E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset autoambulanca, vdes pacienti-foshnjë

AKSIDENTI/ Një parakalim i gabuar i drejtuesit, si dhe shpejtësia e automjetit përballë kanë shkaktuar aksidentin


KURBIN - Transportonte një foshnjë dhe një 60-vjeçar nga Peshkopia për në Tiranë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, por autoambulanca është përplasur me dy automjete të tjera duke shkaktuar vdekjen e pacientit të vogël që kishte në bord, si dhe plagosjen e shtatë personave të tjerë të përfshirë në këtë aksident. Ngjarja ndodhi ditën e hënë rreth orës 13:00 në aksin rrugor Milot - Fushë-Krujë, pranë fshatit Gjorm të rrethit të Kurbinit. Pas aksidentit, ku gjeti vdekjen foshnjë, policia ndaloi drejtuesin e autoambulancës, si dhe një nga drejtuesit e dy automjeteve të tjera.

Ngjarja


Aksidenti ndodhi dje rreth orës 13:00, ku autoambulanca që transportonte dy të sëmurë nga Dibra në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës u përplas fillimisht me një automjet tip "Benz" me targa të Laçit dhe më pas me një tjetër "Benz" me targa të Lezhës. Ambulanca që drejtohej nga shtetasi Guri Lala po udhëtonte me nxitim drejt Tiranës dhe gjatë tentativës për të parakaluar një automjet, i është prerë rruga në mënyrë të menjëhershme nga automjeti që drejtohej nga Sokol Ndreka, banor i Durrësit. Përplasja e këtyre dy automjeteve ka provokuar edhe një tjetër përplasje me një automjet tip "Opel" që drejtohej nga Dritan Meklesvani. Si pasojë e këtyre përplasjeve ka gjetur vdekjen foshnja me iniciale S.T., ndërsa kanë mbetur të plagosur shtetasit Abduhrraman Çeliku, 60 vjeç, i cili po dërgohej në Spitalin Ushtarak, Lule Çeliku 56 vjeçe, Taulant Çeliku 20 vjeç, Teuta Topuzi 55 vjeçe (gjyshja e foshnjës), si dhe infermierja e maternitetit, Fatmira Manreka 40 vjeçe, që të gjithë banorë në Peshkopi të rrethit Dibër. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Hetimi


Sipas burimeve zyrtare të policisë, shkak i këtij aksidenti ka qenë një ndërprerje e menjëhershme e rrugës nga ana e drejtuesit të mjetit të drejtuar nga Ndreka, si dhe parakalimi i shpejtë i autoambulancës. Gjatë këtij aksidenti ka mbetur i plagosur edhe drejtuesi i automjetit me targa të Laçit, i cili pas ndihmës së dhënë në spitalin e qytetit të Laçit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, si ai ashtu edhe drejtuesi i autoambulancës, pas marrjes së mjekimit janë ndaluar nga forcat e policisë, ndërsa do të përgjigjen për akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›