E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja problemet që mundojnë plazhin e virgjër të Spillesë

Bregdeti shqiptar, i harruar nga investimet dhe dora e shtetit  
Plazhi i Spillesë në bregdetin e Kavajës është ndër të paktët plazhe të bregdetit shqiptar që është ruajtur deri tani nga ndërtimet pa kriter. Ai nis aty ku përfundon plazhi i Gjeneralit që është në territorin e komunës Synej dhe vazhdon deri në afërsi të plazhit të Divjakës, në zonën e Lushnjës. Ky territor është pjesë e komunës së Kryevidhit dhe gjendet në një largësi prej 14 km nga aksi i rrugës nacionale Plepa-Rrogozhinë me drejtim në Spille. Sipërfaqja ranore e tij është mjaft e madhe, pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij plazhi ka një gjerësi të brezit të rërës që shkon nga 100-150 metra dhe pas këtij brezi është i mbrojtur nga masivi i pishave.Edhe masivi i pishave është cilësuar pasuri kombëtare dhe deri tani është mbrojtur nga personat që tentojnë prerjen e tyre dhe ngritjen e ndërtimeve. Në Spille, ku gjendet plazhi me rërë dhe ujë shumë të pastër, ka shumë pak hotele dhe njësi në shërbim të pushuesve. Gjithsej llogaritet të jenë 15-20 hotele me 4-5 kate secili. Ata filluan të ndërtoheshin pas vitit 1994 dhe tashmë ndërtimet në afërsi të plazhit nuk kanë ndryshuar ritmin. Komuna e Kryevidhit ka bërë të ditur se zona ku futet plazhi do ti nënshtrohet një studimi urbanistik të detajuar, madje për këtë janë ftuar studio të huaja për të hartuar masterplanin. Në dallim nga plazhet dhe vendet e tjera, në Spille ambientet e hoteleve janë llogaritur për të pritur familjet tradicionale dhe persona që mund të qëndrojnë bashkë në një dhomë. Dhomat e hoteleve kanë një krevat dopio, një krevat marinari, një krevat tek, tualet, kuzhinë, kondicioner dhe ballkon me pamje nga deti. Aktualisht pushuesit nuk janë të shumtë në numër dhe çmimi i një dhome të tillë është 2000 lekë nata. Pronarët e hoteleve për pushues që vijnë nga Kosova ose Maqedonia, çmimin e konvertojnë në euro, pra nga 2000 lekë nata, për këtë kategori peshuesish bëhet 20 euro. Mynyr Lusha, pronar i një hoteli shprehet se piku i kërkesave për dhoma në plazhin e Spillesë është periudha nga 15 korriku deri në 10 gusht, ku çmimi i dhomave shkon 3000-3500 lekë, ndërsa kur vijnë pushues të pasur çmimi është edhe më i lartë. Problemet kryesore për pronarët e hoteleve sot për sot janë mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza, era e keqe që shkaktohet nga ta si dhe mungesa e një plani rregullues për zonën në fjalë. Pothuajse të gjitha hotelet në katin e parë të tyre kanë restorante, ku serviret menu tradicionale shqiptare dhe mesdhetare. Vendin kryesor e zënë prodhimet e detit, peshku, midhjet, karkalecat etj. Hotelet e kësaj zone pavarësisht se në dukje japin idenë se kanë investuar për një kategori të turizmit familjar, kanë menduar edhe për ata që kërkojnë kushte shtesë. Një prej tyre ka krijuar katër suita luksoze në kushte maksimale që lidhen me një bar në tarracë, disko në katin e nëndheshëm të hotelit si dhe plazh privat me bar në dispozicion të tij.
Itinerari për në Spille
Pushuesit që kërkojnë të shkojnë në plazhin e Spillesë duhet të dinë se ai gjendet pas kodrave të Kryevidhit që zbresin në det. Për ata që nisen nga Tirana dhe Durrësi duhet të kthehen në fshatin Harizaj, fshat i cili gjendet sapo kalon qytetin e Kavajës. Sapo lë autostradën Plepa-Rrogozhinë në këtë pikë, plazhi është vetëm 14 km larg. Për ata që nisen nga Tirana duhet të dinë se nga kryeqyteti deri në këtë pikë të autostradës largësia është 62 km, ndërsa deri në plazh duhet të përshkojnë 76 km rrugë në total. Në kushte normale të trafikut kjo distancë mund të përshkohet në një orë e 15 minuta, me kusht që të shmanget ora 09.00-11.00 në ditët e shtuna dhe të diela në zonën e Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës. Punimet që bëhen në këtë vend për zgjerimin e rrugës shkaktojnë trafik mjaft të rënduar. Nga fshati Haraizaj deri në Spille distanca është 14 km dhe koha për ta përshkuar atë është 15-20 minuta. Rruga është e asfaltuar në pjesën më të madhe të saj, ndërkohë që investimi është duke vazhduar dhe brenda pak ditësh mendohet të asfaltohet e gjithë rruga. Kjo është një fitore e madhe për këtë zonë dhe sidomos për zhvillimin e turizmit, pasi të shkoje në Spille në gjendjen e mëparshme të rrugës, ka qenë mjaft e lodhshme dhe torturuese. Plazhi frekuentohet shumë nga pushues që vijnë nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi, shumica  e të cilëve janë pushues ditorë që vijnë me mjetet e tyre në këtë zonë. Për të udhëtuar deri në këtë vend është e këshillueshme që të përdoren autoveturat personale, ose një udhëtim i organizuar me furgonë ose mikrobusë. Linjat e udhëtimit nga Kavaja deri në Spille janë ende larg atyre që duhet për pushuesit dhe kërkesat gjithnjë në rritje të tyre. Zona e rërës është mjaft e pastër, ndërsa në rrëzë të kodrave ndërtimet kanë filluar tek-tuk. Çmimi i tokës në kodër është rritur ndjeshëm vitet e fundit, pasi një sipërfaqe prej 1000 m2 në kodër nuk shitet më pak se 40 mijë euro. Toka që është më afër plazhit ka vlerë pothuajse sa dyfishi i asaj që është në kodër. Në brezin e rërës ka disa ndërtime që janë bërë në kohë të ndryshme, të cilat duket se janë maskuar për të mos rënë shumë në sy, duke qenë se për to është përdorur druri. Shumica e mini restoranteve dhe fast food-eve janë bërë prej druri, megjithëse bazamenti i tyre është prej betoni.
Ndotja problemi kryesor, shteti indiferent
Pastërtia e ujit dhe e rërës në këtë plazh duket se ka një armik të rrezikshëm, ndotjen nga ujërat e zeza dhe erën e keqe. Ujërat e zeza të hoteleve që janë më afër plazhit derdhen rreth e rrotull tyre dhe shkaktojnë një erë mjaft të rëndë në orët e pasdites. Jo të gjithë hotelet e kanë një problem të tillë, sepse shumica kanë ndërtuar gropa septike. Nga ana tjetër rrjet kanalizimesh këtu nuk ka, por zona e rërës dhe uji i detit janë të mbrojtur nga kjo ndotje, për shkak se mbrohen nga masivi i madh i pishave. Ai ka një shtrirje paralel më bregun e detit në një gjatësi që shkon deri në 6 km. Sipërfaqja e masivit që ruhet si park kombëtar, shkon më shumë se 600 hektarë. Investimet në zonën e plazhit nuk ndihen fare, asgjë nuk është bërë, rrugë që lidhen me njëra-tjetrën të paasfaltuara, pluhur i madh, ferra dhe erë e keqe. Dora e shtetit ka munguar në gjithë këto vite dhe kërkohet një vëmendje më e madhe në drejtim të zonës turistike. 
Last Updated on Saturday, 04 July 2009 05:11

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›