Rama keqpërdor tragjedinë e Gërdecit për qëllime elektorale
Partia Socialiste dhe aleatët e saj shfrytëzojnë njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit për qëllime elektorale. Një flamur kombëtar, rreth 20 metra i gjatë, është shpalosur dje në tubimin e së majtës, i cili mbante të shkruar me shkronja të bardha fjalën “ndryshim”, motoja e PS-së e shfaqur gjatë gjithë takimeve elektorale. Flamuri mbahej nga vullnetarët e kësaj partie, duke vënë në krye të radhës atë pjesë të flamurit shqiptar, ku shkruhej motoja e PS-së dhe duke zhvendosur drejt fundit të tij shqiponjën dy krenare. Protesta që nisi mesditën e djeshme në Gërdec, u zhvendos në sheshin “Skënderbej” pasdite dhe herë pas here, më shumë se një tubim, mori tonet e një feste duke shfrytëzuar për qëllime politike simbolet kombëtare.
Megjithatë, përpjekjet e opozitës për të politizuar tragjedinë e Gërdecit dështuan qysh në nisje, kjo, sepse ajo edhe një herë u shfaq e përçarë dhe e shqetësuar pasi të dyja forcat, PS e LSI, u munduan t’i tregonin forcën njëra-tjetrës: LSI-ja duke kërkuar të marrë rolin e opozitës së vërtetë, ndërsa Rama duke u munduar të protestojë me moton e politikës së re, përtej së majtës e së djathtës.
Protesta
Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e para që nisi protestën, duke nxituar të zërë e para sheshin para Kryeministrisë, ndërkohë që nga ana tjetër, në sheshin “Skënderbej” PS-ja po mblidhte mbështetësit e saj. Bulevardi mes Kryeministrisë dhe sheshit “Skërderbej” ishte i bllokuar nga policia dhe gjatë gjithë kohës në të qëndronin të pavendosurit, nëse do të duhej të protestonin nga ana e LSI-së apo të shkonin tek tubimi i PS-së. Megjithatë, kohëzgjatja e protestës së LSI-së solli shqetësim nga pala tjetër, pasi tubimi në sheshin “Skënderbej” nuk mund të niste pa mbaruar ai para Kryeministrisë. Nga ana tjetër LSI-ja pati një numër shumë të madh të figurave që mbajtën fjalime para qytetarëve, çka shtyu për minuta të tëra zhvillimet në sheshin tjetër.
Sa u përket përplasjeve që mendohej se mund të ndodhnin mes protestuesve të të dyja palëve, ishte Partia Socialiste ajo që tregoi kujdes që të shmangej duke shtyrë me 60 minuta orarin e zhvillimit të protestës. Në përfundim të tubimit, kur mbështetësit e PS-së u nisën drejt Kryeministrisë, protesta e palës tjetër kishte mbaruar me kohë.
Megjithatë, asnjëra palë nuk mundi të fshihte mëritë që ekzistojnë mes tyre. LSI-ja e disa prej figurave që mbajnë fjalime para mbështetësve të saj, hodhën akuza në adresë të palës tjetër dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me aleatët e PS-së. I vetmi që tregoi kujdes që të mos përmendte hapur ndarjen e së majtës ishte Edi Rama kur bëri thirrje që duhen lënë mënjanë ndasitë dhe mëritë.
Gafa e Shalsit: Sot, ditë e madhe
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, shënoi dje gafën më të madhe të karrierës së tij politike, por njëkohësisht nënkuptoi qartë se çfarë simbolizonte njëvjetori i tragjedisë së Gërdecit për opozitën. Në kulmin e replikave me LSI-në, Shalsi tha se ajo e djeshmja ishte një ditë e madhe dhe se Ilir Meta merrej me poshtërsi të vogla.
Bashkia e Tiranës akuzoi Lëvizjen Socialiste për Integrim si autore të vendosjes së mjaft parullave në kryeqytet, sipas të cilave i kërkohet Ramës të zbardhë aferat me lejet e ndërtimit me Mihal Delijorgjin.
“Gjynah që Ilir Meta shfrytëzoi një ditë të madhe për një poshtërsi të vogël”, - tha Shalsi. Nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi, në një prononcim për mediat tha: “Ilir Meta ka harruar se çfarë dite ishte duke theksuar se nuk ishte dita mbi lejet e ligjshme të Bashkisë së Tiranës. Ilir Meta është kaq i verbuar nga urrejtja, saqë ka harruar se sot është dita për të kujtuar tragjedinë e fabrikës së paligjshme të Gërdecit dhe jo për të shpifur mbi lejet e ligjshme të Bashkisë së Tiranës”, - tha Shalsi.
Rama: Drejtësia të zbardhë ngjarjen e Gërdecit
Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje para Kryeministrisë se “asgjë nuk është e pamundur nëse bashkohemi të gjithë bashkë”. Kryetari i opozitës, Rama, i bëri dhe një herë thirrje politikës mos të ndërhyjë tek drejtësia që ajo të zbardhë të vërtetën e kësaj tragjedie ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. “Është koha për t’u bashkuar përtej mërisë në të cilën politikanët që kanë mbajtur peng prej 18 vjetësh na kanë ushqyer”, - theksoi Rama. Gjithashtu, ai shtoi se ndryshimi që opozita kërkon të sjellë, është ndryshimi i një epoke që do të nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe shkatërrimi në të cilën është fundosur.
Milo: 15 marsi, homazh për viktimat
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, e ka nisur fjalën e tij duke theksuar se dita e djeshme ishte një homazh për viktimat e një viti më parë, të cilët u vranë në krye të punës për të mbijetuar. Milo ka akuzuar mazhorancën për papërgjegjshmëri, duke sjellë në kujtesë ngjarje që, sipas Milos, mund të konsiderohen si Gërdecë të tjerë. “Shumë Gërdecë të tjerë kanë ndodhur në kohë, Gërdec në Bulqizë e shumë të tjerë do të ndodhin për sa kohë që ne nuk do të kujtojmë, por do të harrojmë dhe nuk do të bashkohemi për t’i dhënë fund kësaj qeverisjeje”, - u shpreh kreu i PDS-së.