E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndryshimet kushtetuese fuqizuan kryeministrin”

 

Aristir Lumezi

"Të shmangim në vendet tona, të Ballkanit, regjimin e kapitalizmit oligarkik, që kontrollon gjithë jetën politike, institucionale, ekonomike etj". Kryetari i LSI-së, Ilir Meta gjatë fjalës së tij në panelin "Për një Ballkan të ri social", në Madrid, gjatë punimeve të Këshillit të Partisë Socialiste Evropiane, trajtoi fenomenet negative që po shfaqen në jetën politike, ekonomike dhe institucionale në këtë rajon. "Ne duhet të shmangim në vendet tona, të Ballkanit, regjimin e kapitalizmit oligarkik, që kontrollon gjithë jetën politike, institucionale, ekonomike dhe që thellon polarizimin shoqëror, duke u kthyer në një potencial për konflikte sociale dhe destabilitet politik dhe shoqëror, sepse në kushtet kur institucionet janë të dobëta, sidomos ato rregullatore të tregut, ku pavarësia e drejtësisë është ende e cenueshme, sidomos nga Qeveria", tha Meta. Sipas tij, "përpjekjet e grupeve të caktuara, për t'u pasuruar në mënyrë jo vetëm abuzive, por edhe të pakufishme, padyshim që devijon një pjesë të mirë të rritjes ekonomike, e cila mund të shkonte për qëllime sociale. Kjo rrit varfërinë dhe shton potencialin për krizën". Meta u shpreh se vendet tona kanë një stabilitet ende të brishtë, i cili kërkon ndërmarrjen e reformave, që garantojnë jo vetëm rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike, por edhe politika sociale të mençura dhe me vizion, larg populizmit dhe qëllimeve të ngushta elektorale.
Në këtë drejtim, Meta theksoi së pari forcimin e institucioneve dhe të stabilitetit institucional në vendet e Ballkanit, pasi ende institucionet janë të dobëta, ngaqë ende ligji nuk zbatohet në mënyrë efektive dhe pavarësia e drejtësisë ende mbetet shumë e kufizuar. Kjo vjen si pasojë e mendësisë që trashëgojnë këto vende dhe një pjesë e drejtuesve të tyre, që është autoritare, tipike si ajo e partisë në shtet. Dhe në këtë këndvështrim Meta solli si një precedent tepër negativ, ndryshimin e Kushtetutës në Shqipëri, në mënyrë jo transparente, krejtësisht për qëllime të ngushta dhe me pasoja afatgjata për pavarësinë e institucioneve dhe sidomos të Drejtësisë. "Këto ndryshime kanë sjellë edhe një frymë autoritariste përmes mbifuqizimit të pozicionit të Kryeministrit, në kurriz të parlamentarizmit", tha kreu i LSI.
Duke vazhduar më tej, Meta u shpreh se "një rëndësi të madhe do të marrë, për zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit, i cili në Shqipëri po kthehet në një problem, gjithnjë dhe më të madh, edhe pse Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit, jo vetëm për të rritur të ardhurat, por edhe për të punësuar një pjesë të mirë të njerëzve. Por, Qeveria aktuale ka dhënë shumë leje për ndërtim fabrikash çimentoje, jashtë kritereve dhe standardeve mjedisore, duke rrezikuar qëllimin e turizmit dhe një nga pjesët më të bukura të vendit", theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›