E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko ne Studio e Hapur 8 Maji eshte nje proces politik

Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko deklaron se zgjedhjet e 8 majit do të prodhojnë një proces politik, që do të sjellë një zgjidhje politike.  I ftuar në “Studio e Hapur” të Eni Vasilit ai theksoi se për shkak të ngërçit dy vjeçar mes palëve, fushata për këto zgjedhje nuk mund të mos ishte politike.

“Në konkluzionet e një situate të tillë të cilat nëpërmjet një historie që shpresoj të mbyllet me kutitë e tetë majit. Ne do të fillojmë një proces të ri politik, një proces që duhet të ketë më pas edhe zgjidhje politike. Kjo histori do të ketë të bëjë që me testimin e asaj që ndodhi në qershorin e 2009-ës, tek balancat dhe raportet elektorale që ruan opozita dhe maxhoranca. Në bazë të këtij rezultati, mendoj se, dhe këtu duhet thënë për fat të keq, më shumë sesa klasa politike jam i prirur të besoj se do të flasë faktori ndërkombëtar për mënyrën se si do të procesohet më pas”- thotë Majko.

Por përtej asaj që do të ndodhë pas 8 majit, Pandeli Majko thekson si sfidë realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që vë në dukje se tensioni në këtë fushatë nuk është vërëjtur më parë.

“Në kushtet e këtij mirëbesimi në nivele minimale që ekziston midis dy palëve, është procesi më delikat, realizimi i procesit”- thotë ai.

Eni Vasili: “Çfarë rrezikon konkretisht procesi, rrezikon përgjatë fushatës, rrezikon në datën 8 maj, në analizën tuaj?”

Pandeli Majko: “Shenjat e presionit kanë fllluar. Ka problem të natyrave që fillojnë që nga kuponat të cilët mund t’i gjesh vetëm në tregun e zi".

Eni Vasili: “Për çfarë kuponash e keni fjalën zoti Majko"?

Pandeli Majko: “E kam fjalën për kuponat për të blerë kartën e identitetit”.

Në një situatë normale politike, Edi Rama nuk duhet të rikandidonte për kryetar bashkie, ndërkohë që një tërheqje e tij në këtë klimë do të ishte keqinterpretuar, thotë Pandeli Majko.

“Nëse në çdo rast që do kishim një tërheqje të kandidimit të zotit Rama, mendoj se do të përkthehej jo mirë nga votuesit”- tha Majko.

I pyetur se a do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim që do të vendosë për rezultatin në disa qytete, Pandeli Majko thotë se për këtë duhet pritur deri më 8 maj. 

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›