E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti “Ismail Qemali” mes patriotizmit dhe korrupsionit

Mark Marku 

Vendimi i senatit të Universitetit të Vlorës për heqjen e emrit të Ismail Qemalit, ka shkaktuar një debat të fortë në opinionin publik. Ngjarja është bërë shkas për kritika të forta ndaj këtij vendimi, kritika që si argument të parë dhe kryesor kanë pasur cenimin e një prej figurave më simbolike të historisë shqiptare, Ismail Qemalit, i fiksuar në ndërgjegjen dhe historinë e Shqipërisë si themeluesi i shtetit të parë shqiptar. Autorët e këtij vendimi të përfaqësuar nga rektori i këtij universiteti, zoti Tanush Shaska, janë mbrojtur me argumentin se ky akt nuk ka pasur si qëllim denigrimin e Ismail Qemalit, por “ndërkombëtarizimin e Universitetit të Vlorës” dhe “marketizimin e tij”.
    Zelli në debat ka qenë aq i madh sa janë harruar disa elementë të rëndësishëm, që na çojnë në njëfarë mënyre drejt ndriçimit të asaj që ka ndodhur. Sepse në fakt heqja e emrit të Ismail Qemalit nga ky universitet vetëm me ndërkombëtarizimin e këtij universiteti nuk ka të bëjë. Kjo për arsyen e thjeshtë se si Ismail Qemali, ashtu edhe Vlora nuk kanë ndonjë domethënie të madhe në arenën ndërkombëtare. Madje, edhe sikur të kishin ndonjë domethënie ndërkombëtare, emri dhe prestigji i një universiteti nuk varen nga emërtimet që u vihen atyre, por nga cilësia e diplomave që prodhojnë. Rritja e prestigjit të një universiteti në arenën ndërkombëtare fillon nga përmirësimi i cilësisë dhe kushteve të mësimdhënies, gjë që do të thotë përmirësim i kurrikulave, i nivelit të stafit akademik dhe i infrastrukturës së universiteteve, vazhdon me pjesëmarrjen në projektet shkencore ndërkombëtare dhe me suksesin e universitetit në këto projekte. Nga ana tjetër, nuk ka nevojë të jepen argumente patriotike për emrin e Ismail Qemalit, pasi statusi i tij ndër shqiptarë dihet: ai është themeluesi i shtetit të parë shqiptar dhe kjo është e mjaftueshme për të qenë historikisht i përjetësuar.
    Logjika të thotë se ka diçka tjetër në këtë histori. Dhe për këtë na ndihmojnë dy të dhëna, të cilat janë anashkaluar në këtë debat. E dhëna e parë ka të bëjë me faktin se vendimi i senatit është paraprirë nga shpërndarja e diplomave, ku praktikisht para se të merrej vendimi për heqjen e emrit dhe para se një gjë e tillë të miratohej nga qeveria, ky vendim është bërë një fakt i kryer. Një akt i tillë është një shkelje e pastër ligjore dhe do të ishte i mjaftueshëm për ta shkarkuar titullarin e këtij institucioni dhe për t’ia dorëzuar atë organeve gjyqësore. Kështu që në vend të këtij debati publik ku ai po denoncohet si antishqiptar, do të ishte më e udhës që ai të denoncohej si shpërdorues i detyrës dhe si falsifikator diplomash, gjë që sipas legjislacionit shqiptar, do t’i kushtonte disa vite burg. Nderi i Ismail Qemalit do të mbrohej më mirë nëse 90 vjet pas krijimit të shtetit të tij, ky shtet të tregonte se di t’i mbrojë ligjet e tij dhe se mund t’i dërgojë shkelësit e këtyre ligjeve para gjyqit. Rektori i këtij universiteti është një nga këta shkelës.
Të dhënën e dytë e nxjerrim nga intervista që vetë rektori i këtij universiteti jepte për mediat pas marrjes së vendimit. Sipas tij, ky vendim ishte marrë pasi universiteti “Ismail Qemali” po ndërkombëtarizohej dhe për këtë jepte si shembull kërkesat për regjistrim në këtë universitet nga disa vende arabe. Nga ajo që kuptohej mes rreshtave të intervistës së rektorit, emri i Ismail Qemalit ishte pengesa që ky universitet të konsiderohej si ndërkombëtar nga kjo kategori studentësh, ose kurbani i pranimit të tyre në këtë universitet. Një gjë e tillë ngre mjaft dyshime ndaj arsyeve pse studentë nga këto vende duhet të ndikojnë në heqjen e emrit të Ismail Qemalit. Natyrshëm lindin disa pyetje shqetësuese. Për shembull: Mos ky universitet është piketuar si një qendër e trafikimit ndërkombëtar të diplomave për botën e Lindjes? Mos ai do të shërbejë si bazë për prodhimin e terroristëve të ardhshëm të diplomuar, që më pas mund të depërtojnë në Evropë? Mos vallë ky universitet është piketuar si një universitet i fshehur islamik dhe emri i Ismail Qemalit e dekonspiron këtë projekt? Çfarë ka parasysh rektori kur thotë se emrin e universitetit e ndërrova për ta marketizuar atë?
    Pyetje të tilla natyrisht e kërkojnë një përgjigje. Dhe përgjigjja duhet të jetë shtetërore, ligjore, e qartë për publikun. Ka të ngjarë që të mos kemi të bëjmë me lajthitjen e një rektori, as të disa senatorëve, por me një aferë të dyshimtë që në rastin më të mirë mund të jetë një aferë korruptive dhe në rastin më të keq, një aferë terroriste. Intervista e ish-ministrit të Arsimit z. Genc Pollo, dhënë një stacioni televiziv ta përforcon këtë dyshim. Nga sqarimet e ish- ministrit lihej të kuptohej se ai jo vetëm kishte dijeni për këtë çështje, por edhe se e kishte nxitur një gjë të tillë, pasi gjatë gjithë intervistës e mbronte rektorin dhe vendimin e tij. Në qoftë kështu duket se jemi para një skandali të ngjashëm me atë të Gërdecit, shpërthimi i të cilit nuk ndodhi për shkak se fatmirësisht ndërgjegjja patriotike nuk është shuar ende tek shqiptarët. Por do të ishte mirë që debati patriotik që e ka penguar shpërthimin të mos shërbejë edhe për ta mbuluar skandalin. Ai duhet të përballohet ligjërisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›