E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketat turistike, dëmshpërblim në rast dështimi



Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim i cili përcakton rregulla të reja për kompanitë turistike dhe për udhëtimet. Vendimi në fjalë përcakton kushtet dhe detyrimet për çdo kompani, si dhe të drejtat e konsumatorëve. Teksa sezoni i ri turistik është duke u afruar, qytetarët shqiptarë, të cilët kërkojnë të kalojnë pushimet jashtë vendit, do të kenë më shumë siguri. Në rast se udhëtimi i tyre anulohet me shkak apo pa shkak, kompania do të dëmshpërblejë klientin. Klienti ka të drejtë të kërkojë kompensim nga organizatori për të gjitha dëmet, materiale dhe jomateriale, të shkaktuara nga mospërmbushja e kontratës së paketës së udhëtimit. Këtu bëjnë përjashtim rastet kur anulimi bëhet për shkak të numrit të personave të regjistruar për paketën e udhëtimit, që është më i vogël se numri minimal i kërkuar dhe për këtë, konsumatori ka qenë informuar siç duhet nga organizatori për anulimin brenda afatit të përcaktuar në kontratën e udhëtimit dhe anulimi i udhëtimit është rrjedhojë e një force madhore. Tejkalimi i kapacitetit të rezervimeve përfundimtare për udhëtimin nuk është forcë madhore. Konsumatori mund të transferojë të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kontratës së paketës së udhëtimit te një palë e tretë, e cila plotëson të gjitha kushtet e paketës. Në një rast të tillë, konsumatori njofton kompaninë ose shitësin përpara nisjes për qëllimet e transferimit të rezervimit, brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Konsumatori njofton për çdo mospërmbushje të kontratës së paketës turistike, të cilën ai e dallon në vend, furnizuesin e shërbimit në fjalë. Furnizuesi i shërbimit dhe kompania e paketës së udhëtimit apo përfaqësuesi i tyre vendor duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme për të kënaqur konsumatorin, brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe të gjejnë zgjidhjen e përshtatshme.

Kontrata

Çmimi i dhënë në kontratën e paketës së udhëtimit nuk është si objekt rishikimi, vetëm në rast se kontrata parashikon qartë mundësinë e një ndryshimi të këtij çmimi, si dhe përcakton me saktësi mënyrën e llogaritjes së çmimit të rishikuar. Në këtë rast, ndryshimet lejohen vetëm për kostot e transportit, përfshirë koston e lëndës djegëse, shuma për t'u paguar, taksa ose tarifa që vihen në ngarkim për përdorimin e disa shërbimeve të caktuara. Gjatë 20 ditëve përpara datës së përcaktuar të nisjes, çmimi i deklaruar në kontratën e paketës së udhëtimit nuk duhet të rritet. Rritja e çmimit të paketës së udhëtimit duhet të argumentohet ekonomikisht dhe të jetë në proporcion me ndryshimet që pësojnë kostot. Nëse organizatori vëren se përpara nisjes ai është i detyruar të kryejë ndryshime të rëndësishme në ndonjërën nga kushtet thelbësore të kontratës së paketës së udhëtimit, organizatori duhet ta njoftojë sa më shpejt të jetë e mundur klientin. Konsumatorit i lind e drejta të zgjedhë njërën nga mundësitë, ofrimin e një pakete zëvendësuese, ekuivalente ose të një cilësie më të lartë, kur organizatori është në gjendje ta ofrojë.

Detyrimet e kompanive turistike

Kompania turistike duhet të përcaktojë afatin kur konsumatori njofton organizuesin dhe shitësin, përpara nisjes, për qëllimin e tij, për të transferuar rezervimin përfundimtar te një person i tretë, si dhe afatin e fundit, për të cilin konsumatori duhet të njoftojë organizatorin e paketës së udhëtimit ose shitësin për faktin se ai e ka transferuar paketën e vet te një palë e tretë. Gjithashtu, ajo duhet të përcaktojë numrin minimal të pjesëmarrësve, të kërkuar për të zhvilluar paketën e udhëtimit, si dhe afatin e fundit për njoftimin e konsumatorëve, në rast se ky numër nuk arrihet dhe paketa e udhëtimit mund të anulohet. Detyrimin për të njoftuar konsumatorin për të drejtat e tij si dhe afatet, brenda të cilave konsumatori mund të bëjë ankesë për mospërmbushjen ose përmbushjen e papërshtatshme të kontratës së paketës së udhëtimit. Kompania përcakton emrin dhe adresën e siguruesit, me të cilin organizatori ka lidhur një kontratë sigurimi. Organizatorit dhe shitësit të paketës së udhëtimit, për mospërmbushjen e kontratës së kësaj pakete, nuk i lejohet t'i referohet mungesës së njërit prej elementeve të kontratës.

Procedura, kush përfiton pension më 20 qershor

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bazuar në ligjin për sigurimet, ka shpallur procedurën që duhet ndjekur nga çdo i interesuar në prag pensioni. Duke filluar nga 30 qershori i këtij viti, të gjithë ata persona që duan të përfitojnë pensione pleqërie, duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj, si dhe të kenë të siguruara 35 vite punë. Ashtu si çdo vit, nga 1 korriku i 2008-s mosha e pensioneve ndryshon me 6 muaj dhe kjo e fundit më shumë për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Specialistë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore shprehen se për punë të kategorisë së parë, mosha për të dalë në pension, si për burrat, ashtu edhe për gratë, nuk pëson asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Por ndryshe nga dy kategoritë e tjera, këtu shënohet rritje e viteve të nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Kështu, periudha e sigurimit të viteve është përcaktuar 29 për burrin dhe 29 për gruan. Për punë të kategorisë së dytë, mosha për të përfituar një pension pleqërie shtyhet me disa vite më shumë për burrin dhe për gruan. Kështu, 62 vjeç e 6 muaj dhe 57 vjeç e 6 muaj është mosha optimale për të përfituar një pension pleqërie si për burrin, ashtu edhe për gruan, nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për këto kategori është 35 vite punë. Për punë të kategorisë së tretë, mosha për t'u bërë një përfitues i një pensioni pleqërie rritet me 6 muaj. Pra, për të përfituar pension brenda kësaj periudhe kohore, burrat duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj, ndërsa gratë 58 vjeç e 6 muaj. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë me atë të kategorisë së dytë, me 35 vite vjetërsi pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, që kanë datë fillimi nga 1.07.2008 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 9515 lekë në muaj dhe më shumë se 19030 lekë në muaj. E thënë ndryshe, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të ligjit nr. 7703, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, deri më datë 30.06.2009, nuk mund të caktohen më pak se 5 200 lekë në muaj. Me rritjen e re të pensioneve është tejkaluar edhe parashikimi për vendosjen e masës së pensioneve në 50 dollarë në fshat dhe 100 dollarë në qytet. Ndërkohë, sipas parashikimeve, edhe gjatë vitit të ardhshëm pensionet do t'i nënshtrohen një rritjeje të re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›