E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsumi i karburantit, policia kërkon rritje të limiteve

Komisariate e Tiranës kanë kërkuar së paku nga dy herë rritjen e limiteve për shkak të harxhimeve nga mjetet e reja

Drejtoria e Policisë së Tiranës, në muajt e fundit është detyruar të rrisë dy herë së paku limitet e karburantit për automjetet që përdorin strukturat e saj, për shkak të konsumit të madh të karburantit, që mjetet e policisë kanë pasur.


Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët kanë pohuar se për komisariatet është kërkuar rritje e limiteve të karburantit duke qenë se limitet e mëparshme nuk ishin të mjaftueshme, ose ishin tejkaluar nga automjetet.


Burimet pohuan se komisariatet nr.1, nr.4, nr.5 dhe nr.6, kanë kërkuar rritje limiti në masën nga 100 deri në 200 litra, duke qenë se distancat që ata kanë përshkuar dhe përshkojnë për të realizuar detyrën janë të gjata dhe konsumi i karburantit që mjetet e tyre kryejnë është më i madh nga distancat që ata mund të kryejnë me limitet që kanë pasur në dispozicion.


Ndërkaq, më pak konsum karburanti kanë pasur komisariatet e policisë nr1 dhe nr3, drejtuesit e të cilëve nuk kanë kërkuar shtim të limiteve të karburantit për mjetet e tyre.


Pavarësisht kësaj, burime nga këto komisariate, thonë se edhe pse nuk kanë kërkuar shtim të limiteve të karburantit, ata kanë ndjerë vështirësinë e konsumit të automjeteve të tyre. Kjo ka bërë që drejtuesit t'iu kërkojnë efektivëve të patrullave, të kenë kujdes me konsumin e karburanit të mjeteve të tyre dhe të mos e "tepërojnë" me kondicionerët, apo me përshkimin distancave të gjata në mënyrë të pajustifikuar.


Në të kundërt, një fakt i tillë ka qenë i pamundur për efektivët e komisariateve të tjerë të cilët duhet të përshkojnë distanca të gjata me disa kilometra për të arritur në një vendngjarje të caktuar, për të kryer një verifikim, apo për të kryer veprime të tjera policore si ndjekje apo shoqërime personash. Mësohet se drejtuesit e komisariatit nr.1 dhe katër kanë kërkuar nga dy herë që drejtuesit e policisë së qarkut t'iu shtojnë limitet me nga 100 apo 200 litra.


Po kështu edhe drejtuesit e komisariatit të Kamzës, kanë kërkuar dy herë gjatë muajve të fundit një veprim të tillë, ndërsa drejtuesit e komisariatit nr.6, kanë kërkuar vetëm një herë. Burimet thonë se shtimet e mësipërme kanë qenë të pamjaftueshme, ndërsa kanë rënduar në rezervat e karburantit që Policia e kryeqytetit ka deri në fund të vitit.


Shkak i shtimit të konsumit të karburantit sipas burimeve nga komisariatet e Tiranës si dhe nga drejtoria e Policisë, janë bërë mjetet e reja të blera nga Policia e Shtetit në fillim të këtij viti. Këto të fundit kanë tejkaluar konsumin e karburantit të parashikuar në katalogët e tyre duke vënë në pozitë të vështirë drejtuesit e policisë.


Sherri mes kunatave, plagosen vëllezërit


Dy vëllezër mbetën të plagosur me njëri- tjetrin pas një grindjeje për motive banale mes bashkëshorteve të tyre, ndërsa ata u përfshinë në konflikt më pas. Policia nuk bëri të ditur emrat e të dëmtuarve dhe të personave të përfshirë në konflikt, por se sipas tyre, ata u morën në ndjekje penale në gjendje të lirë nga organet e policisë me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje me sende të forta.


Ngjarja ndodhi në rrugën "Jordan Misja", kur dy kunatat me origjinë nga Gramshi, debatuan mes tyre për motive banale, duke acaruar debatet dhe marrëdhëniet familjare mes dy vëllezërve. Në grindjen e tyre u përfshinë edhe vëllezërit, kur vunë re se bashkëshortet e tyre ishin konfliktuar dhe goditur mes tyre, duke i shkaktuar dëmtime njëra- tjetrës.


Sipas burimeve të policisë, vëllezërit goditën njëri- tjetrin me sende të forta duke i shkaktuar njëri- tjetrit plagë dhe dëmtime serioze. Pas njoftimit të marrë për ngjarjen, policia mbërriti në adresën e lajmëruar duke nisur menjëherë hetimin e ngjarjes.


Nga veprimet e para, hetuesit kanë konstatuar se konflikti kishte precipituar pas një grindjeje mes kunatave, duke sjellë edhe konfliktimin e vëllezërve. Këta të fundit pas konfliktit mes tyre, janë dërguar në spital ku pas mjekimit të marrë, për dëmtimet e pësuara gjatë përplasjes mes tyre janë rikthyer në banesat e tyre.


Ndërkaq ata nuk i kanë shpëtuar ndjekjes penale nga policia e kryeqytetit e iu referoi atyre procedimin penal në prokurorinë e kryeqytetit me akuzat e plagosjes së lehtë me dashje dhe dëmtimeve të tjera me dashje.


Policia ka administruar deklarime të disa personave dhe dëshmitarëve si dhe ka fiksuar fotografi dhe prova materiale në vendin e ngjarjes, të cilat i janë bashkangjitur dosjes së dërguar në prokurori. Pritet që gjatë ditëve në vazhdim prokuroria të thërrasë personat e akuzuar, me qëllim sqarimin e situatës së secilit prej tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›