Ministria e Brendshme: Nuk kishte puç, mbyllni dosjen e 21 janarit

Ina Rama dhe Hysni Burgaj / Foto LSA
Flamur Vezaj
Ministria e Brendshme refuzon kërkesën e organit të akuzës, për delegimin e dy oficerëve të policisë, të cilët do të bashkëpunonin me Prokurorët e çështjes në hetimin e puçistëve të 21 Janarit 2011. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të organit qendror të akuzës, sipas të cilëve, me shkresën e ardhur pak ditë më parë nga Ministria e Brendshme, këta të fundit refuzojnë të bëhen pjesë e hetimit për organizatorët e demonstratës së 21 Janarit 2011. Ky refuzim, sipas kësaj shkrese, mësohet se është argumentuar për faktin se në Korrik të 2011 institucioni i Policisë së Shtetit është shprehur njëherë për këtë procedim, duke i sugjeruar prokurorëve pezullimin e hetimit. Me shkresën nr. 229 të datës 11 Korrik 2011, që mban titullin Relacioni shpjeguese për procedimin penal nr. 285 të vitit 2011, Policia e Shtetit i ka sugjeruar prokurorëve të çështjes të pezullojnë hetimet ndaj organizatorëve të demonstratës pasi nuk provohet organizimi-thuhet në shkresën që tashmë është administruar nga Prokuroria e Përgjithshme.
Sipas kësaj shkrese, Ministria e Brendshme refuzon të bëhet pjesë e hetimit ndaj tre deputetëve të Partisë Socialiste z.Tom Doshi, Besnik Baraj dhe Taulant Balla, të cilët dyshohen se kanë qenë organizatorët e demonstratës së dhunshme. Sipas këtij refuzimi, Ministria e Brendshme, nuk mund të bëhet pjesë e hetimit, pasi njëherë ishte shprehur për këtë procedim, çka sipas tyre, do të paragjykohej. Nga ana tjetër, Shekulli ka botuar këtë relacion që mban datën 11 Korrik 2011, ku ndër të tjera Drejtoria e Policisë së Tiranës, kujton se gjatë hetimit pesë mujor, ku janë marr në pyetje dhe administruar deklarimet e 62 personave, janë ekzaminuar dhe identifikuar personat e dhunshëm të fiksuar nga aparat fotografik e kamerat e sigurisë dhe të televizioneve të ndryshme, është arritur në përfundim se nuk ka organizim nga demonstruesit.
Bazuar në këtë relacion, Policia i sugjeroj tre prokurorëve të çështjes së asaj kohe të pezullojnë hetimin, pasi nuk provohet puçi institucional. Nga tërësia e hetimeve të kryer nga ana jonë, nuk është bërë e mundur gjetja e provave dhe fakteve të mjaftueshme, si fotografi, pamje filmike, gjetjen e dëshmitarëve që implikojnë ndonjë person si organizator të dhunës së ushtruar gjatë protestës së 21 Janarit. Kjo protestë ka qenë e organizuar nga Partia Socialiste, por dhuna e ushtruar në këtë protestë ka qenë individuale. Kjo vërtetohet edhe me gjetjen e provave dhe fakteve për 12 persona, dosjet e të cilëve kanë kaluar për gjykim ku disa prej tyre pranojnë që kanë ushtruar dhunë ndërsa pjesa tjetër e mohon këtë fakt-thuhet në përfundim të relacionit, ku sugjerohet pezullimi i hetimeve të dosjes penale me nr. 285 të vitit 2011.
Pas marrjes së kësaj përgjigjje zyrtare nga Ministria e Brendshme, kryeprokurorja Ina Rama ka vendosur komandimin e dy hetuesve të Prokurorisë së Tiranës, z.Arison Puka dhe z.Arjan Përmeti, që të bëhen pjesë e grupit të prokurorëve për hetimin e tre deputetëve të Partisë Socialiste. Këta hetues, mësohet se kanë marr edhe detyrat e para nga prokurorët e çështjes, për pyetjen e gjashtë personave, ku në mesin e tyre janë persona që kanë dijeni për mënyrën e organizimit të demonstratës së opozitës, kanë komunikuar me mesazhe telefonike me deputetët nën hetim apo edhe janë fiksuar nga kamerat e ndryshme, duke sulmuar ndërtesën e kryeministrisë. Pas marrjes së dëshmisë së tyre, mësohet se prokurorët do të thërrasin në Prokurori të Përgjithshme, tre deputetët e Partisë Socialiste, Doshin, Baren dhe Ballën, për marrjen e tyre në pyetje me cilësinë e personave nën hetim. Ndaj tre deputetëve të PS-së, prokuroria ka nisur hetimet me iniciativë duke ngritur dyshime ndaj tyre për organizimin e dhunshëm të demonstratës së 21 Janarit 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
Policia: Protesta ishte e PS, dhuna ishte individuale
Sipas raportit të policisë, asnjë nga demonstruesit e pyetur nuk ka pranuar se është paguar për të marrë pjesë në këtë demonstratë apo i ka bërë thirrje njeri për të ushtruar dhunë, të gjithë thonë se kemi ardhur në Tiranë për të marr pjesë në një protestë paqësore. Nga tërësia e hetimeve të kryer nga ana jonë, nuk është bërë e mundur gjetja e provave dhe fakteve të mjaftueshme, si fotografi, pamje filmike, gjetjen e dëshmitarëve që implikojnë ndonjë person si organizator të dhunës së ushtruar gjatë protestës së 21 Janarit. Kjo protestë ka qenë e organizuar nga Partia Socialiste, por dhuna e ushtruar në këtë protestë ka qenë individuale. Kjo vërtetohet edhe me gjetjen e provave dhe fakteve për 12 persona, dosjet e të cilëve kanë kaluar për gjykim ku disa prej tyre pranojnë që kanë ushtruar dhunë ndërsa pjesa tjetër e mohon këtë fakt-thuhet në përfundim të relacionit, ku sugjerohet pezullimi i hetimeve të dosjes.
Ina Rama: Raporti i pavërtetë
Kryeprokurorja Ina Rama, edhe pse me vizitë zyrtare në Kosovë, nuk ka harruar të shigjetoj përsëri institucionin e Ministrisë së Drejtësisë, duke e cilësuar raportin e kontrollit të këtyre të fundit në zyrat e disa prokurorive të rretheve, si të pavërtetë. Qëndrimi i prokurorisë për këtë raport i është komunikuar Kuvendit të Shqipërisë dhe me kohë do të njoftohet edhe publiku edhe pse mund të them se ai raport ka plot të pavërteta-mësohet të është shprehur ndër të tjera Prokuroria e Përgjithshme znj.Ina Rama, gjatë takimit me homologun e saj kosovarë, z.Ismet Kabashi. Ndërsa, në lidhje me hetimin e ngjarjes së 21 Janarit 2011, kryeprokurorja është shprehur se hetimet do të përfundojnë brenda afatit hetimor. Ne kemi shtyrë afatin për tu mbyllur dhe besojmë se procesi do të përfundojë brenda këtyre afateve-theksoi Rama, ndërsa kritikoj nga Prishtina kualifikimin ligjor që ka bërë Gjykata e Shkallës së Parë në tiranë, për akuzat e 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit.
Fakte
1. Tom Doshi, është deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për organizimin e dhunshëm të demonstratës së 21 Janarit 2011, pasi është filmuar në krye të turmës së demonstruesve
2. Taulant Balla, është deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për organizimin e dhunshëm të demonstratës së 21 Janarit 2011, pasi një demonstruesi i është gjetur një mesazh telefonik, drejtuar këtij deputeti duke i kërkuar se çfarë të bënin
3. Besnik Baraj, është deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Tiranës, është vënë në hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për organizimin e dhunshëm të demonstratës së 21 Janarit pasi është personi që ka marr lejen për këtë organizim në Policin e Shtetit