E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko, Mejdani dhe Malaj, kandidatë për kreun e PS

Konfirmohet lëvizja për largimin e Edi Ramës
Pas dështimit në zgjedhjet parlamentare 2009, socialistët përgatiten për zgjedhje të reja, tashmë brenda partisë së tyre. Kreu dështak i PS, Edi Rama pritet të zëvendësohet së shpejti. Kur ky i fundit mori drejtimin e Partisë Socialiste në vitin 2005, u premtoi socialistëve 2 prioritete të mëdha. Epokë të re për PS dhe rikthimin e saj në pushtet. Por realiteti tregoi se demagogjia e Ramës mbeti thjeshtë si e tillë dhe socialistët nuk mundën të preknin dot as epokën e re dhe as pushtetin e premtuar prej tij. Në këtë situatë, socialistët pohojnë se deri tani janë bërë gati 3 kandidatura për kreun e PS, Pandeli Majko, Rexhep Mejdani dhe Arben Malaj.Ky i fundit njihet si një ndër kontestuesit më të fortë të Ramës, nga ana tjetër si njeriu më i afërt i Fatos Nanos. Me ta mësohet se janë bashkuar edhe një grup deputetësh, për shkak të humbjes që u serviri kreu i tyre, Edi Rama. Në këtë mënyrë, Ramës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të japë dorëheqjen, ashtu siç pati deklaruar gjatë fushatës, nëse do të humbiste zgjedhjet, ose të presë largimin e dhunshëm nga vetë socialistët. Këta të fundit pohojnë se Rama mund të hipotezojë një kandidim tjetër të radhës për të qenë sërish kryetari i tyre, por ai në të vërtetë nuk mund të qëndrojë më në krye të PS sepse ka precedent Fatos Nanon. Në zgjedhjet e vitit 2005, Nano pati deklaruar se nëse do të humbiste zgjedhjet, do të jepte dorëheqjen si kryetar i PS. Dhe ashtu ndodhi. Nano dha dorëheqjen, duke u bërë shembull edhe për pasardhësin e tij Rama, i cili në të vërtetë duket se nuk ka dëshirë ti përmbahet këtij realiteti. Një grup socialistësh pohojnë se pritet vetëm rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, pas kalimit në kolegj zgjedhor dhe shpalljes përfundimtare nga KQZ, dhe brenda partisë së tyre do të nisë lëvizja institucionale për zgjedhje të reja brenda saj. Sipas tyre, zgjedhjet e reja do të bëhen duke respektuar rregullat demokratike dhe statutin e partisë. Ndërkaq, surprizë për socialistët do të jetë ardhja e liderit të tyre historik, Fatos Nano. Afrimi i tij në strukturat e Partisë Socialiste pas 4 viteve larg tyre, pritet të përcaktojë fatin e PS dhe Edi Ramës.       
Tensioni në selinë rozë
Ndërkohë gjendja në kampin rozë vazhdon të jetë e tensionuar dhe socialistët kanë humbur besimin tek kreu në ikje Edi Rama. Rama ik, vazhdon të zhurmojë shkujdesshim nëpër korridoret e selisë rozë, drejtuar kreut të tyre dështak dhe kryeneç. Ata jo vetëm që ndihen të zhgënjyer nga humbja e zgjedhjeve, por për më tepër edhe nga loja e ndyrë që vetë Rama bëri në kurriz të tyre. I gjithë besimi që socialistët i dhanë Edi Ramës, u shpërdorua nga ky i fundit në bazë të interesave të tij vetiake, duke sjellë qëndrimin e tyre edhe për 4 vite të tjera në opozitë. Ashtu siç e kishte deklaruar vetë Rama, që nuk është politikan, ashtu edhe rezultoi. Dështimi i tij në këto zgjedhje, tregoi qartë se kurthi i ngritur prej tij në bashkëpunim me Berishën për të eliminuar përfundimisht partitë e vogla, e zuri brenda vetë atë. Por nëse Rama rezultoi dështak në politikë, gjatë këtyre zgjedhjeve ai tregoi edhe anë të tjera negative të mbrujtura brenda tij si mashtruesin, mospërgjegjësin dhe intrigantin. Llogaritë e planifikuara si rezultateve nga PS, dolën gabim duke shkaktuar reaksion tek e majta, e më tepër vetë brenda PS, e cila humbi pushtetin. Por në vend që të pranojë humbjen dhe të reflektojë me qytetari përsa shkaktoi, Rama ka bërë të kundërtën. PS dhe koalicioni i saj humbën në masën 53%, kundrejt PD dhe koalicionit të saj, dhe për këtë Rama ka akuzuar direkt Kastriot Islamin, duke e cilësuar si specialistin e formulës së dështuar, në përgatitjen e ligjit proporcional rajonal. Rama kërkon të shmangë përgjegjësinë nga vetja, për atë çka i bëri PS dhe të majtës shqiptare si forcë politike. Por Rama harron se tashmë dihet gjerësisht se ky ligji proporcional rajonal që fundosi partitë e vogla por edhe vetë PS, u hartua nga Edi Rama, Xhorxh Soros, Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të Sali Berishës në vitin 2007. Ishte kjo kupolë, ajo që hartoi ligjin e aq shumë lakmuar nga Rama, vetëm për të përjashtuar nga pushteti Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por egoizmi i tij i cili arriti deri në gjithçka ose asgjë, i theu hundët, duke e lënë me gisht në gojë përsa i përket ambicies së tij për të qeverisur vendin. Tashmë Rama jo vetëm që ra në gropën që i ndërtoi shokut, por madje është ai që do të detyrohet ti kërkojë ndihmë shokut për të dalë që aty.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›