Majko: Po bashkëpunimit me partinë e Topit

Pandeli Majko / Foto arkiv
Luis Tanushi
Përkundër deklarimit të shprehur nga kryetari i opozitës, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me dy partitë e reja. Në statusin e tij në Facebook, ish kryeministri shprehet në favor të bashkëpunimit më Partinë Aleanca Kuq e Zi dhe me partinë e re e cila do të drejtohet nga Presidenti, Bamir Topi. Një prej deputetëve më të vjetër të opozitës, thekson se opozita do të ishte e hapur për këdo që do të shfaqe vullnetin për të ndryshuar situatën.
Pse nuk duhet të bashkëpunojmë me partitë e Oketës dhe Spahiut?! Në pushtet bashkëpunimi është i lidhur edhe me matematikën. Në opozitë, “vendin” e meriton kushdo që shfaq vullnet për të ndryshuar situatën me votën e lirë, thuhet në mesazhin e deputetit Majko. Partia Socialiste është shprehur kundër bashkëpunimit me AK-në apo me partinë në formim e sipër të presidentit Bamir Topi. Në një intervistë të ditëve të fundit kreu i PS-së u shpreh se pushteti i Sali Berishës, pjesë e të cilit është edhe LSI, do ta largojë vota opozitare dhe jo aleancat imagjinare me forca që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Sipas Ramës dy partitë e reja të kampit të djathtë, që ai i quan dy PD-të e reja mund të krijojnë kushte për rithemelimin e të djathtës në opozitë, por as janë as do të jenë një parakusht për ndryshimin e qeverisë me votë. Rrudhja e votave për PD-në e për Saliun për shkak të këtyre forcave të reja që po marrin jetë në kampin e djathtë, nuk është dhe nuk do të jetë në fokusin e vëmendjes sonë në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Ne do ti fitojmë zgjedhjet me Aleancën për të Ardhmen dhe do të qeverisim me programin tone, do të shprehej kreu i opozitës.
Lindjen e dy partive të reja të së djathtës për kryesocialistin, tregon për tradhtinë shumëplanëshe që qeveria e PD i ka bërë ideve dhe zgjedhësve të lidhur më shumë me të. Rama vlerëson se Berisha ka zero shanse që të marrë një mandat të tretë në zgjedhjet e qershorit 2013-të pasi sdo ketë më mundësi që për të dytën herë të vjedhë mandatin e saj qeverisës. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e AK-së, por dhe nismëtarët e partisë së re që pritet të drejtohet nga Presidenti Topi kanë akuzuar Partinë Socialiste si bashkëfajtore për gjendjen në të cilën ndodhet vende.