E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, notat për gjimnazistët e kryeqytetit



Jonida Tashi

Publikohen zyrtarisht notat e provimeve me zgjedhje të Maturës. Mesditën e djeshme, pjesa më e madhe e gjimnazeve të kryeqytetit kanë bërë afishimin e listave me rezultatet e provimeve me zgjedhje. Ndërkohë që jo të gjithë drejtuesit e shkollave të mesme në Tiranë janë treguar korrekt me afishimin e listave, pasi midis tyre ka pasur edhe nga ata që e kanë neglizhuar me vetëdije këtë proces, duke i kthyer maturantët pa nota në shtëpi. Një rast i tillë është evidentuar në gjimnazin “Ismail Qemali” në kryeqytet, drejtuesja e të cilit, megjithëse ka parë dyndjen e maturantëve për të mësuar notat nuk e ka vënë aspak “ujin në zjarr” për të bërë publikimin e tyre. Pas marrjes së notave për dy provimet me zgjedhje, maturantët kanë afat deri ditën e premte të kësaj jave, për të bërë ankimimin e rezultateve. Nga listat e publikuara, vihet re se niveli i maturantëve në këto provime ka qenë mesatar me kah drejt atij të ulëtit. Jo një maturant, por disa të tillë kanë marrë edhe notat mjaft të ulëta në këto provime, duke filluar që nga ajo 0.50 deri te 3. Ndërkohë që edhe numri i maturantëve që kanë rezultuar mbetës (rreth 7 mijë të tillë) në këto provime është më i lartë krahasuar me vitet e kaluara. Në provimet me zgjedhje të Maturës morën pjesë rreth 39 mijë maturantë, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre do të kenë mundësi të ulen në auditorë këtë vit.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›