E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Pikat ku do bazohet programi politik

Majko shprehet se programi, që do të hartojë kjo forcë politike duhet të kthejë besimin tek votuesit shqiptar, se po votojnë një alternativë


TIRANË- Mungesa e një rezultati pozitiv në zgjedhjet e shkuara parlamentare, ka detyruar socialistët që përveç luftës së tyre për të bërë transparencën e këtij procesi, të nisin edhe vet-korrigjimin për gjerat që nuk shkuan mirë në të.


Natyrisht një nga aspektet më të kritikuara të kësaj fushate edhe nga eksponentë me peshë të saj, ishte edhe programi politik. Për këtë arsye, kryesia dhe më pas Asambleja Kombëtare miratuan disa ditë më parë grupin e punës, që do të punojë për korrigjimin dhe përshtatjen e këtij dokumenti bazë të kësaj force me zhvillimet e reja në vend.


Grupi i punës kryesohet nga kryetari i PS-së Edi Rama dhe në të bëjnë pjesë figura të njohura historike të kësaj force si ish-presidenti Rexhep Mejdani, ish-kryetari i Kuvendit, Sërvet Pëllumbi, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani apo edhe ish-kryeministri socialist Pandeli Majko.


Ky i fundit ka treguar dje se ku do të përqendrohet puna e këtij grupi, i cili do të diskutojë me anëtarësinë rreth propozimeve për ndryshimet në program.


Pavarësisht propozimeve, që mund të vijnë nga poshtë, pra nga diskutimi me anëtarësinë gjatë këtyre tre muajve, ai shprehet se pikat kryesore ku do të përqendrohet puna do të jenë pikërisht ato që kanë të bëjnë me raportet e PS-së me shtresa të ndryshme shoqërore, të cilat deri më tani janë konsideruar prej saj çështje të huaja për vet natyrën e tyre.


Kështu, Majko thekson se programi i ri politik do të ketë si bazë riparimin e marrëdhënieve të krisura mes votuesve dhe politikës, pjesë e së cilës është edhe partia Socialiste.


Në këtë aspekt ai vë theksin në rregullimin e marrëdhënieve me ato grupe sociale siç janë ish të përndjekurit dhe ish pronarët, pavarësisht se ato konsiderohen dhe njihen si mbështetëse të së djathtës në vend. "Shteti shqiptar, në marrëdhënie me pronarët, është në kufijtë e një krimi të mirëfilltë ekonomik", - shprehet Majko.


Një tjetër çështje ku ai mendon se duhet të përqendrohet puna është edhe tek oferta që jep Partia Socialiste për problemin e mprehtë të legalizimeve, i cili natyrisht prek një kategori tepër të gjerë qytetarësh të cilët kanë ndërtuar pa leje në gjithë këto vite qoftë në rrethinat e qyteteve të mëdha ashtu edhe në brendësi të tyre.


Në tërësi, ish-kryeministri socialist thekson se programi që do të hartojë kjo forcë politike duhet të kthejë besimin tek votuesit shqiptar se po votojnë një alternativë të sigurt dhe jo thjeshtë një forcë politike.


Natyrisht gama e ndërhyrjeve në program do të jetë më e gjerë, ku nuk do të mbeten jashtë fokusit orientimi për politikat e punësimit, bujqësisë, shëndetësisë, apo edhe politika e jashtme.


Megjithatë kjo i mbetet të ardhmes pasi më parë grupi i punës duhet të përcaktojë dhe të paraqesë brenda datës 25 tetor axhendën e punës së vet, ku duhet të detajojë veprimtarinë e vet deri në fund të muajit dhjetor, ku të ketë përfunduar një draft program.


Më pas, ai është programuar të debatohet me grupet e interesit si dhe me specialistë të fushave përkatëse dhe për të qenë gati për miratim në kongresin që do të mbahet në muajin prill.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›