E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda Keta: Identiteti i PS-së ka vdekur. Rama, një nihilist politik



Përmes gazetës “standard”, ish-drejtuesja e Forumit të Gruas Socialiste, Majlinda Keta, ndan mendimet e saj për drejtimin e PS-së, vetëm pak muaj larg zgjedhjeve. Keta shprehet se identiteti i PS-së, nën drejtimin e Edi Ramës, ka vdekur. Ajo e vlerëson Ramën si një nihilist politik, i cili ka interes vetëm pushtetin. “Ne ende nuk kemi rol të PS-së Rama si opozitë. Rama dhe ramistët janë nihilistë politikë, janë vetëmohues të asaj që kanë bërë në rrugëtimin e së majtës”, - thotë Keta. Ish-drejtuesja e Forumit të Gruas flet edhe për ndryshimet mes Nanos dhe Ramës, tragjedinë e Gërdecit, zgjedhjet e qershorit.

Znj. Keta, keni drejtuar për një kohë të gjatë Forumin e Gruas Socialiste. Si e shihni ecurinë dhe performancën e tij tani në prag të këtyre zgjedhjeve? Vërtet besoni se ka Forum të Gruas Socialiste?

Forumet e vërteta të gruas dalin nga gra dhe vajza të identifikuara dhe të shprehura socialiste apo mbështetëse të programit apo standardit apo arritjeve në qeverisje. Nëse ai funksionon, anëtaret e saj përdorin votën e tyre për institucionet politike që i përfaqësojnë brenda tij apo në institucione e përfaqësime në parti. Lidershipi i forumit, përfaqësitë e zgjedhura, bazuar në programin politik të partisë, në opozitë a qeverisje, realizojnë rolin e tyre të pavarura, me identitet e ambicie politike konkurruese. Anëtaret dhe të zgjedhurat e tij për lidership kanë jetë aktive publike në mëvetësi politike, por edhe bashkëpunojnë në rrjet grash brenda llojit politik, sikurse në rrjet të grave në politikë. Lidershipi i saj vjen si ndër modelet më të arrira e konkurrente, e provuar në aftësim publik në emër të politikës. Kur ai është i jetësuar si forum anëtaret e tij janë dhe ndihen të pranishme në çdo problem e situatë kritike të vajzave dhe grave, shoqërisë në tërësi, atdheut dhe sfidave integruese globale. Ato nën sigla politike përfaqësojnë e ndërtojnë marrëdhënie publike, luftojnë e lobojnë në interes të barazisë gjinore, brenda dhe përtej programeve politike, por pa u përdorur e keqpërdorur nga kryetarë bosistë biznesesh të palara kudo ku e kanë këtë rol.

Për këto e më tepër se këto, FGSSH-ja historike e Partisë Socialiste nuk ekziston dhe nuk ka rol në partinë, as majtas, as djathtas të Ramës. Kjo, jo se nuk ka vajza e gra që mbështesin e promovojnë veten nën programin e majtë të cilit i referohet Partia Socialiste e themeluar nga Fatos Nano me shokë e shoqe, anëtare e Internacionales Socialiste, por se partia e drejtuar nga Rama është e deklaruar as majtas, as djathtas, nën sfond ylberist e me sigla të shpërfytyruara; pa referenca programore të suksesit a mossuksesit; pa identitetet simbolike që ka realisht një parti për ato që bënë historinë e saj.

Për këto e më tepër se këto ndihem krenare që kam qenë pjesë e historisë së Partisë Socialiste, Forumit të Gruas Socialiste, kolege e shoqe e anëtareve të tyre, grave në politikë dhe rrjeteve simotra për aq kohë sa besuan me votën e tyre dhe e drejtova në grup dhe e mbështetur atë forum.

Si e shoh ecurinë? Kur partisë i ka vdekur identiteti nuk mund të pretendohet që këtë ta ketë forumi i gruas; kur partia nuk ka gjetur dhe shprehur identitetin dhe vendin në politikën shqiptare, nuk mund të pretendojmë ambicie për performancë forumesh; kur grumbullimit të vullnetarëve të interesit i ka humbur simitja, si mund ta gjejë këtë të fundit forumi i supozuar?

Më vjen keq për çfarë lashë me dorëheqjen time të 4 korrikut 2006, lashë forumin dhe nuk njoh e ndej të paktën një kuorum cilësie socialistesh që shqiptarët në 18 vite e dinë se sa intelektualizëm, forcë, humanizëm, solidaritet kanë ato në vetvete dhe u kanë dhuruar të tjerëve. Ajo që shitet nuk ka asnjë nga standardet e përmendura më lart që të emërtojë forumin e gruas së një partie të madhe politike.

Përcaktimi në ligjin zgjedhor që në Parlament të ketë 30% femra është një arritje apo ka ende vend për përmirësime?

Unë gjithmonë kam qenë kundër stekave numërore, sepse kam të drejtën të pyes pse nuk pranuan 50% me 50%! Si objektiv afatshkurtër është një diskriminim pozitiv për vajzat e gratë, si objektiv afatgjatë them se do të arrihet kur lideret dhe liderët e të gjithë partive të çmojnë realisht barazinë, qoftë kjo dhe e shprehur me numra. Uroj që në sfond politik të jenë të gatshme prurjet ku një femër në krye të partive politike, 1-shi i saj, të bëhet shembulli i kthimit të situatës si e dëshiroj unë dhe shumë të tjerë. Gjysmarritja është e rriskuar pasi kryetarët e partive do të jenë të gjithëpushtetshëm në përzgjedhje dhe për seksin tjetër në listim emrash. Kjo është zgjedhje tip ekzekutive, jo vendimmarrje politikash standardore.

Po sikur këta kryetarë të jenë të zhgënjyer nga femra në përgjithësi? Po sikur disa të tjerë të jenë lodhur nga skandale e skupe rreth raporteve me to?

Mos e dhëntë Zoti që ndonjëri prej tyre të preferojë më shumë burra e gra me sjellje të dyshimta në raport me gratë që janë gra në sharm, fuqi jetësore, model të arrirë, politikisht të qëndrueshme, mendërisht të shëndosha, të arrira nga vetvetja tek miku e ndërmarrja më e vogël e jetës së tyre, me mike e miq të pafund, të afta për të vendosur e në vendimmarrje, të shenjta në identitet po aq sa të dhembshura në dhimbjet njerëzore. A e imagjinon rezultatin e këtyre “sikur-eve”?

Sapo është shfaqur publikisht ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, praktikë tipike e tij në tri vitet e fundit. Në prag të këtyre zgjedhjeve a i duhet së majtës e në veçanti PS-së roli dhe përvoja e z. Nano?

Për mua dhe shumë të tjerë, historia e PS-së të krijuar në 1991-shin, për fat të keq të shqiptarëve dhe politikës, ka marrë fund 1 ditë pasi Rama u vetëquajt kryetar i partisë as majtas, as djathtas. Metamorfoza negativiste, ende prezente dhe sot, e kryer qysh nga ai moment e ka lënë në fuqi titullimin: “Kryetar i PS-së së krijuar në 1991 është z. Fatos Nano”. Parashtesa “ish” nuk ka vlerë. Për më tepër turi i tij para 2 vitesh, brohoritjet në salla e ambiente, në formë kërkese apo miratimi mbështetës nga anëtarësia dhe përkrahësit socialistë e më gjerë, tregonin se Nano është kryetari i Partisë Socialiste.

Në lojën e saposhpallur zgjedhore nuk ka ekip nën fanellë socialiste, të certifikuar si të tillë nga institucionet përkatëse. Ka ish-a të konvertuar me aspiratat e Ramës për politikën e pushtetin. Aty edhe engjëlli, edhe djalli janë bashkuar për të shërbyer për pushtetin e radhës që aspiron Rama. Ata nuk kanë bërë e nuk përfaqësojnë opozitë, janë thjesht një agjenci e marrëdhënieve publike për Ramën 12 vjet në pushtet.

A mund të mendohet loja politike pragzgjedhore pa opozitë apo pa liderin e opozitës më të madhe të majtë?

Sigurisht që jo. Unë them se deri më tash, nuk ka lojë midis më të mëdhenjve, opozitarët historikë, pasi prej 3 vitesh e në vijim Shqipëri po rikonturohet e majta opozitare me në krye Metën, anë e dytë, e domosdoshme e medaljes politike. Ne ende nuk kemi rol të PS-së Rama si opozitë. Rama dhe ramistët janë nihilistë politikë, janë vetëmohues të asaj që kanë bërë në rrugëtimin e së majtës, janë hiçidentitetë të progresit shqiptar në 18 vite po aq sa heshtanakë të gabimeve e fajeve të tyre në qeverisje a opozitë në këtë nihilizëm. Kjo, vetëm politikë nuk mund të quhet.

Ideatorët dhe kryeideatori i kësaj skeme të mbrapshtë për të majtën duhet ta dinë se i kanë sjellë e vazhdojnë t’i sjellin një dëm të stërmadh politikës dhe mirëqenies shqiptare në përgjithësi.

Po përvoja e Nanos?

Si çdo lojtar politik klasi, edhe në dukje i tërhequr si model në veprim, flet dhe shpreh vlefshmërinë edhe me pasojat e krijuara brenda së majtës, politikës në tërësi, pavarësisë së pushteteve, duke qenë e duke u kërkuar në treg publik si modeli ku njerëzit e mirëqenia nuk ndahen nga gardhe politike apo ndryshueshmëritë e tjera jetësore.

E patë se ç’ndodhi me të majtën në ditën e përkujtimit të një tragjedie si ajo e Gërdecit?!

Jemi në prag zgjedhjesh, 3 muaj larg ditës, dhe lufta e gjelave vazhdon. A i kanë menduar ndonjëherë mbështetësit nën trysni përpara këtyre situatave dilematike? A u nderuan të 26 jetët e humbura?

Sigurisht që për sa kohë përmes medias familjarë të tyre i kërkojnë të largohen nga ditë halli pasi i kanë humbur për mbështetje në 364 ditët e tjera të vitit, ditë kur ato rënkonin si mos më keq për fatkeqësitë e tyre. Pse nuk u tubua e majta për t’i dhënë mbështetje publike punës së punonjësve të drejtësisë? Pse nuk u mblodh e majta për t’u treguar shqiptarëve se si po e përdor pushtetin aty ku e ka (ka shumë, duke filluar nga Bashkia Tiranë) me qëllim që të mos përsëriten Gërdecë urbanë, arsimorë, shëndetësorë, mjedisorë, institucionalë, kulturorë e në përkrahje e mbështetje sociale? Kështu mund të bëhej realisht fushatë e mund të synoheshin vota e ndërkohë familjarëve të viktimave u ofronim ngushëllim, duke i siguruar jetët e tyre të shëndetshme përmes modelit. 28 qershori duhet parë si finalitet i modelit të sigurisë për 4 vite të tjera të shtetit e shtetasve të tij, pa dallim politike apo apolitizmi.

A mund të krijohet një bashkëjetesë mes z. Nano dhe z. Rama për hir të fitores së të majtës?

Për vlerësimin tim, njerëzit bashkëjetojnë kur kanë vlera për të ndarë me njëri-tjetrin. Kjo theksohet edhe më shumë kur mendojmë se ata kanë ose pretendojnë se kanë fuqi mbi grupin politik. Referuar kësaj e asaj që ka ndodhur këto vitet e fundit (edhe para 2005-s), e për më tepër që pritet në vijim, them se e përjashton bashkëjetesën mes tyre si individë. Grupimet politike dhe raportet ndaj tyre janë tjetër gjë.

Nuk duhet harruar fakti se në çdo model bashkëjetese të kërkuar për arsye roli shoqëror, kanë vlerë e gjithmonë, lënë gjurmë bashkëjetesa të mëparshme të këtyre individëve në institucione të tjera shoqërore, gjë e cila fuqizon ose anemizon rolin në emër të grupit për këtë bashkëjetesë.

Nano dhe Rama kanë starte dhe vijueshmëri totalisht të ndryshme të suksesit apo mossuksesit brenda së majtës, pushtetit, në opozitë dhe pozitë. Janë të pakrahasueshëm edhe për sa i përket ndjeshmërisë ndaj së majtës dhe përgjegjësisë ndaj saj. Të dytit, Ramës, nuk ia ndien fare as koncepti, as filozofia e për më tepër opozita e majtë. Kjo jo se e them unë apo të tjerë si unë, por e shpreh çdo ditë vetë Rama dhe ramistët. Kjo, jo vetëm sot, por qysh prej 1990-s.

A besoni në fitoren e së majtës në kushtet në të cilat ajo ndodhet?

Fitorja vjen kur bashkëjetojmë mendërisht, në modele e veprim, të gjithë bashkë në orkestër. Jemi akoma në stadin rekrutues “edhe ti, edhe ajo, edhe… ia vlen dhe nuk ia vlen… provoje e fito për veten, mos pyet për skuadrën politike…” Ideatori i këtij dëmi tek e majta, para dhe pas 2005-s, Rama & CO, janë të njëjtë me të akuzuarit e Gërdecit të shkaktuar tek e majta shqiptare. E majta nuk mund të përdoret për një pushtet që vjen distrofik në program e model. E dhimbshme që e pranoj, por që është e vërtetë, pasi e përjetojmë të gjithë bashkë. Dua që marsi e deri tek plakat e... të jetë një muaj apokaliptik për të rivendosur të majtën si alternativën më konkurrente në program, struktura, lista përfaqësimesh, aksionesh e përfaqësimesh publike, shëndeti mendor e morali të bartur... pasuar nga rini vlerash alternative, konkurruese, krijuese, artistike me qëllim që zgjedhjet në radhë të mos i bëjnë më gri ndaj politikës shqiptaret e shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›