E Diel, 1 Nëntor 2026

Titujt me 7501, shqyrtohen ankesat e tokave në bregdet



Komisionet vendore nisin punën për shqyrtimin e titujve të pronësisë të dhënë me ligin 7501. Prefektët e zonave bregdetare kanë bërë të ditur se komisionet vendore kanë filluar shqyrtimin e ankesave të ardhura nga qytetarët. Prefekti i Durrësit, Klodian Pajuni, tha dje se ka nisur procesi i verifikimit të titujve dhënë vite më parë. Në zyrat e prefekturës ka pasur edhe një dyndje qytetarësh të cilët kanë paraqitur ankesa, por edhe për t’u njohur me shqyrtimet. Në terren komisionet vendore kanë nisur punën e shqyrtimit të tokave bujqësore, veçanërisht në bregdet. Janë me mijëra ankesat e ardhura për ndryshim destinacioni apo për rritje të sipërfaqes së tokës në mënyrë abuzive. Komisionet vendore do të verifikojnë të gjithë bregdetin shqiptar, ku sipas ankesave, duket se janë edhe abuzimet më të shumta.

Ligji

Ligji parashikon rishqyrtimin nga e para të të gjithë titujve të pronësisë të dhënë që nga viti 1991 edhe sipas ligjit 7501. Ai përfshin të gjitha sipërfaqet e tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, e që më pas janë ndarë nga Ministria së Bujqësisë në fshatra deri në datën 30.4.1998. Në bazë të tij, titujt e lëshuar që nga 1.8.1991, por që nuk figurojnë në Hipotekë si tokë bujqësore, do të anulohen, pasi ato llogariten si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.

Ankesat

Në rast se evidentohet se toka është vjedhur apo përfituar pa të drejtë, komisioni vendor do t’i propozojë komisionit që drejtohet nga zëvendëskryeministri për t’i hequr titullin e pronësisë. Personi i prekur do të ketë afat vetëm 60 ditë për t’u ankimuar në gjykatë, ndryshe, vendimi i komisionit do të hyjë në fuqi duke tjetërsuar pronësinë e duke ia kaluar shtetit. Gjatë diskutimeve të ligjit, është vërejtur se me ligjin 7501 janë dhënë në mënyrë abuzive 26 mijë hektarë tokë, ndërsa me ligjin për ndarjen e tokave bujqësore dhe kooperative janë ndarë 12 mijë hektarë tokë. Ndërkohë, ka probleme kufijsh në 180 raste për 2 700 hektarë. Rreth 12 mijë subjekte kanë zënë tokë në mënyrë të paligjshme në një sipërfaqe prej 6 100 hektarësh. Ndërkohë, janë kryer abuzime me dokumentet e pronësisë të dhëna sipas ligjit 7501 dhe 8053. Ministria e Bujqësisë shprehet se bëhet fjalë për 170 hektarë pyje, 254 hektarë kullota, 296 hektarë tokë e pashfrytëzueshme. Sipas të dhënave paraprake, në shumë raste ka më tepër se dy mbivendosje. Ndërkohë, duhet pasur parasysh se 80 për qind e anëtarëve të komisioneve të ndarjes së tokave pranë komunave kanë qenë me arsim 8-vjeçar. Gjatë këtyre viteve, gjithsej janë ndarë 563 mijë hektarë tokë bujqësore për 445 mijë familje. Në shumë raste këto prona kanë qenë rreth zonave urbane dhe në bregdet dhe ato tashmë janë kthyer në troje për ndërtim dhe janë ngritur objekte. Në këto raste do të penalizohet vetëm ai që e ka përfituar titullin e pronësisë në mënyrë të padrejtë. Nëse ka kryer transaksion dhe këtë pronë ai nuk mund t’ia kthejë shtetit, atëherë do të paguajë çmimin për metër katror sipas vlerës së tregut, përcaktuar në hartën e vlerës së tokës që ka Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Lejet e legalizmit, të martën ndahen në Vlorë

Agjencia e Legalizimeve do të ndajë ditën e martë lejet e legalizimit në qytetin e Vlorës si dhe në rrethin e Sarandës. Pritet që në këtë qark të ndahet një numër i konsiderueshëm lejesh legalizimi. Në kuadër të grafikut të ndarjes së lejeve, të martën në orën 11, Vlora do të jetë qarku i radhës. Miratimi i kalendarit të aktiviteteve për shpërndarjen e lejeve të legalizimit paraprihet nga një program masash për organizimin e aktiviteteve me këtë tematikë, në çdo qark të vendit, duke filluar nga dita e sotme deri në fund të javës së parë të muajit prill. Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t kanë plotësuar dokumentacionin e dosjeve të legalizimit për çdo objekt informal, si dhe kanë njoftuar qytetarët për shpërndarjen e lejeve të legalizimit sipas afateve të fiksuara në këtë kalendar. ALUIZNI, në vazhdimësi do të publikojë informacion në lidhje me ritmet e procesit të shpërndarjes së lejeve të legalizimit për objektet informale, të dhëna mbi detyrimet financiare të paguara nga qytetarët, ecurinë e regjistrimit të pasurive të legalizuara në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme etj. Aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët. ALUIZNI ka përmbyllur plotësimin e dosjeve dhe ka gati për pajisje me leje legalizimi 4 504 objekte, për të cilat qytetarët kanë shlyer detyrimet financiare. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor.

Gati regjistrimi i pasurive të paluajtshme

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë të ditur se ka filluar regjistrimi i pasurive të paluajtshme, të cilat nuk kanë bërë regjistrimin fillestar. ZRPP-ja ka nisur punën me regjistrimin e 120 mijë pasurive të paluajtshme dhe janë në proces edhe 380 mijë pasuri të tjera. Projekti në fjalë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të bëjë të mundur që të gjitha këto pasuri që nuk kanë pasur mundësi të kishin regjistrim në Hipotekë, ta kenë tani. Ky projekt që zbatohet është i fokusuar në tri piketa kryesore: në regjistrimin fillestar të pasurive për ato pasuri të paluajtshme të cilat nuk kanë kaluar regjistrimin fillestar - tashmë ka filluar regjistrimi i 120 mijë pasurive të paluajtshme dhe janë në proces edhe 380 mijë pasuri të tjera, dixhitalizimi dhe përmirësimi i të dhënave të pasurive të paluajtshme është në përfundim e sipër në zyrat vendore të Durrësit dhe Tiranës, si dhe kompjuterizimi i sistemit. Projekti i dixhitalizimit të ZRPP-së po realizohet me ekspertët e Lantmateriet të Suedisë dhe përfundon brenda tri vitesh. Kjo do të bëjë që në një të ardhme të afërt, veprimet në ZRPP të kryhen në mënyrë dixhitale. Kjo do të bëjë që veprimet mbi pronën të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›