashkoi opozitën dhe i dha të majtëve shpresën për rikthim në pushtet në 2009. Pa firmosjen e marrëveshjes me opozitën, Edi Rama nuk do të hynte në zgjedhjet vendore të 2007. Pasi hyri në zgjedhje, dhe mbasi u botuan fotot e tij nudo në gazetat e përditshme shqiptare, ai përsëri u tërhoq nga gara. Ishte këmbëngulja e Ilir Metës dhe garancia për mbështetje që e rifuti Ramën në garë dhe i dha fitoren atij. Pavarësisht se Rama e kishte provuar forcën e opozitës së bashkuar në zgjedhje, ai përsëri zgjodhi ta prishe këtë marrëveshje. Dhe në Kashar duket qartë nga aritmetika e thjeshtë se çfarë pasojash ka prishja e marrëveshjes opozitare. Nëse mblidhen votat PS-LSI të marra në Kashar kandidati del fitues në zgjedhje. Me këto vota të ndara siç dëshironte Rama, opozita humbi në Kashar.
Edi Rama u bashkua me Sali Berishën për të shkatërruar Kushtetutën e vendit, e cila ishte votuar nga mbi 2 milionë shqiptarë në 2 referendume popullore. Populli i majtë nuk ja fal Edi Ramës bashkimin me Berishën kundër vullnetit të popullit. Kushtetuta e Shqipërisë ishte arritja më e madhe e pushtetit socialist nga 1997 në 2005. Ndryshimet kushtetuese në favor të Berishës lëkundën fort besimin e socialistëve se Edi Rama përfaqëson interesat e tyre politike.  Këmbëngulja e Edi Ramës për të mos lejuar popullin e vet të shprehet në referendum për këto ndryshime kushtetuese është një gabim që dhe politikani me ekstremist nuk guxon ta bëj. Edi Rama guxoi të ndalojë deputetët e PS-së të mos jepnin firmat që populli shqiptar të flasë për Kushtetutën e vet. Pavarësisht se populli nuk e kupton gjithmonë lojën e politikës, kur politika i heq atij të drejtën e sovranit, të drejtën të vendos për shtetin e tij, atëherë nuk ka popull që nuk kupton se Rama u shit tek Berisha. Kashari është afër Gërdecit dhe sigurisht që të majtët, që jetojnë në Kashar nuk mund të ishin dakord me përkrahjen që Rama i dha Berishës për të dalë pa lagur nga tragjedia e Gërdecit. Kryeministrat e Botës kanë dhënë dorëheqje kur gjëra shumë të vogla kanë ndodhur në kohën e qeverisjes së tyre. Ministri i Transportit në Malin e Zi dha dorëheqje se 2 trena u përplasen atje, kurse në Gjermani ministri i Mbrojtjes dha dorëheqje se përdori njëherë pa të drejtë avionin qeveritar. Qeveritarët e përgjegjshëm japin dorëheqje kur ndodhin aksidente në vendet e tyre, kurse Edi Rama nuk ishte i bindur se Berisha duhet të largohej nga pushteti pas krimit shtetëror të Gërdecit. Protestat pa zë dhe pastaj menjëherë pas Gërdecit bashkëpunimi për Kushtetutën me Berishën, i bëri të majtët në të gjithë Shqipërinë të bindur se Edi Rama është i kapur në mënyrë fatale nga Berisha. Ky bashkëpunim i pamoralshëm kam bindjen se ka ndikuar në humbjen e PS-së në Kashar. Këtë bashkëpunim e kanë kritikuar hapur dhe simbole të PS-së si Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi dhe Rexhep Meidani. 
Edi Rama ka dështuar me “politikën e re me fytyra dhe metoda të vjetra”. Kandidati i PS-së në Kashar ishte një ish-kryetar komune që nuk ofronte asgjë më shumë se më parë për atë komunitet. Politika e Ramës për një bashkim përtej së majtës dhe të djathtës i ka ftohur socialistët, sepse ata kuptojnë që PS-ja ka rënë në duar të një kryetari që ka turp të thotë se është i majtë apo socialist.  Konvertimi i Edi Ramës nga ish-anëtar i PD-së në anëtar të PS-së, sidomos pas daljes së tezave të politikës së re, i ka bërë të majtët skeptik për Ramën vetë. Themelues të PS-së shkojnë tek zyrat e partisë dhe ekipi socialistëve bashkiak nuk i njohin as për fytyrë, nuk i përshëndesin dhe nuk i njohin asnjë kontribut. Nuk mund të bësh politikë të re duke i vënë shkelmin themelit të partisë.
Edi Rama ka humbur moshën e tretë, ka humbur votat e sigurta të PS-së, me politiken e tij goditëse në krye të PS-së apo bashkisë. Në takimet e PS-së binin gjithmonë në sy flokët e thinjur dhe kapelet republike të veteranëve dhe të moshuarve. Me qëndrimin xheloz dhe pa arsye kundër ligjit të moshës së tretë që paraqiti LSI-ja në Kuvend, PS-ja tregoi se të moshuarit i ka dashur vetëm për votat e tyre. Ndryshe nuk mund të kuptohet indiferenca e Ramës dhe PS-së në mbrojtje të këtij ligji, që ofron një përkrahje shtetërore të munguar për këtë moshë të nderuar të shoqërisë shqiptare. Këmbëngulja e Ramës si kryetar bashkie për rritjen e taksave të pasurisë dhe për pensionistët e Tiranës, nuk shihet mirë nga shtresa e pensionistëve. Edhe dalja në dritë e librit të Edi Ramës “Refleksione”, ku ai quan Luftën Antifashiste, Nacionalçlirimtare (LANC) si luftë civile dhe vëllavrasëse, ka sjellë distancimin e veteranëve dhe pasardhësve të tyre nga Edi Rama dhe PS.  Dëshmorët, veteranët dhe familjet e tyre kanë qenë baza e fortë e votave të PS gjatë gjithë kohërave, sepse PS ka qenë mbrojtësja e veprës dhe idealeve të tyre, kurse në kushtet e tradhtisë së hapur të Edi Ramës ndaj historisë dhe vlerave të LANC, kjo shtresë është zhgënjyer me Ramën. Patjetër që këto zhvillime kanë pasur efekt në braktisjen që i ndodhi PS në Kashar. Njerëzit nuk shohin fjalët e bukura, por ata kanë filluar të shohin veprat e politikanëve.
Edi Rama ka humbur dhe votën e rinisë me sjelljen e padenjë që ka mbajtur ndaj FRESSH-it, duke e paralizuar ketë organizatë rinore, vetëm për të zëvendësuar atë në krijesa të politikes së re si G99, apo ndonjë grupim tjetër. Edi Rama nuk e respekton FRESSH-in dhe historinë e tij, ai nuk respekton drejtuesit e tij, ai nuk respekton aspiratat e rinisë për politikë, dhe kështu që ka humbur këtë votë, e cila e bënte atë personalisht nëpër zgjedhje të merrte disa për qind më shumë se votat e PS. Edi Rama e ka braktisur rininë dhe nuk mund ta gënjej atë me fusha basketbolli me 1 kosh, apo fusha futbolli me 1 portë, që bën mes betonit të pallateve, që ja ka dhënë ai lejen.
Edi Rama nuk frymëzon me askënd me qeverisjen e Tiranës. Kasharasit nuk duan ta bëjnë Kasharin si Tirana, me beton e pa hapësira, me plehra dhe pa gjelbërim. Sigurisht që Tirana ka ndryshuar për këdo që e sheh atë me realizëm. Tirana ka ndryshuar nga miliardat e parave që kanë hedhur aty investitorët privatë dhe firmat e ndërtimit. Tirana ka ndryshuar nga miliardat e parave, që kanë hedhur aty gjithë qeveritë socialiste, duke filluar nga Ilir Meta  Edi Rama ka qenë mjeshtër për të përvetësuar këto kontribute të privateve e qeverive. Unë mbaj mend shumë mirë se si Edi Rama kundërshtonte Ilir Metën për të prishur kioskat e parkut “Rinia”, dhe pasi Meta këtë e bëri me iniciativën dhe këmbënguljen e tij, atëherë Edi Rama filloi të përvetësonte meritat.  Po të kishte qeverisur mirë Edi Rama në Tiranë, qyteti duhet të kishte të paktën një plan rregullues sot. Askush nuk mohon që Tirana ka bërë progres, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që biznesi privat me iniciativat dhe kapitalin e tij ka pjesën më të madhe të kontributit, pastaj qeveria dhe pastaj Bashkia e Tiranës. Si një njeri që ka jetuar në Tiranë që në moshë të vogël, unë e shoh me keqardhje betonimin pa kriter të Tiranës. Disa pjesë të Tiranës janë prishur në mënyrë të pakthyeshme. Pavarësisht se Tirana është qyteti ku jetojnë dhe duan të vijnë të jetojnë shumica e shqiptarëve, shumica e tyre në thellësi të shpirtit të tyre donin të shihnin një Tiranë tjetër, një Tiranë me parqe dhe sheshe argëtimi, një Tiranë me gjelbërim dhe pa pluhura e plehra, një Tiranë që respekton historinë më shumë se betonimin.  Kashari ka filluar të ngjajë me Tiranën përsa i përket betonimit dhe lejeve të ndërtimit pa kriter. Kam bindjen se këtë nuk e kanë më shumë zemër votuesit e Kasharit.
Edi Rama është një shembull jo i mirë në jetën e tij private apo shoqërore. Eshtë një shprehje që përdoret shpesh nga analistët politikë, ajo thotë: “Private victories proceed public victories”, (d.m.th., fitoret në jetën private paraprijnë fitoret në jetën publike). Edi Rama ka dështuar plotësisht në jetën private. Ata që e njohin Edi Ramën nga afër nuk kanë se për çfarë ta mburrin. Ata pak shokë që i qëndrojnë akoma afër Edit janë aty për interes, të tjerët e kanë braktisur nga intrigat, egoizmi apo vulgariteti që e karakterizon. Duke dashur mos të hyj në jetën e tij private, pavarësisht dhjetëra fakteve tronditëse, po e lë me kaq. 
Mua shpesh më kritikojnë se flas shumë hapur në politikë dhe se duhet të kem kujdes. Hapur kam folur këtu dhe për Edi Ramën me shpresë që ai të reflektojë për 2009. Edi Rama është qartësisht përgjegjësi kryesor për humbjen në Kashar. Ai është qartësisht rreziku kryesor për fitoren e opozitës në 2009. Në Kashar parulla kryesorë e PS-së në zgjedhje ishte “Bashkohuni me Edi Ramën”. Ata që kanë vizituar Kasharin në këto zgjedhje i kanë parë parullat e mëdha publike të afishuara gjithandej.  Njerëzit nuk u bashkuan me Edi Ramën në Kashar, për gjithë këto arsye që unë përmenda në këtë shkrim. Shpresoj që në analizë të fundit Edi Rama të reflektojë për fitoren tonë të përbashkët në 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›